Kulturë

Fenomeni i kitarës lë në Kosovë jehonën e koncertit të jashtëzakonshëm

E vogël është dukur salla e Muzeut të Qytetit të Mitrovicës për një kitarist si Aniello Desiderio në të dytin koncert të edicionit të pestë të “Mitrovica Guitar Days”. Me lojën e tij, Desiderio e ka shndërruar atë në skenë botërore, aso në të cilat ai ka shkelur kaherë përgjatë karrierë së bujshme
 

“Il Fenomeno”, është vetëm njëri prej epiteteve që mban kitaristi i shquar italian Aniello Desiderio. Pikërisht sikur një Orfe kitare – një tjetër cilësim që ka dhënë kritika për të – është rikthyer para publikut në Mitrovicë në një mbrëmje të jashtëzakonshme muzikore. “Muzika është gjithçka për mua”, ka thënë ai pas koncertit dhe një ndjesi të tillë e ka ndarë edhe me publikun

Qysh se doli për herë të parë në skenë këtu e 45 vjet më parë, të menjëhershme e të prera do të ishin epitetet për të. Qe tetë vjeç kur u cilësua “gjeni” e “wunderkind” më pas “Orfeu i kitarës”, pasuan titujt si “kitarist i shekullit” e mbi të gjitha “Il Fenomeno”. Krejt këto kombinohen e thuren sapo kitaristi italian, Aniello Desiderio, nis të interpretojë.

E vogël është dukur salla e Muzeut të Qytetit të Mitrovicës për një kitarist si ky në të dytin koncert të edicionit të pestë të “Mitrovica Guitar Days”. Me lojën e tij, Desiderio të enjten mbrëma e ka shndërruar atë në skenë botërore, aso në të cilat ai ka shkelur kaherë përgjatë karrierës së bujshme. Mitrovica nuk është e panjohur për të. Është rikthyer në këtë festival dhe siç kanë thënë organizatorët, ka qenë publiku ai që e ka kërkuar. Desiderio është edhe mik i “Mitrovica Guitar Days”, por kjo është tjetër histori.