Largim nga shërbimi publik, është masa disiplinore që i është shqiptuar Enver Rexhës, deri tash drejtor i Institutit Arkeologjik të Kosovës. Komisioni disiplinor i Ministrisë së Kulturës ka marrë vendim për shkarkimin e Rexhës duke u dhënë të drejtë të gjithave pretendimeve nëpërmjet të cilave ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e kishte dërguar Rexhën në procedurë disiplinore. Rexha, i cili tash ka deponuar një kallëzim penal ndaj ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ka paralajmëruar ankesë ndaj vendimit të Komisionit Disiplinor e po ashtu ka thënë se këtë lëndë do ta dërgojë edhe në gjykatë.
Historia e përplasjeve midis Rexhës e Çekut nuk është e re. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në ditën e 28-të të gushtit ka bërë kërkesë për procedim disiplinor ndaj drejtorit të IAK-ut, Enver Rexha. Përderisa më 4 shtator Rexha kishte deponuar kallëzim penal kundër ministrit Çeku në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Beteja e parë e zhvilluar në këtë “dramë” është e fituar nga ministri Çeku. Komisioni disiplinor në përbërje të kryesueses Xhejlane Hoxha dhe anëtarëve Taulant Balaj, Vesel Hoxhaj, Gentiana Kryeziu e Dafina Bacaliu i ka dhënë të drejtë secilit pretendim të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.
Sipas Komisionit, Rexha është gjetur përgjegjës për mungesë të zbatimit efikas të detyrave në administrimin e plotë të IAK-ut dhe zbatimin e politikave programore të përcaktuara nga MKRS-ja. Sipas vendimit, është vërtetuar se Instituti Arkeologjik i Kosovës ka dështuar të zbatojë aktivitetet dhe projektet në bazë të planit vjetor për vitin 2022 duke dështuar në zbatimin e mandatit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore arkeologjike të Kosovës.
Në vendim ceket se më 2021 dhe 2022, IAK-u ka plotësuar vetëm 7 dosje si propozime për mbrojtje të përhershme të monumenteve, të cilat i ka dorëzuar në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore. Sipas Komisionit, është dashur të ketë më shumë propozime, dhe përgjegjës për këtë është Enver Rexha, në cilësinë e drejtorit.
Komisioni ka konstatuar se IAK-u ka dështuar në zbatimin e politikave për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike duke mos marrë masa për konservimin e lokaliteteve arkeologjike. Raporti i vlerësimit të aseteve të trashëgimisë kulturore, që e ka hartuar Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ku edhe disa lokalitete arkeologjike dalin të jenë të pamirëmbajtura, është marrë si provë dhe si i mirëqenë nga Komisioni.
Ministri pretendonte se projekti “Arkeologia në rrethin e Pejës dhe të Istogut, Kosovë” është zhvilluar midis IAK-ut dhe Universitetit të Michinganit pa pasur paraprakisht marrëveshje midis MKRS-së dhe këtij institucioni, gjë që, sipas procedurave shtetërore, do të duhej të ekzistonte pasi bëhet fjalë për bashkëpunim me palë të jashtme. Këtë e ka vërtetuar Komisioni.
Njëjtë Komisioni ka vërtetuar edhe “Mungesën e ndërmarrjes së hapave ligjorë për sigurimin e gjendjes së Kalasë së Novobërdës dhe zbatimin e mandatit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore”. Sipas vendimit, gjatë zbatimit të projektit për rivitalizimin e lokalitetit arkeologjik në Kalanë e Novobërdës janë vërejtur parregullsi të zbatimit të punimeve konservuese e restauruese, po ashtu gërmime arkeologjike e nxjerrje dhe bartje e paautorizuar e gjetjeve nga vendi i origjinës. Bëhet fjalë për materialin arkeologjik që ishte bartur në Serbi nga grupi që punoi në konservimin e monumentit. Për këtë KOHA kishte raportuar në seri shkrimesh që prej marsit të vjetëm. Më pas Ministria e Kulturës e kishte konfirmuar rastin nëpërmjet Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.
Sipas Komisionit, parregullsitë e konstatuara dëshmojnë dështimin e zbatimit të mandatit dhe të IAK-ut si institucion përgjegjës”. Edhe në dy pikat e fundit, ku renditen mungesa e prezantimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore arkeologjike nëpërmjet botimeve shkencore e informative dhe mungesa e reagimeve me kohë ndaj ankesave dhe kërkesave të paraqitura nga qytetarët dhe institucionet përkatëse, janë marrë si të mirëqena nga Komisioni.
Në anën tjetër, Enver Rexha ka thënë se Komisioni nuk ka shqyrtuar asnjë prej kundërargumenteve të tij.
“I kam dorëzuar 415 faqe dokumente që faktojnë të kundërtën dhe asnjë nuk është marrë parasysh”, ka thënë ai. Ka paralajmëruar ankesë. “Do të ankohem kundër vendimit në MKRS e më pas në gjykatë dhe në çdo institucion shtetëror në mënyrë që të zbatohet ligji sa i përket kësaj çështjeje. Sa i përket kallëzimit penal, edhe ajo lëndë është duke ecur”, ka thënë ai.
Rexha ka deponuar kallëzim penal kundër ministrit Çeku në Prokurorinë Speciale të Kosovës në fillim të shatorit. E akuzon ministrin Çeku për veprën penale “keqpërdorim të detyrës apo autoritet zyrtar, si dhe për cenim të të drejtave në marrëdhënien e punës”. Në kallëzim Rexha ka shkruar se më 19 gusht të vitit të kaluar ishte ftuar në takim nga ministri Çeku, ku i është kërkuar “dorëheqja nga pozita e drejtorit të IAK-ut, pozitë kjo me mandat të përhershëm”. Më pas ka përshkruar edhe një tjetër takim. Atë të ditës së 12 qershorit të sivjetmë. Në këtë takim me ministrin Çeku pos Rexhajt ishin edhe arkeologët Shafi Gashi, Milot Berisha, Premtim Alaj, punonjës të tjerë të Institutit Arkeologjik dhe në anën tjetër ministri Çeku me bashkëpunëtorët e tij.
“Pas diskutimeve rreth arkeologjisë i njëjti (ministri Çeku v.j.) me nervozizëm na kërcënoi me shuarje të Institutit Arkeologjik të Kosovës duke thënë: ‘Unë e pranoj dështimin në arkeologji, por do ta mbyll Institutin’ dhe në mënyrë demonstrative dhe pa u përshëndetur fare e lëshoi takimin, edhe pse ishim në zyrën e tij”, ka shkruar Rexha në kallëzim penal. Aty ka përshkruar edhe një situatë tjetër ku, sipas tij, për të tretën herë i është kërkuar që të lironte pozitën e drejtorit. Ka treguar se më 26 dhe 27 korrik është ftuar në takim nga zyrtarët e MKRS-së, Feim Hoxha asokohe zëvendësues i sekretarit të përgjithshëm dhe zyrtarët Merita Augustini-Ndrecaj e Milot Mustafa.
“M’u ofrua mundësia e ndërrimit të pozitës, që i bie dorëheqje nga pozita që mbaj, gjë të cilën nuk e pranova, ku pas refuzimit u hartua një shkresë për procedim disiplinor ndaj meje”, ka shkruar Rexha. I ka quajtur përpjekje joligjore nga ministri Çeku se “me anë të presionit dhe shantazhit ka tentuar” ta largonte nga puna. “Në fund nuk pati sukses e nëpërmjet presionit përdori ushtrimin e ndikimit dhe filloi një proces disiplinor të paligjshëm kundër meje”, ka shkruar Rexha.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.