Kulturë

Thirrja për të mbajtur gjallë filigranin në Prizren

Zanatlinjtë thonë se brezit të ri i mungon interesi për zanatin e punimit të filigranit, ani pse gratë e reja, kryesisht nënat e reja, janë të interesuara ta mësojnë zanatin dhe të punojnë nga shtëpia. Ndërkaq, kompanitë e filigranit kanë raportuar për probleme në përmbushjen e porosive në periudha të ngarkuara të vitit, siç është sezoni veror i dasmave, për shkak të mungesës së zanatlinjve të aftësuar

(AP) – Zanatlinjtë kosovarë në artin delikat të filigranit po bëjnë thirrje për ndihmë që të mbahet gjallë zanati i tyre shumëshekullor. Arti i lidhjes së telave të hollë prej metali në pjesë të bukura dhe të ndërlikuara të stolive prej argjendi, të njohura si filigran, është i ngulitur thellë në identitetin dhe trashëgiminë e Kosovës.

Në një punëtori në qytetin e Prizrenit, një pjesë e vogël e mjeshtërve të filigranit po punojnë për të mbajtur gjallë traditat.

Qyteti i Prizrenit ka reputacion ndërkombëtar dhe konsiderohet si qendër e prodhimit të bizhuterive.

Me shekuj zanatlinjtë këtu kanë punuar me vegla dore primitive, duke prodhuar gjithçka, prej unazave, vathëve, gjerdanëve e deri te kutitë e vogla të duhanit dhe tavllat, të cilat i kanë tregtuar në mbarë botën.

64-vjeçari Bashkim Tejeci me pasion tregon sesi zanatlinjtë e moçëm të shekullit të shkuar, prindërit dhe gjyshërit e tij, krijuan kooperativën në vitin 1946. Prej kohësh filigrani ka qenë i lidhur me familjen.

“Me të vërtetë, ka qenë një zanat me të cilin ia ka vlejtur me u marrë dhe me humb rininë për të”, ka thënë Tejeci.

Dikur ndërmarrje me 150 zanatlinj, tani i riemërtuar “Filigran Shpk”, ka vetëm pesë zanatlinj që punojnë pranë njëri-tjetrit.

Image
Filigrani i punuar nga pesë punëtorët e njërës prej punëtorive në Prizren

Ari, argjendi dhe metale të tjera shkrihen duke i shndërruar në tela dhe më pas lakohen dhe kthehen në krijime dantellash. Disa prej tyre kanë edhe gurë të çmuar.

Teknika është aq e qëndrueshme sa produkti i prodhuar para një shekulli mund të riparohet dhe të kthehet në një krejtësisht të ri, thotë Tejeci.

“Shumë mirë e ndiej veten, këtu po qetësohem, sepse çdo herë diçka tjetër krijoj”, ka thënë 76-vjeçarja Fatime Baruti, e cila ka nisur të punojë me filigran para 50 vjetësh.

Ata thonë se brezit të ri i mungon interesi për zanatin e tyre, ani pse gratë e reja, kryesisht nënat e reja, janë të interesuara ta mësojnë zanatin dhe të punojnë nga shtëpia.

Kompania private e prodhimit “Filigran” ka raportuar për probleme në përmbushjen e porosive në periudha të ngarkuara të vitit, siç është sezoni veror i dasmave, për shkak të mungesës së zanatlinjve të aftësuar.

“Kemi pasur ndihmë prej Kuvendit Komunal të Prizrenit, prej UNDP-së. Kemi pasur ndihma për organizimin e kurseve të cilat ata i financojnë, mirëpo ndihmat nuk janë të mëdha, ne po mundohemi me aftësi dhe të hapim shkollën e filigranit që do të kishte qenë tre apo katër vjet dhe të punësohen ata që e kryejnë kursin”, ka thënë Faik Bamja, menaxher i kompanisë “Filigran”.

Tejeci thotë se teknika e punimit të filigranit e dallon Kosovën nga shtetet e tjera.

“Zejen tonë e bën unike teknika të cilën ne e punojmë. Filigrani punohet gjithkund, edhe në Rusi, edhe Poloni, por duhet të dimë se ‘ama’ pra burimi i zejes së filigranit ka qenë Prizreni, është dhe do të jetë”, ka thënë Tejeci.

“Shpresoj të jetë, sepse po mundohemi me mish e me shpirt që t’ua trashëgojmë gjeneratave të reja. Sa do të arrijmë është pikëpyetje më vete. Por ne e kemi teknikën të veçantë”, ka shtuar ai.

Humbja e traditës që ka rrënjë në historinë e Kosovës, sipas Tejecit, do të ishte humbje e madhe.

“Zanatet të cilat kanë një vlerë është mirë që shoqëria të mos lejojë që të shquhen, sepse është me të vërtetë humbje jo vetëm shtetërore, por edhe kombëtare”, ka thënë ai.

Marrë nga “Associated Press”. Përktheu: Gent Mehmeti