Kulturë

Gjykata në Vranjë ndalon shfaqjen e filmit “I pabesi”, të regjisorit shqiptar Gani Veseli

Gjykata e Lartë në Vranjë në Serbi ka ndaluar shfaqjen e filmit “I pabesi” të autorit shqiptar Gani Veseli, raporton “Radio Evropa e Lirë”.

Siç thuhet në përgjigjen e këtij institucioni për REL-in, trupi gjykues ka vlerësuar se është i bazuar propozimi i Prokurorit Publik se ky film “nxit diskriminim e urrejtje”.

Me një vendim të njëjtë Gjykata e Vranjës ka lejuar shfaqjen e filmit tjetër të Veselit, “Heshtja vret”, por me kusht që ndër të tjera të hiqen simbolet e Republikës së Kosovës nga pjesa hyrëse dhe përmbyllëse e filmit.

Producenti Veseli ka thënë se është i zhgënjyer me këtë vendim dhe se nuk do t’i heqë simbolet e Kosovës, pasi që Qeveria e Kosovës i ka financuar filmat.

Dy filmat e metrazhit të shkurtër të produksionit “Colosseum” nga Presheva, u gjetën në gjykatë pasi policia para premierës së tyre në Bujanoc në qershor, prnaoi një raportim se këta filma “nxitin urrejtje dhe diskriminim”. Autorët e mohojnë këtë.

Publikut ende nuk i janë bërë të ditura të gjitha detajet e vendimit të Gjykatës së Lartë të Vranjës të marrë më 14 gusht.

Në përgjigjen e gjykatës, thuhet se filmi i “I pabesi” është në kundërshtim me nenin 28 të Ligjit për Kinematografinë në Serbi.

Në këtë nen ndër të tjera thuhet se “është i ndaluar qarkullimi dhe shfaqja publike e një filmi që nxit diskriminim dhe përhap urrejtje kombëtare, racore e fetare”. 

Ndërkohë filmi i dytë i Gani Veselit, me titull “Heshtja vret”, u lejua të shfaqej por me disa kushte. Krahas kërkesën për heqjen e simboleve të Republikës së Kosovës nga titulli, po ashtu kërkohet edhe të tregohet se filmi nuk rekomandohet për persona nën moshën 16-vjeçare.

Ky është vendim i shkallës së parë, ni cili mund të apelohet dhe vendimin e shkallës së dytë e merr Gjykata e Apelit në Nish.

Ndërkohë regjisori Gani Veseli ka thënë se ndihet mjaft keq me vendimin e Gjykatës, pasi projekti është financuar nga Qeveria e Kosovës përmes Këshillit Kombëtar Shqiptar.

“Filmi i është kushtuar Preshevës dhe sigurisht se kam pasur dëshirën më të madhe që të shfaqet atje”, tha Veseli.

Ai ka thënë se nuk mund të pajtohet edhe me vendimin sa i përket filmit “Heshtja vret”, për të cilin Gjykata ka kërkuar që të hiqen simbolet e Republikës së Kosovës.

“Kam deklaruar në gjykatë se nuk do ta heq logon e Republikës së Kosovës, pasi etika ime profesionale dhe morali im s’më lejon ta bëj këtë. Para se gjithash (shteti i Kosovës) është financuesi i drejtpërdrejt i filmit”, ka thënë Veseli.