Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit e Shqipërisë, Zana Çela, në një takim me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, kanë diskutuar për ecurinë e sezonit turistik dhe performancën e evenimenteve artistike e kulturore, që u ndërlidhën përmes aplikacionit TEA.
Siç raportojnë mediat e Shqipërisë, gjatë takimit të zhvilluar në Bashkinë e Shkodrës, Çela dhe Beci kanë diskutuar edhe për Kalendarin Kombëtar të Eventeve të Turizmit Kulturor dhe Traditës, si një nga risitë e këtij sezoni.
“Ky kalendar ka pasur një kontribut të prekshëm dhe të drejtpërdrejtë në pasurimin e ofertës turistike jo vetëm të rajonit të Shkodrës, por të gjithë Shqipërisë me aktivitete që promovuan festat lokale, kulinarinë, historinë dhe traditën”, citohet të ketë thënë Çela.
Drejtoresha e AKT-së ka thënë se “si qytet i traditave të bukura, Shkodra duhet të jetë një pol i rëndësishëm i turizmit kulturor”.
“Dakordësuam që eventet e kalendarit turistik të organizohen në dobi të rritjes së audiencave turistike, me bindjen se Shkodra përcjell një pritshmëri të lartë edhe për sezonin turistik të vitit të ardhshëm”, ka thënë Çela.
TEA është aplikacioni i parë i krijuar në Shqipëri, si kalendari i parë digjital për evenimentet e turizmit kulturor, sporteve dhe të traditës, i disponueshëm në “Apple Store” dhe në “Play Store”.
Në aplikacionin TEA pasqyrohen evenimentet e kategorive të ndryshme si “Art Fest”, “Trashëgimi Kulturore”, “Festivale Muzikore”, “Sport, Koncerte”, “Folklor”, “Festa Lokale”, “Arte Pamore”, “Agroturizëm e Kulinari” dhe “Teatër”.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.