Kulturë

“The Handke Project” do t’ia heqë maskën mohuesit të gjenocidit në Teatrin e Luftës

The Handke Project
Në kuadër të shfaqjes “The Handke Project” me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, personazhi Peter Handke do të rrëfehet në Teatrin e Luftës që më 1992 u themelua si institucion ku arti i bënte ballë Sarajevës së rrethuar
 

Sarajeva sot (e martë) do të jetë “nikoqire” e një laureati të çmimit “Nobel” për letërsi të cilin prej vitit 2019, e ka shpallur “persona non grata”. Shkrimtari austriak, Peter Handke, si personazh shfaqjeje do të shkojë në zemër të kryeqytetit të Bosnjë e Hercegovinës. Në realitet në pranverën e vitit 2021, ishte në Banja Llukë, ku bashkë me liderët e Republikës Serbe përuroi shtatoren kushtuar atij. Aty edhe shfrytëzoi rastin që prapë ta rendisë veten si mohues i gjenocidit të kryer nga Serbia në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8 mijë civilë. Por tash si personazh do të hyjë në një institucion të krijuar bash në kohën kur Bosnjë e Hercegovina po përballej me luftën e Serbisë të udhëhequr nga Slobodan Millosheviqi.

Në kuadër të shfaqjes “The Handke Project” me tekst të Jeton Nezirajt e regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt, personazhi Handke do të rrëfehet në Teatrin e Luftës që më 1992 u themelua si institucion ku arti i bënte ballë Sarajevës së rrethuar. Personazhi Handke në kuadër të Festivalit ndërkombëtar të teatrit, “MESS” në edicionin e tij të 63-të do të rrëfejë se si ka mësuar të mohojë gjenocidin, si gënjen publikisht, çfarë pyetje duhet ngritur për të heshtur dyshime mbi gjenocidin e si mund t’ia dalë që të mohojë një varr edhe kur gjendet mbi të. Këtë do ta bëjë tri ditë para shpalljes së laureatit të ri të “Nobelit” për letërsi.