Dyshimi është esencë e filozofisë së tij të artit. Refuzimi është veprim. Me po këtë qasje, ekspozita e Driton Selmanit, “Everything we do is really, really brilliant”, është zhvendosur nga Vjena në Budapest. “Pozicioni im si artist është një refuzim për të përjetësuar një sjellje që duket të jetë e natyrshme, por në fakt krijon një dinamikë toksike”, thotë ai. Zhvendosja në kryeqytetin hungarez ka edhe një tjetër kontekst. Bëhet “e tashme”, siç e thotë ai, “një kohë që na flet shumë mbi rëndësinë e asaj që ne si individ, por edhe si shoqëri bëjmë dhe veprojmë në kohë trazirash dhe terrori global
Arti i Driton Selmanit ka kohë që u flet audiencave të huaja. Dëshmi vjen ekspozita e tij “Everything we do is really, really brilliant”. Nga Vjena është zhvendosur në Budapest duke lënë gjurmët e tij artistike. “Kahàn Gallery” në kryeqytetin hungarez është nikoqire e veprave bashkëkohore, që kanal kanë mediumet e ndryshme që praktikon. Ekspozita në fakt është thellim në pyetjen nëse është më të vërtetë brilante gjithçka që bëjmë. Përjetësimi i dinamikave toksike, që duken sjellje të natyrshme, është tjetër etapë e përmbajtjes së veprave në ekspozitë.
Vizatime, instalacione, fotografi, shkrime në qese e videoincizime janë ato që ndërtojnë ekspozitën e Selmanit. Siç shihet në fotografitë nga vernisazhi i ekspozitës të enjten mbrëma, artisti uron për fat që në hyrje të galerisë me mbishkrimin “Lucky you” me shkronja të bardha në materialin me ngjyrë të zezë në sfond. Figura e artistit dhe vetë artisti me këtë rast janë të pranishme në ekspozitë. Ai mundet të gjurmojë në elementet e njërës prej fotografive të varura aty. Është fotografia me titull “They Say You Can’t Hold Watermelons In One Hand” (Ata thonë se nuk mund të mbash shalqinjtë me një dorë) e realizuar në vitin 2012 derisa qëndron në një urë.
Veprat artistike konsiderohen veglat e artistëve për të dërguar mesazhe. Artisti Driton Selmani shpesh me artin e tij ka trajtuar çështjet e urgjencave të natyrës, veçmas me “Letrat e dashurisë”. Ato janë disa prej veprave që e identifikojnë krijimtarinë e tij. Artin në qeset e plastikës e ka ekspozuar edhe në Budapest. “Past, present, future” dhe “Three times yes” janë vepra minimaliste të tij. Vepra “Where?” e vitit 2023 ngre pyetje për publikun dhe ironizon. Ngjyra e zezë në qese ngjyrash të ndryshme është forma e komunikimit. “Do të pajtohesha me ty, por pastaj të dy do të gaboheshim” vjen si ironi. Tjetra pyet se “Ku do të kalosh përjetësinë?”
Tejet unike dhe që bie në sy është vepra “Hopes & Fears”. Një xhaketë me dy palë mëngë është vendosur në një varëse metalike. Vepra e realizuar në vitin 2020 duket se lë hapësirë për një tjetër person jo vetëm shpirtërisht. Porse kur vjen shprehja tek emërtimi ngjan se shpresat janë pritja për të larguarit dhe frika për moskthim.
Artisti Selmani ka thënë se ekspozita ka qenë e konceptuar të zhvillohet në dy hapësirat ku fondacioni “Kahàn” vepron. Pra në Vjenë dhe në Budapest. Sipas tij, ekspozita flet edhe për veprimet e shoqërisë në kohën e zhvillimeve politike të kësaj kohe.

“Dallimi mes Vjenës dhe Budapestit është se edhe pse në aspektin kohor ka shumë pak ndryshim, në aspektin e kontekstit kulturor dhe social është një audiencë më ndryshe nga ajo e Vjenës. Po ashtu ekspozita vjen në një konstelacion ndryshe, forma e secilës ka një lidhje edhe me të ‘tashmen’. Një kohë që na flet shumë mbi rëndësinë e asaj që ne si individ, por edhe si shoqëri bëjmë dhe veprojmë në kohë trazirash dhe terrori global”, ka thënë artisti Driton Selmani, derisa i referohet titullit të ekspozitës.
“Duke u kthyer te vetë titulli: A është gjithçka çka ne bëjmë, më të vërtetë brilante? Pikërisht këtu arti duhet të kryejë një ndërprerje të perceptimit të zakonshëm”, ka vazhduar artisti Selmani.
Dy guaska breshkash, që e përbëjnë veprën “Binum Silentium” (2021), artisti i ka bashkuar dhe i ka vendosur në dyshemenë e galerisë. Aty është edhe një tjetër vepër, e cila përbëhet prej një druri artizanal dhe që artisti e emërton “Zeitgeist” e punuar në vitin 2019.
Sipas artistit Selmani, “problemi qëndron te përcaktimi i ndërprerjes estetike, të cilat mund të transformojë jetën tonë, se si ky boshllëk mund ose nuk mund të na sigurojë mjete për të luftuar problemet tona”.
