Transformimi i vendlindjes së Hitlerit në stacion policor ngjall reaksion

Shtëpia e çuditshme prej guri është veshur me ngjyrë bezhë të lehtë. Shufrat e hekurit bllokojnë dritaret në katin e parë. Një stacion autobusi bie në sy dhe pranë tij zë vend një gur i lartë përkujtimor. “Për paqen, lirinë dhe demokracinë. Kurrë më fashizmi. Miliona të vdekur na e kujtojnë”, thuhet në mbishkrimin e skalitur. Adolf Hitleri, diktatori i Rajhut të Tretë, u lindi në këtë shtëpi.
Vetëm kjo e bën atë dhe qytetin austriak Braunau am Inn të rëndësishëm.
Edhe 78 vjet pas vetëvrasjes së Hitlerit në bunkerin e Kancelarisë së Rajhut në Berlin – me të cilën ai iu shmang çdo përgjegjësie pak para dorëzimit pa kushte të ushtrisë gjermane – ka ende diskutime rreth përdorimit të vendlindjes së tij.
Austria po vuan me njohjen e vendit të pelegrinazhit neonazist dhe do të donte ta hiqte qafe atë.
Kjo është arsyeja pse një stacion policie tani do të zërë vend aty, por kjo po has në rezistencë.
“Shndërrimi në stacion policor është sinjali krejtësisht i gabuar, një shuplakë në fytyrën e viktimave”, ka thënë filmbërësi Gunter Schwaiger. 58-vjeçari ka bërë një dokumentar për vendlindjen e Hitlerit të titulluar “Kush ka frikë nga Braunau?”- që ka marrë goxha vlerësime.
Që nga fillimi i shtatorit, filmi në të cilin Schwaiger punoi për pesë vjet, është shfaqur në kinematë austriake dhe do të shfaqet në “Hofer Filmtage” në Gjermani në fund të tetorit.
“Braunau nuk është qytet ngjyrëkafe. Krejt e kundërta”, ka thënë Schwaiger duke iu referuar ngjyrës kafe që përdoret për të përshkruar nazistët.
Fakti që Hitleri u lind këtu i detyron njerëzit të përballen me të kaluarën më shumë se kudo tjetër. “Nuk ka nevojë të kesh frikë nga Braunau dhe sigurisht jo nga njerëzit”, ka thënë filmbërësi.
Ndërkohë, shoqata e qytetarëve “Bürgerinitiative Diskurs Hitlerhaus” (Diskursi i nismës qytetare për Shtëpinë e Hitlerit) po bën stuhinë kundër planeve të Ministrisë së Brendshme austriake.
“Efekti simbolik do të ishte katastrofik”, ka thënë zëdhënësja Eveline Doll. Ajo ka thënë se policia ka luajtur rol të dyshimtë gjatë epokës naziste. “Përveç kësaj, ka shumë ide dhe sugjerime të mira se si ta përdorim këtë shtëpi në mënyrë inteligjente dhe të përgjegjshme për sa i përket historisë bashkëkohore”.
Kërkimi për përdorim “të përshtatshëm” kthen pas në kohë. Pas aneksimit të Austrisë nga Rajhu gjerman në vitin 1938, Partia Naziste mori vendlindjen e “Führerit” të tyre dhe e shndërroi në qendër kulturore.
Pas luftës, ajo u kthye te ish-pronarët. Shteti u bë qiramarrës dhe që nga ajo kohë ajo shpërbeu ndonjëherë si bibliotekë, ndonjëherë si shkollë dhe përfundimisht si punëtori për njerëzit me nevoja të veçanta.
Vendlindja e Hitlerit është bosh që nga viti 2011. Në vitin 2016, Austria e shpronësoi atë nga pronësia private për të parandaluar që ajo të përvetësohej nga neonazistët.
Por cila është zgjidhja? Vendi krijoi një “Komision mbi Trajtimin Historikisht Korrekt të Vendlindjes së Adolf Hitlerit”. Në raportin e tij përfundimtar, komisioni, i cili përfshinte edhe historianë dhe politikanë, thoshte: “Miti i Fuhrerit dhe kulti i Fuhrerit ishin dhe janë pjesë e tregimit thelbësor për Hitlerin”.
Është esenciale, thoshte raporti, të “depërtojmë në simbolikën e faqes” përmes një “përdorimi bamirës në aspektin shoqëror ose për përdorim si zyrë administrative”. Projektet edukative dhe ekspozita të historisë bashkëkohore “u dekurajuan”.
“Ishte gjithmonë çështja që kjo shtëpi të mos bëhej një vend pelegrinazhi për nazistët”, ka shpjeguar Oskar Deutsch, president dhe anëtar i Komunitetit Hebraik të Vjenës.
Ai ka thënë se mund të ishin imagjinuar përdorime të tjera për ndërtesën. Megjithatë, duhet theksuar se “këtu synohet një stacion policor i një shteti demokratik kushtetues, detyra e të cilit është, ndër të tjera, të ndërmarrë veprime kundër rihyrjes në fuqi të nacional-socialistëve”. Ky qëllim u nda përfundimisht nga të gjithë ata që ishin përfshirë.
Në mars, “Diskurs Hitlerhaus” kishte një mijë austriakë të anketuar nga Instituti i Tregut në Linz. Më shumë se gjysma (52 për qind) ishin në favor të krijimit të një “institucioni që do të merrej tematikisht me nacional-socializmin, kujtimin, antifashizmin, tolerancën dhe paqen”, përderisa 23 për qind ishin në favor të shkatërrimit, dhe vetëm gjashtë për qind ishin në favor të zhvendosjes aty të policisë.
Shoqata në Vjenë “Miqtë austriakë të Yad Vashem” do të shfaqin ekspozitën permanente udhëtuese “Të drejtët — guximi është një çështje zgjedhjeje” në vendlindjen e Hitlerit.
Ekspozita prej 400 metrash katrorë përkujton njerëzit e guximshëm që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit. Së fundi, ekspozita u hap në qytetin austriak St. Polten.
“Kjo ide është një bazë për diskutim”, ka thënë zëdhënësi i shoqatës, Georg Schuster, disi me kujdes. “Nëse propozimi nuk kapet, kjo është në rregull”.
Pra, me sa duket, asgjë nuk e pengon rrugën e konvertimit 20 milionë eurosh në stacion policor. Aty është planifikuar gjithashtu një dhomë trajnimi, ku do të edukohen punonjësit e policisë për të drejtat e njeriut.
Punimet e ndërtimit do të fillojnë në fillim të tetorit, por diskutimi rreth vendlindjes së Hitlerit në Braunau ka të ngjarë të vazhdojë.
Folegj: Konvertimi 20 milionë eurosh në stacion policor i shtëpisë së lindjes së diktatorit famëkeq përfshin edhe një dhomë trajnimi ku do të edukohen punonjësit e policisë për të drejtat e njeriut
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.