Norrköping, Suedi, 31 tetor – Kori “Siparantum” i Kosovës pak minuta më parë ka triumfuar në “Lojërat Evropiane të Koreve” në Norrköping të Suedisë, ku ka marrë medalje të artë në kategorinë më të lartë e garave – atë për Çmimin e Madh të Kombeve. Ka zënë vendin e dytë me 85.38 pikë në seksionin e koreve të të rriturve. Vendin e parë e ka marrë kori norvegjez.
Ky është sukses i jashtëzakonshëm, pasi është prezantimi i nivelit më të për këtë formacion koral, e për çmim janë kualifikuar vetëm tri kore: bashkë me “Siparantumin” dhe ai norvegjez “Volve Vokal”, dhe “Den Akademiska Damkören Linnea” i Suedisë.
Garat e mbajtura në Norrköping kanë bashkuar mbi dy mijë koristë të 63 koreve nga 25 vende të ndryshme të botës.
“Siparantumi” në garë është prezantuar me veprat shqipe “PAX” të kompozitorit, Memli Kelmendi e “Pakëz në ëndërr pakëz në zhgëndërr” të Baki Jasharit, sikurse edhe me “Te na solbici” të Samo Volk dhe “Atsalumst” të Jekabs Jancevskis.
Për “Siparantumin”, ky është suksesi i radhës pas atij në korrikun e sivjetmë në “World Choir Games” në Kore të Jugut, ku mori dy medalje të arta në nivelin më të lartë garues në edicionin e 12-të të asaj gare. U shpall fitues absolut në të dyja kategoritë ku kishte garuar; atë të Muzikës Bashkëkohore dhe të Korit të Përzier.
Në Suedi, vetëm pjesëmarrja qe një triumf më vete, pasi me interpretim ngriti në këmbë publikun e jurinë, e çmimi që mori të martën ka ardhur si vulosje e profesionalizimit të “Siparantumit”, i cili tashmë është kori i skenave botërore.