Kulturë

“Armiku” i luftës edhe në Kosovë, vjen në kërkim të paqes

Takimet me ish-ushtarë francezë dhe italianë që kanë shërbyer në misionin e tyre në ish-Jugosllavi për rivendosje të paqes, janë burimi kryesor i performancës “Enemy” në teatrit “Oda” me lojën e dyshes Mélodie Lasselin dhe Léa Pérat
 

Janë pikërisht Kosova e lufta e saj që lënë shenjë në idenë e performancës franceze “Enemy – a Peace Conference” e cila pa fjalë vjen si hulumtim nëpër të kaluarën e luftërave në ish-Jugosllavi tek kërkon paqen. “Kam ardhur këtu në korrik të vitit të kaluar dhe kam filluar të hulumtoj për luftërat në ish-Jugosllavi. Kemi shkuar në të gjitha vendet e Ballkanit për të kuptuar sesi njerëzit po mundohen të bëhen sërish bashkë dhe të lidhin pjesëzat e territorit. Është shumë emocionale për ne ta sjellim këtë performancë për herë të parë në Kosovë”, ka thënë Simon Capelle, i cili bashkë me Mélodie Lasselin nënshkruajnë konceptin e shfaqjes dhe të hulumtimit

“Enemy” ka në thelb nocionin e paqes në raport me konfliktet aktuale dhe ato të kaluara. Publiku me përjetimet e tilla e gjen lehtë veten aty, njashtu edhe në Prishtinë. Por vetë e kaluara e vendit është njëra shtyllë prej ku është ndërtuar rrëfimi i performancës. “Armiku”, me “Një konferencë paqeje” që vjen si nëntitull, pyet pikërisht për paqen. Një rrugë paradoksale ku përballja me traumat e luftës, në vend të fjalëve, bëhet nëpërmjet klithmave e frymëmarrjes. Ajo e lë publikun ta perceptojë vetë shfaqjen derisa trazohen kujtimet e përjetimet e së kaluarës.

Projekti hulumtues “Barbare” i francezëve Mélodie Lasselin dhe Simon Capelle në krejt vendet e Evropës prej vitit 2019 deri më 2022 i ka paraprirë performancës. Mozaiku i historive, rrëfimeve, të së kaluarës dhe të tashmes është shkrirë në art skenik. Qëllimi: krijimi i një vepre për paqe dhe për ta lëkundur imazhin e figurës së armikut.