Kulturë

Ligji i ri për të drejtat e autorit promovohet si fuqizim veprash

Projektligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta i miratuar të enjten në Kuvendin e Kosovës është i treti në këtë fushë në Kosovën e pasluftës. I pari qe më 2007, dhe ndër vite ka pasur disa amendamentime (Foto: Alban Bujari)
 

Harmonizim me trendët e fundit dhe me legjislacionin e BE-së, fuqizimi i mbrojtjes së të drejtave të autorit, janë disa prej pikave kryesore të Projektligjin për drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, i miratuar të enjten. Për ekspertë të kësaj fushe e për Ministrinë e Kulturës, me një ligj si ky veprës së mbrojtur i rritet vlera. “Me Ligjin e ri do të rritet vlera ekonomike e veprave të autorit, krijimtarisë dhe tërë përmbajtjes që mbron e drejta e autorit”, ka thënë Valon Kashtanjeva, ekspert i kësaj fushe

Ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta ka hyrë në një tjetër etapë. Është përshtatur me direktivat më të reja të Bashkimit Evropian. Të enjten, 66 deputetë të Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar atë në lexim të dytë duke i hapur rrugë zëvendësimit të Ligjit të 2011-s. Midis plotësimeve që i janë bërë ndër vite, i fundit është më përmbajtjesori. Në këtë projektligj që pas dekretimit të presidentes dhe publikimit në Gazetën Zyrtare do të jetë në fuqi, u është rritur vlera veprave të mbrojtura, janë bërë shtesa sa i përket përshtatjes me teknologjinë, e po ashtu ka ndryshime te përcaktimi i tarifave për të drejtat kolektive që i bartin shoqatat. Kjo edhe ka qenë një prej pikave më të ndjeshme ndër vite midis shoqatave për mbrojtjen dhe menaxhimin e të drejtave kolektive dhe transmetuesve vendorë. Ky është i treti ligj në këtë fushë në Kosovën e pasluftës. I pari qe më 2007 dhe ndër vite ka pasur disa amendamentime.

Sipas Ministrisë së Kulturës që e ka sponsorizuar Projektligjin, nëpërmjet tij “sigurohet një nivel i lartë i mbrojtjes të të drejtave të autorit, krijimtarisë shkencore e artistike, rregullohet statusi i Task-Forcës kundër piratërisë dhe ofrohet mundësia e zgjidhjes së kontesteve në të drejtën e autorit përmes mjeteve alternative si ndërmjetësimi dhe arbitrazhi”. Në Kuvend nuk ka pasur debat për këtë projektligj.