Vjen si shfaqje që prek një prej masakrave që kanë bërë bujë në botë. Atë të 28 marsit 1999 në Podujevë. Copëzat e asaj që ka ndodhur, në shfaqjen e Teatrit të Gjilanit me autore britaniken Sarah Hehir dhe nën regji të polakes Nastazja Domaradzka, vijnë në një performancë multimedia. Faktet qenë të qarta: gjatë bombardimeve të ish-Republikës Federale të Jugosllavisë më datë 28 mars 1999, njësiti serb “Skorpionët” në aksion të spastrimit etnik të shqiptarëve nga Podujeva vranë 14 anëtarë të familjeve Bogujevci dhe Duriqi. Mbi të gjitha, “Kopshti i hijeve” është një thirrje për të mos harruar
Janë karaktere fëmijësh të zhytur në lojërat e tyre. Në moshën në të cilën, në kushte normale, pos lojërave hamendësojnë dhe ëndërrojnë për të ardhmen. Gjenden në një kopsht dhe pavarësisht rrethanave të luftës, nganjëherë humbin në botën e fëmijëve. Por, kjo nuk u zgjat shumë. Shpejt përballen me skenar të tmerrshëm. Pak prej tyre mbijetojnë. Pa kronologji të rrjedhshme e pa inskenim direkt të asaj që kanë përjetuar familjet Bogujevci e Duriqi.
“Kopshti i hijeve” vjen si shfaqje që prek një prej masakrave që kanë bërë bujë në botë. Atë të 28 marsit 1999 në Podujevë. Copëzat e asaj që ka ndodhur, në shfaqjen e Teatrit të Gjilanit, me autore britaniken Sarah Hehir dhe nën regji të polakes Nastazja Domaradzka, vijnë në një performancë multimedia. Është prej atyre dramave dokumentare. Faktet qenë të qarta: gjatë bombardimeve të ish- Republikës Federale të Jugosllavisë më datë 28 mars 1999 njësiti serb “Skorpionët” në aksion të spastrimit etnik të shqiptarëve nga Podujeva vranë 14 anëtarë të familjeve Bogujevci dhe Duriqi. Prej tyre 7 fëmijë dhe 7 gra. Me atë rast u plagosën rëndë Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci nga familja Bogujevci. Që të gjithë fëmijë. Pas luftës ata do të trajtoheshin në Manchester dhe do të dëshmonin në gjykatë për ato që u kanë ndodhur duke u bërë fëmijët e parë në një rast të tillë të drejtësisë.
Shfaqja pikësëpari e sulmon harresën. Me një skenografi krejt të thjeshtë, ngjarja zhvendoset sa në kopshtin ku ka ndodhur ngjarja, sa në gjykatë e deri në Manchester. Fjalimi historik i presidentit të asokohshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, është aty. Ato sekuenca zgjojnë shpresë te fëmijët pasi më 24 mars po niste fushata ajrore e NATO-s për të ndalur krimet e Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës. Por, katër ditë më vonë dy familjet podujevase do ta pësonin.
Traumat e atyre ditëve bashkë me ato të mëvonshme vijnë nëpërmjet shfaqjes. Është një performancë që shkon deri te pamfleti që bën thirrje për të mos e harruar atë që ka ndodhur. Situatat duke dëshmuar para gjykatës mund të duken më emocionalet. Por, krejt skenat bashkë rrumbullakojnë një tragjedi njerëzore.
“Ne duhet të jetojmë dhe të tregojmë storiet tona. Storiet e familjeve në luftë janë treguar duke parë ushtarë. Por, historia e familjes Bogujevci është histori e kërkimit të drejtësisë, një histori për të vërtetën dhe dashurinë e familjes. Struktura e shfaqjes nuk është lineare. Ne tregojmë shumëçka. Memoria, dashuria e të tjerat nuk shkojnë vetëm në një drejtim”, ka thënë shkrimtarja, dramaturgia e poetja Sarah Hehir. Me historinë e Bogujevcëve ajo ishte njoftuar në Manchester. Hehir, e cila është dramaturge e suksesshme që shkruan për BBC-në, ka thënë se pos publikut vendor edhe ai ndërkombëtar duhet ta shohë këtë shfaqje dhe historitë e tjera sikurse ajo e familjes Bogujevci.

Ndërsa për regjisoren e shfaqjes – e cila ka realizuar edhe të tjera shfaqje në Kosovë – qëllimi ka qenë që karakteret të mos jenë ato që bartin personazhe të familjes.
“Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që të mos jetë një rishfaqje e traumave e masakrës që ka ndodhur, por të jetë më shumë një adaptim teatror i asaj që ka ndodhur dhe luftës. Ideja ka qenë që të ketë një ndërlidhje me audiencën dhe të krijohet ndjenja se ata nuk po shohin karakteret në skenë, por po shohin aktorë që po bartin një storie, në këtë rast të familjes Bugujevci”, ka thënë regjisorja Nastazja Domaradzka.
