Tinguj të përditshëm kanë kapluar oborrin e asaj që është kthyer në “Rezidenca 17” në kryeqytet. Nëpërmjet ekspozitës së artit tingullor është provuar fuqia e tyre. Ka rezultuar në udhëtime imagjinare nëpër horizonte që nuk njohin kufij. Botë më vete ka qenë secila hapësirë përreth gjashtë trungjeve ku kanë qenë të vendosur veprat e gjashtë artistëve të rinj.
Secila gjurmon tingujt artistikë që i japin hapësirë publikut të eksplorojë në artin relativisht të ri në skenën vendore artistike. Prapaskenë e rezultateve të ekspozitës, që më pas ka rezultuar edhe me koncert, ka qenë punëtoria “Explore Sound Art and Installation” që u mbajt prej 8 deri më 14 shtator. Në kuadër të saj, secili pjesëmarrës ka pasur mundësinë të zhvillojë muzikën unike. Një prej qëllimeve të nismës ka qenë njohja e publikut me këtë lloj arti.
Udhëheqësi i saj, kompozitori e ligjëruesi Liburn Jupolli, ka thënë se pjesëmarrësit kanë mësuar për platformat e audios për koncepte e metodologji të muzikës elektroakustike. Për të ekspozita e hapur të mërkurën ka qenë një prej të parave të këtij lloji.
“Mund të them se është një prej ekspozitave të para të dedikuara për art tingullor. Natyrisht ka pasur elemente të artit tingullor edhe më herët, ka pasur vepra të ekspozuara brenda ekspozitave vizuale në përgjithësi, mirëpo një ekspozitë e dedikuar vetëm për art tingullor kjo mund të jetë një prej fillesave të para. Unë jam shumë i interesuar ta shtyj përpara këtë punë më tutje, siç janë edhe studentët dhe pjesëmarrësit sot në koncert”, ka thënë Jupolli, derisa ka treguar se për një kohë të gjatë ka dashur të merrej specifikisht me një punëtori të tillë dhe se mbështetjen e ka gjetur te fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” në kuadër të programit të të cilit është mbajtur aktiviteti.
Jupolli ka thënë se është dashur hulumtim paraprak i burimeve të tingullit dhe se përgjatë kësaj periudhe kanë mësuar për softuerët e audios, për konceptet dhe metodologjitë që lidhen me këtë art. Sipas tij, ekspozita është prej të parave që përfshin këtë lloj arti.
Kreativiteti i kompozitorëve të rinj ka bërë që tingujt e përditshëm të vijnë në version të tillë që ndihen më thellë. Kur manipulohen, shpesh perceptohen ndryshe apo shkojnë aq larg sa krijojnë ngjarje abstrakte.
E tillë ka qenë vepra “Abstrakt” e Fjolla Gashit, që tingujt e zakonshëm i deformon deri në atë pikë sa vështirë dallohet burimi i tyre.
Gashi ka thënë se ky lloj arti lë vend që përmes idesë imagjinare ta shëtisë publikun me artin e tingullit.
“Veprat, sidomos të muzikës elektroakustike, janë shumë interesante te burimet e tingujve. Unë veprën time e kam quajtur ‘Abstrakt’ dhe si koncept themelor e kam pasur krijimin e një ideje imagjinative. Për shembull kur ne jemi vetëm, mendja me fuqinë e saj na udhëton në vende të ndryshme, mendojmë gjëra të ndryshme. Të gjitha këto ide janë thjesht imagjinative. Të gjitha burimet e tingujve për këtë vepër janë burime konkrete të cilat ne i shohim, i prekim”, ka thënë kompozitorja e re, Fjolla Gashi.
Disa prej veprave vijnë më natyrshëm kur tingujt janë më dallues, porse kombinimi mes tyre krijon melodi unike. Veçmas kur atmosfera e ambientit bëhet një me to dhe sikur u shton efekte veprave.
Dea Ahma sjell botën pak të eksploruar hapësirat nënujore me veprën “Underwater”. Qetësia e detit dhe errësira në thellësinë e tij deri në atë pikë sa mungon sensi mes ditës dhe natës, janë prej ndjesive që sjell.
