Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet ende nuk e ka hapur konkursin për subvencionimin e projekteve kinematografike. Arsye del të jetë miratimi i Ligjit për kinematografinë që ka hyrë në fuqi në korrikun e sivjetmë. Nëpërmjet Ligjit kërkohen akte të tjera nënligjore që rregullojnë këtë fushë. E derisa të miratohen edhe ato, nuk ka as afat se kur shteti do ta hapë thirrjen për mbështetje të projekteve filmike.
QKK-ja nuk është se këtë vonesë sivjet e ka “premierë”. Ka ndodhur edhe në të kaluarën, por me arsyetime të tjera. Por, sipas atyre që i takojnë botës së filmit, vonesa e hapjes së thirrjes dhe rreziku që sivjet të mos hapet fare, afektojnë direkt në industrinë solide të kinematografisë të cilën e ka Kosova.
Në prill të këtij viti QKK-ja është bërë edhe me drejtuese të re. Regjisorja Blerta Zeqiri, që ka marrë mandat katërvjeçar si drejtoreshë, ka thënë se janë duke punuar shumë që të miratohen rregulloret në mënyrë që të hapet konkursi.
“Jemi duke punuar pandërprerë që të mbërrijmë afatet në mënyrë që të miratohen rregulloret dhe ta hapim konkursin sivjet”, ka thënë ajo. Sipas Zeqirit, është bërë punë e madhe dhe aktualisht rregulloret janë në përkthim në mënyrë që pastaj të dalin në diskutim publik. Rregullore e re duhet edhe për emërimin e jurive vlerësuese dhe komisioneve të tjera që formon ky institucion.
“Ecuria e realizimit të projekteve të mbështetura nga QKK-ja, detyrat, përgjegjësitë, përbërja dhe mënyra e zgjedhjes së jurive vlerësuese dhe komisioneve përcaktohet me akt nënligjor, të nxjerrë nga ministri”, përcakton neni i 16-të i Ligjit për kinematografinë.
Në kushte normale, QKK-ja do të duhej ta hapte konkursin në fillim të vitit. Vjet është hapur më 15 korrik. Por procedurat deri në finalizim kishin zgjatur deri në fund të dhjetorit. Më 2021 konkursi qe hapur në fund të shtatorit, përderisa më 2020 në korrik. Sa i përket vitit 2021, asokohe QKK-ja kishte telashet financiare. Sivjet, sikurse vitin e kaluar, buxheti për subvencione sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore është 1.5 milionë euro.
Por vonesat në hapje të konkurseve kanë edhe pasoja, sipas atyre që merren aktivisht me film.
Regjisori e profesori universitar, Jeton Ahmetaj, ka thënë se nuk duhet të vonohen konkurset nëpërmjet të cilave përkrahet financiarisht krijimtaria kinematografike.
“Por vonesat kanë ndodhur gjithmonë dhe dosmodoshmërisht është e kuptueshme që ndikojnë në ngecjen e zhvillimit të kinematografisë, sepse matematikisht i bie që nëse vonohet konkursi për tre muaj rregullisht në çdo katër vjet do të prodhohet një film më pak, e që i bie të zvogëlohet prodhimtaria e planifikuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës”, ka thënë ai.
Vitin e kaluar procesi nuk ishte finalizuar deri në dhjetor. Por Qendra Kinematografike e Kosovës e kishte vazhduar trendin e rritjes së projekteve filmike të cilat i mbështet me subvencione. Përderisa në vitin 2021 janë përkrahur 22 projekte kinematografike, për vitin 2022 numri ka shkuar në 26. Institucioni më i lartë kinematografik i shtetit e ka mbajtur ritmin në përkrahjen e filmave të metrazhit të gjatë artistik. Sikurse më 2021, edhe më 2022 janë përkrahur nga pesë projekte. Për vitin 2022, buxheti i QKK-së për subvencione ka qenë 1.5 milionë euro.
Në nëntë kategori QKK-ja kishte kualifikuar 51 projekte si të plota e që do të shqyrtoheshin nga juritë. Synimet e institucionit që për më shumë se një vit ishte pa drejtor janë që numri i projekteve që përkrahen të rritet në vazhdimësi.
