Këshilli i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim Shkencë dhe Kulturë – UNESCO nuk do ta fusë Venecian në Listën e trashëgimisë së rrezikuar kulturore, përkundër propozimeve të ekspertëve. Me një vendim si ky e ka kursyer Qeverinë italiane nga akuzat për gjendjen e qytetit.
“Këshilli për trashëgiminë botërore ka vendosur të mos i regjistrojë Venecian dhe lagunën e saj në Listën e trashëgimisë së rrezikuar kulturore”, kishte njoftuar UNESCO-ja ditë më parë.
Ministri i Kulturës i Italisë, Gennaro Sangiuliano, ka thënë se sikur Venecia të shpallej trashëgimi në rrezik, do të ishte një vendim i pavend i pabazuar në fakte. “Pra, Venecia nuk është në rrezik”, citohet të ketë thënë Gennaro Sangiuliano.
Venecia, e njohur për kanalet e saj dhe lokalitetet kulturore, kaherë është e rrezikuar prej vërshimeve dhe turizmit masiv.
Sangiuliano ka thënë se UNESCO-ja i ka vlerësuar pozitivisht përpjekjet e autoriteteve italiane që Venecia të mbrohet prej ujërave nëpërmjet sistemit mobil të digave nënujore dhe së fundmi ka vendosur për aplikimin e pagesës së hyrjeve për turistë e që mundëson kufizimin e numrit të tyre. Kjo do të nisë të zbatohet prej vitit që vjen. Megjithatë, UNESCO-ja ka tërhequr vërejtjen se duhen shtuar përpjekjet për ta mbrojtur qytetin e brishtë.
“Në lidhje me këtë janë përsëritur shqetësimet duke kërkuar që qyteti të zgjidhë një sërë vështirësish që kërcënojnë qytetin, si puna e turizmit masiv dhe ndryshimeve klimatike”, ka nënvizuar UNESCO-ja.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.