Kulturë

Fondet e SHBA-së kthejnë vëmendjen te Dresniku i harruar katër vjet

Të martën ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, kanë nënshkruar një memorandum bashkëfinancimi për të përkrahur projektin “Ruajtja e lokalitetit arkeologjik e Dresnikut”. Sipas planit, projekti do të zgjasë prej shatorit të këtij viti deri në qershorin e vitit 2025 (Foto: MKRS)
 

Sensacion qe zbulimi i tij këtu e një dekadë më parë, mozaiku mbresëlënës solli në Kosovë edhe mediat më të njohura botërore, por prej vitit 2019 aty s’ka lëvizje. Mozaiku ashtu si dhe strukturat e tjera të gërmuara mbesin larg vëmendjes së publikut e memorandumi i nënshkruar të martën midis Ambasadës së SHBA-së në Kosovë dhe Ministrisë së Kulturës hapin një kapitull të ri për këtë lokalitet antik. Rreth 200 mijë euro është vlera e fondit, prej të cilave 150 mijë dollarë nga Fondi i Ambasadorit për Trashëgimi Kulturore e 50 mijë nga MKRS-ja

Është dashur një ndërhyrje prej jashtë institucioneve vendore që puna në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut – një prej kryesorëve në vend – të rinisë. Pas katër vjetëve ngecje në gërmime, mirëmbajtje, konservim e zhvillim planesh për prezantim të gjetjeve arkeologjike të shekujve të parë të erës sonë, arkeologë e profesionistë të tjerë do t’i kthehen lokalitetit arkeologjik në Komunën e Klinës.

Mbështetja e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet t’ia rikthejë shkëlqimin mozaikut antik të Dresnikut.