“Vepra kryesisht është inspiruar në akustikën e ujit apo siç njihet ndryshe hidroakustika. Duke qenë se ne jemi banues të tokës dhe një mjedis i tillë për ne mund të jetë supozim se si mund të tingëllojë, me imagjinatën time jam munduar që përmes tingujve që kam incizuar në tokë në fakt, si tinguj të natyrës, tinguj të vetëkrijuar prej metali, qelqi, me ndihmën e programeve softuerike, t’i modifikojmë në atë formë që të japin atmosferën e tingujve të ujit”, ka thënë Ahma.
Vepra “What ends why and why ends what” e Fitim Hazirit është përcjellë me goditje të njëpasnjëshme të lehta dhe shpesh më të zëshme e të papritura. Me “Garden”, Antonio Junçaj ka zbuluar muzikën elektroakustike që burim ka botën e gjallë në natyrë e tingujt që krijohen prej bimëve. Vepra e patitulluar e Kreshnik Arifit krijon situata tensioni me zhvillimet në komunikacion prej të cilave esenca e jetës mund të vihet në pikëpyetje.
Arjona Aliu në veprën e saj “Everyday” ka përfshirë tingujt të përditshëm të cilëve ua ka shtuar sensin e ndjenjës së tyre.
“Është e përbërë prej tingujve që i dëgjojmë gati çdo ditë, siç është zhurma e derës, e gotës së çajit që është e pranishme në familjet shqiptare, zhurma e letrave, e ndërprerësit të dritës, e skarës. Zakonisht janë tinguj që unë i dëgjoj çdo ditë. Përmes këtyre tingujve dhe efekteve kam sjellë tinguj të rinj. Është hera e parë që punoj me artin tingullor, është eksperiencë shumë interesante për mua që ta kuptoj më mirë botën e artit tingullor”, ka thënë Aliu.
Mozaiku i krejt ekspozitës është bërë bashkë në koncertin elektroakustik me autorët e veprave që të mërkurën në oborrin e ish-shtëpisë së shkrimtarit Hivzi Sylejmani janë prezantuar si “Liburn Jupolli Ensemble”. Të udhëhequr nga mentori i tyre Liburn Jupolli, gjashtë interpretuesit, të cilëve iu bashkua edhe Galdon Reçica në kitarë, krijuan një lloj orkestre të muzikës elektroakustike.
Punëtoria si rrjedhojë rezultoi me dy vepra të kompozuara të këtij lloji të muzikës, që u prezantuan për herë të parë. “Synth Etude #1” dhe “Cobracrobatic” për shtatë laptopë, muzikë elektronike dhe efekte ka zhvilluar ngjarje prej më të ndryshmeve duke e zhvendosur nga një kënd në tjetrin. Krejt bashkë kanë kulmuar shpesh e duke zhvilluar kontrastet e situatave të qeta e dramatike.
Artin e tij tingullor Jupolli e ka eksploruar për publikun me interpretimin e veprave të tij origjinale, në njërën prej të cilave, atë me titull “Golden Horizonts”, magji hodhi Zana Abazi me tinguj flaute. Kur tingulli në sfond u bë minimal, ishin pikërisht tinguj e instrumentit që e mbanin vijën e dinamizmit të veprës. “Cyborg Dawn” ka nisur me tingujt e deformuar të fishkëllimave që krijonin një ngjarje tensioni. Në një pjesë ka ngjarë që në tinguj abstraktë janë përfshirë edhe ata të defekteve në zërim derisa një tingull përcjellës ka vazhduar në prapavijë duke dhënë ngjyra tensioni.
Zhurma e lëvizjes së veturave, sirenat e tyre, lëvizja e gjetheve e zhurma që krijohej nga hedhja e hapave mbi gjethet e thara në oborrin e ish-shtëpisë së shkrimtarit Hivzi Sylejmani, në lagjen ”Taukbahçe”, e kanë bërë edhe më intensive lojën e ansamblit tek shtoheshin efekte në interpretimin e tyre.
“Boarding 803”, “Dardanian Distopia”, “Fractal Spiraldome” dhe “Urban Ocean” e “Crystal Caves” kanë qenë vepra bashkëkohore të kombinuara me tinguj realë dhe muzikë elektronike. Në eksplorimin të tyre u futën edhe tingujt e kitarës së Goldon Reçicës që të deformuar kanë krijuar perceptime të ndryshme për ta. Në njërën prej pjesëve është përfshirë edhe një fjalim për muzikën ku shoqërohej me shaka e të qeshura të publikut që përziheshin shpejt me tinguj elektronikë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.