Kulturë

Festivali i RTK-së akordohet me 18 këngë, pret “Eurovisionin”

Sivjet televizioni publik ka vendosur që sikurse edhe transmetuesit e tjerë shtetërorë ta ketë festivalin e vet. Megjithëse është njëfarë mësymjeje artistike drejt festivalit evropian të këngës, “Eurovision”, ky qëllim sipas organizatorëve del të mos jetë primar
 

Mbi 40 projekte muzikore ia kanë mësyrë Festivalit të Këngës në RTK, një ngjarje kaherë e paralajmëruar. Janë 18 prej tyre që janë kualifikuar për Festivalin i cili mbahet më 26, 27 e 28 tetor. Në listë figurojnë kryesisht këngëtarë të rinj. “Ka shumë të rinj dhe, po ashtu, jam i lumtur për këtë. Ndoshta mund të ketë pasur hezitim nga të tjerët, pasi të tjerët kanë dashur të shohin fillimisht se si po organizohet Festivali”, ka thënë kompozitori Florent Boshnjaku, drejtor artistik i Festivalit. Një problem për këtë ngjarje mbetet objekti. Do të mbahet në sallën e djegur të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. “Nëse realizohet synimi ynë veç 50 për qind, do të isha i lumtur”, ka thënë Boshnjaku

Organizimi i Festivalit të Këngës në RTK ka bërë edhe një hap: Janë zgjedhur 18 këngët që do të garojnë në edicionin e parë të kësaj ngjarjeje që do të nisë pas më shumë se 24 vjetëve prej kur Kosova është çliruar. Në listë figurojnë kryesisht këngëtarë të rinj. Kur ka mbetur pak më shumë se një muaj kur do të mbahen tri netët e Festivalit, organizatorët janë në punë intensive.

Në listën e publikuar nga televizioni publik, e cila ka renditje alfabetike, zënë vend këngëtarë si Arbër Salihu me këngën “Oj Kosovë”, Adea Pula me “Nuk me ke meritu”, Mentor Mripa me “Po ju rrëfehem”, Neki Emra me “Heroi im” e Klea Dina me “Trenat”.