Kulturë

“Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor” thyen kufijtë e politikës

Harmonia është domosdoshmëri në muzikë. Atë e ka gjetur “Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor”, por e kërkon edhe në raport me situatat politike. Në kuadër të turneut veror, ka mbajtur koncert edhe në Prishtinë
 

Është maksimë e njohur tashmë – se muzika thyen kufijtë – por “Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor” e dëshmon këtë dhe s’e ka ndër mend të ndalet, përkundër sfidave. Me njërën prej tyre u përball kur në kuadër të turneut erdhi edhe në Prishtinë. Dy anëtare nuk kanë mundur të futen në Kosovë. Instrumentistja nga Rusia e ajo nga Serbia kanë mbetur jashtë. “Shkaku pse ne jemi vetëm 63 anëtarë ka të bëjë me probleme të cilat në Ballkanin Perëndimor janë të përditshme...”, ka thënë dirigjenti Desar Sulejmani

Me misionin për paqe midis vendeve të Ballkanit dhe për t’iu dhënë mundësi bashkëpunimi muzikantëve të rinj të këtyre vendeve, “Orkestra e të Rinjve të Ballkanit Perëndimor” ka nisur turneun koncertal. Pas Durrësit e Tetovës, Orkestra ka zbarkuar edhe në Prishtinë, me gjashtëdhjetë e tre instrumentistë të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës e posaçërisht nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Me bukurinë e tingujve të ndryshëm të instrumenteve të tyre, kanë sjellë ritmin e valles simfonike. Ndonëse me mungesë të dy anëtareve të ansamblit që nuk ishin lejuar të futeshin në Kosovë, Orkestra ia doli suksesshëm ta përthekonte koncertin.

Ka qenë vepra “Hungarian Dance” e kompozitorit të shquar gjerman, Johannes Brahms, ajo me të cilën e ka nisur koncertin kjo orkestër. Melodia plot ritëm e dramacitet e veprës ka bërë që publiku të futet menjëherë në vorbullën e tingujve që orkestra ka përhapur në Atelienë e Pallatit të Rinisë, të martën mbrëma.