Në veprën “Howl” shton një dozë të poetikës në veprat e tij. “Më shumë poetë, më pak poezi. Më pak poezi, më shumë dramë. Më shumë dramë, më pak poetë”, është pjesa tekstuale në pllakatin e lëshuar në tokë. Një tjetër element në veprat e Selmanit, që shpesh e përfshin, është ndërlidhja e veprave me konceptin e teknologjisë. Figura e valëve dhe baterisë së telefonit, bashkë me orën janë prej atyre që Selmani në një tjetër ekspozitë kolektive të personelit të Fakultetit të Arteve kishte bërë të ditur se ato janë portretizim i publikut që gjithmonë ka fokusin në këto tri gjëra në celular. Në këtë mënyrë, vepra shndërrohet në një ekran kur merr tjetër dimension me përfshirjen e këtyre ikonave.
Artisti Selmani ka thënë se pozicioni i tij artistik është zbulimi i dinamikave toksike që duken të natyrshme.
“Pozicioni im si artist është një refuzim për të përjetësuar një sjellje që duket të jetë e natyrshme, por në fakt krijon një dinamikë toksike. Dyshimi i fenomeneve përreth është një mënyrë për të ndryshuar veten, dhe nëpërmjet kësaj për të ndryshuar të gjitha marrëdhëniet që njerëzit kanë me te tjerët. Marrëdhëniet kanë aftësinë për të transformuar botën, pasi ato gjithmonë përfshijnë fuqinë, e cila në shume raste është dëshmuar si mjet i cili na dërgon te brilanti i çmendurisë sonë”, ka thënë Selmani nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim.

Një seri tjetër me vizatime prej tri veprash “Fig. Drawings”, ngjan në skica minimaliste. E krejt ekspozitën e mbulojnë tingujt e veprës “These stories”, që sikur e kompletojnë atë dhe e bëjnë artistin të kapë edhe një tjetër medium të artit.
Deri në momentin e hapjes së ekspozitës, bashkëpunimi me “Kahan Gallery” kishte zgjatur një vit.
“Në krye të praktikës artistike të formave të ndryshme mediatike të Driton Selmanit – që përfshijnë gjithçka, duke filluar nga objektet, videot, instalacionet, fotografitë dhe ndërhyrjet në hapësirën publike) janë çështjet e ndërtimit të identitetit (kombëtar), dualiteti midis individit dhe kolektivit, mes kujtesës dhe historisë. Ekziston dyshimi i pranishëm në të gjitha realitetet e dhëna. Procesi i tij krijues drejtohet nga përballja me historinë e tij personale, e cila shënohet shprehimisht nga historia e vendit ku ai u rrit”, ka thënë kuratorja e ekspozitës, Hana Ostan Ožblot. E lindur në Lubjanë, ajo ka punuar në fushën e artit bashkëkohor si kuratore, shkrimtare dhe producente. Veprimtarinë e saj e ka shtrirë në Lubjanë dhe Berlin. Ajo ishte nismëtare e “HOoST”, një platformë që synonte mbështetjen dhe promovimin e artistëve vendas në zhvillim. Në vitet e fundit, ajo u përfshi në shumë në proceset e të punuarit në ekspozita.
E njëjta ekspozitë e kuruar nga Hana Ostan Ožblot është hapur në Vjenë, më 7 qershor dhe qëndroi e hapur deri në fund të gushtit. Atë kohë, artisti e kishte cilësuar kuratoren si një nga zërat më interesantë artistikë e poetikë nga rajoni i gjerë i Evropës Juglindore. Ajo e kishte kuruar edhe ekspozitën tjetër personale të Selmanit – “Places we leave behind” në selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Sllovenisë, në kryeqytetin slloven, njashtu sikurse dhe ekspozitën kolektive “Double Eall of Silence” në “Škuc/Hestia”, në Beograd, po atë vit.
Selmani i lindur më 1987 ka përfunduar studimet master në Universitetin e Arteve në Bournemouth. Sipas kritikës i qaset idesë së realitetit të perceptuar duke zbërthyer formacionet shoqërore, politike dhe tema kulturore që janë mishëruar rreth tij. Në moshë të re, ai kishte thënë se adhuronte një vend që nuk ekzistonte më, gjë që bëri që ai të formonte bazën e skepticizmit ndaj çdo realiteti të supozuar.
Më vonë ai e përdori këtë si një mjet të dobishëm për të rindërtuar besimet e tij në artefakte pamore. Ka ekspozuar individualisht dhe në grup, si në qendrën për art bashkëkohor “Stacion” në Prishtinë, në muzeun “Ludwig” në Budapest, në “Kunstraum Niederosterreich” në Vjenë, në “Bienalen e Mesdheut 16” në Ankona, “U10” në Beograd, “Fabbrica del Vapore” në Milano, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në Qendrën e Artit Bashkëkohor në Selanik, në “Manifesta 14” në Prishtinë, në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup, në Galerinë e Arteve në Podgoricë, “Salon Galič” në Split, “LambdaLambdaLambda”, në Prishtinë, në “Tallin Print Trienale” në Estoni, MAXXI në Romë, në “Škuc Gallery” në Lubjanë e të tjera.
Së fundi artin e tij e ka eksploruar edhe publiku austriak e hungarez në hapësirat e “Kahan Gallery”.
{gallery}