“Hatixhe and Shaban a story of money and shame” me producent Eshref Durmishin dhe regjisor e skenarist Visar Morinën, “Jerëm” me skenar e regji të Ismet Sijarinës, “Azil” nën regji të Jeton Ahmetajt e skenar të Jeton Nezirajt dhe “Me fjalë të tjera” me skenar e regji të Valbona Jasharit, janë projektet për filma të gjatë artistikë që ishin përzgjedhur për t’u përkrahur me konkursit e vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të QKK-së dhe të Ministrisë së Kulturës gjatë vitit 2022 janë përfunduar gjithsej 15 projekte filmike dhe janë dorëzuar në Qendrën Kinematografike të Kosovës. Këto projekte janë 4 të metrazhit të gjatë artistik, 3 të metrazhit të shkurtër, 3 dokumentarë, 4 kooproduksione minore dhe 1 post-produksion.
“Vlera totale e mbështetjes së këtyre projekteve nga Ministria e Kulturës është 902 mijë e 250 euro”, kishte njoftuar Ministria e Kulturës.
Sa u përket ndryshimeve që sjell Ligji për kinematografinë – që e ka zëvendësuar atë të 2004-s – nuk preket vetëm ana administrative e menaxhimit të konkurseve. Preket edhe hierarkia. Sipas Ligjit të ri, QKK-ja nuk do të ketë Këshill Drejtues, por Këshill Profesional. Drejtuesit ekzekutiv të institucionit i shtohen kompetencat vendimmarrëse.
Debati deri në miratimin e këtij ligji ka qenë goxha i zhurmshëm. Ishin nëntë vërejtje që shoqata e artistëve të filmit “Pro Arte” ia kishte përcjellë kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion e Kulturë dhe krejt shefave të grupeve parlamentare. Në kërkesë Shoqata kërkonte që Kuvendi ta refuzojë këtë projektligj.
Historia e projektligjeve në këtë fushë është e vjetër. Katër vjet punë kishte marrë hartimi i Projektligjit për kinematografinë, që u tërhoq nga leximi i dytë në Kuvend më 4 gusht 2016. Me gjithë emërimin e dy komisioneve, një nga ish-ministrat e Kulturës, Memli Krasniqi, e një tjetër nga pasardhësi i tij në këtë pozitë, ish-ministri Kujtim Shala, pas serisë së përplasjeve e reagimeve midis komunitetit të kineastëve dhe angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë, puna s’ishte finalizuar me sukses.
Në reagimin e vet shoqata “Pro Arte” kishte shkruar se draftligji pretendon të shpallë kinematografinë interes të veçantë me qëllim të rritjes së buxhetit për qëllime “krejt jo të sinqerta dhe joprofesionale, jo për krijimin dhe zhvillimin e kinematografisë, por për qëllime të krijimit edhe të një burimi alternativ të buxhetit publik, i cili pastaj do të zhvatej nga klanet e interesit, të cilat tashmë janë pozicionuar rreth MKRS-së dhe ministrit të Kulturës”. Midis të tjerash, në pikën e dytë të kërkesës Shoqata ka paraqitur se draftligji pretendon të përkufizojë veprën kinematografike vendore si “’vepër ku regjisori ose producenti është kosovar, si dhe kapitali vendor është i rëndësisë së madhe’, e që, sipas dispozitave të ligjeve evropiane përkufizohet krejt ndryshe”. Paraprakisht më 2016 ishin 39 kineastë që kishin firmosur kërkesën për tërheqjen e atij versionit të atëhershëm të Projektligjit nga Kuvendi. Ndër arsyet e shumta që ishin përmendur në reagimin e Shoqatës së Producentëve të Kosovës ishte edhe afati për realizimin e projektit që, sipas tyre, plotësisht ishte i gabuar dhe i pamundshëm që të arrihej. E një prej pikave më të diskutueshme të atij projektligji ishte përbërja e jurisë që do të vlerësojë projektet kinematografike që subvencionohen nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Kjo çështje kaherë e ka ndarë në dysh komunitetin artistik, duke bërë që disa të përkrahin idenë që juria duhet të përbëhet nga shtetas të Kosovës e disa të tjerë që kërkojnë edhe anëtarë me shtetësi të huaj. Mbetet të shihet se cila do të jetë përbërja e jurisë vlerësuese pas miratimit të rregullores që do të përcaktojë këto detaje.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.