Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut është shpallur kryeqytet kulturor evropian për vitin 2028, është njoftuar nga Shtëpia e Historisë në Bruksel.
Shkupi dhe qyteti i njohur turistik i Malit të Zi, Budva kishin hyrë në listën e ngushtë për këtë titull.
E Shkupi do ta ndajë atë me qytetin çek Budějovice dhe me një tjetër qytet në Francë, i cili pritet të nominohet në dhjetor.
Nismuar në vitin 1985 nga ministrja e Kulturës e Greqisë, Melina Mercouri, dhe homologu i saj francez, Jack Lang, ky titull feston larminë dhe pasurinë e kulturave evropiane, duke i vendosur qytetet në qendër të vëmendjes. Për gati 40 dekada, qytete të ndryshme të Evropës kanë qenë bartëse krenare të këtij titulli, përderisa koncepti i kryeqytetit kulturor evropian ka ndryshuar nga një festival i thjeshtë artistik, drejt një projekti kompleks zhvillimor. Ka për qëllim të promovojë diversitetin kulturor në Evropë, të theksojë të përbashkëtat dhe që vendet të shkëmbejnë përvoja kulturore në zhvillimin afatgjatë të qyteteve.
Ministrja e Kulturës e Maqedonisë së Veriut, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, ka thënë se Shkupi është “gati t’i përgjigjet kësaj sfide”.
“Duket se Shkupi është krijuar ndër shekuj për një sfidë të tillë. Me flamurin evropian dhe maqedonas do ta çojmë energjinë kreative që të zgjerohet në krejt kontinentin. A ka vend më të mirë sesa Shkupi për ta bërë këtë?”, ka pyetur Kostadinovska-Stojçevska.
“Shpallja e Shkupit ‘Kryeqytet evropian i kulturës’ për vitin 2028 është një sukses i madh për vendin tonë veçmas duke pasur parasysh edhe përcaktimin tonë si shtet që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka thënë ajo për agjencinë shtetërore të lajmeve, MIA.
Titullit të kryeqytetit evropian të kulturës për vitin 2028 ia kishte mësyrë edhe Prizreni së paku me diskutime. Në qershorin e vitit 2021, Rrjeti i Organizatave të Kulturës në Prizren në bashkëpunim me fondacionin “Lumbardhi” kishin organizuar prezantimin publik “Prizreni si Kryeqyteti Kulturor Evropian”. Kjo ishte paralajmëruar si nisje e iniciativës së RrOK-ut për të mundësuar aplikimin e qytetit të Prizrenit për këtë titull sipas vizionit të përcaktuar në Planin e Menaxhimit të Qendrës Historike të Prizrenit 2019-2028. Gjatë prezantimit Emina Vishniq, ish-CEO dhe kryesuese e programit të Kryeqytetit Kulturor Evropian të “Rijeka 2020”, kishte shtjelluar shtyllat kryesore të konceptit aktual të Kryeqytetit Kulturor Evropian, mundësitë që një përcaktim i tillë ofron sikurse edhe sfidat e procesit të kandidimit në këtë program. Kishte thënë se në Prizren kishte gjetur një grup të aktivistëve entuziastë që konsiderojnë se Prizreni mund të rrugëtojë në këtë shteg.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.