Aurita Agushi, Blendi Arifi, Emine Toska, Fitore Jashari, Gani Rrahmani, Kushtrim Qerimi, Qëndrim Kqiku e Safete Mustafa-Baftiu si aktorë futen në role të ndryshme gjatë performancës. Nganjëherë edhe në rolin e dy të mbijetuarve që kishin përballë si publik, Saranda e Jehona Bogujevci.
“U preka shumë nga shfaqja. Është e realizuar shumë mirë. Faleminderit nga Sarah e aktorët! U preka shumë dhe më pëlqeu mënyra se si e kanë realizuar dhe e kanë treguar historinë tonë. Jam shumë falënderuese”, ka thënë Jehona Bogujevci. Sipas saj, arti duhet të trajtojë këto tema në mënyrë që të luftohet harresa.
Pikërisht për harresën ka folur edhe dramaturgu Jeton Neziraj kur ka folur për shfaqjen. Ka thënë se në këtë kohë, kur kujtesa për mizoritë e luftës, për vuajtjet e njerëzve të pafajshëm, ka nisur të venitet, kjo shfaqje vjen jo vetëm si dëshmi e asaj kohe, por edhe si mësim, që memoria njerëzore duhet të mirëmbahet e kultivohet.
“Përndryshe, ato mizori dhe ato vuajtje do të përsëriten sërish. Në këtë drejtim, po, kjo është një shfaqje e rëndësishme, me një temë të rëndësishme”, ka thënë ai.
Në këtë linjë është edhe drejtori i Teatrit të Gjilanit, regjisori Erson Zymberi. Ai ka thënë se vazhdon të mendojë fuqishëm se dokumentimi i historisë duhet medoemos të përfshihet në politikat e programet kulturore në teatrot vendore. Në këtë rast ka përmendur gjeneratat e reja.
“Është një gjenerate e re e cila po rritet pa e njohur mjaftueshëm të kaluarën tonë, një gjeneratë e epokës digjitale, një gjenerate e cila meriton ta shohë një të kaluar edhe jo shumë të largët, e ku më mirë se nëpërmjet teatrit, filmit e formave tjera të artit mund ta bëjmë këtë”, ka thënë ai.
Në premierën e së mërkurës mbrëma ka pasur goxha edhe të rinj. Asi që janë lindur në ditët e para të pasluftës, ku kanë mbetur të vrarë mbi 10 mijë civilë. Prej tyre mbi një mijë fëmijë. Zymberi ka thënë se shfaqja “Kopshti i hijeve” është një arritje artistike, një dokumentim real dhe më se i nevojshëm i ngjarjes së masakrës së familjes Bogujevci.
“Kjo u pa edhe në emocionet që dha shfaqja dhe duartrokitjet e gjata që mori ajo”, ka thënë Zymberi.
Në domenin publik lufta përmendet shpesh nga politikanët, ushtarakët dhe rrallë del në pah ndonjë përjetim i fëmijëve. Shfaqja ka pasur mbështetjen e plotë të familjes Bogujevci.
“Ne besojmë fuqishëm se përgjigjja më e fuqishme ndaj së keqes dhe padrejtësisë është ta ndajmë historinë tonë. Kështu ne synojmë ta ruajmë historinë tonë të drejtësisë. Ky interpretim teatror është veçanërisht domethënës duke hedhur dritë mbi jetën tonë para dhe pas masakrës, jo vetëm mbi ngjarjen”, do t’i thoshte Fatos Bogujevci ekipit të shfaqjes. Tash me vendbanim në Manchester, ai në kohën e masakrës ishte 15 vjeç. Si shfaqje multimediale aty zë vend nganjëherë edhe zëri i Fatos Bogujevcit.
“Kopshti i hijeve” ka marrë titullin nga hapësira ku ka ndodhur ngjarja. Masakra ishte bërë në oborrin e Halim Gashit. Ekipi e ka gjetur një mënyrë mjaft bashkëkohore për ta rrëfyer historinë e për ta bërë atë të prekshme edhe për gjenerata e reja.
Përtej një shfaqjeje të zakonshme, që shpesh inskenohen në teatrot vendore, “Kopshti i hijeve” i bën vend pak më ndryshe një prej historive më të tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë. Si realizimin skenik në shumicën e rasteve u ikën parullave nacionaliste të kohës së luftës. Vjen si një dëshmi e adaptuar për të treguar histori. Aso historie që nëpërmjet teatrit ofron tjetër ndjeshmëri. Mbi të gjitha, për të mos harruar.