Kulturë

Kosova me Festival Kënge në RTK pret ta bindë edhe “Eurovisionin”

Descriptive Text

Tetori do të sjellë në skenën vendore të shumëpriturin Festival të Këngës. RTK-ja e ka marrë përsipër dhe zotimet janë për një ngjarje standardesh të larta që i plotëson kushtet edhe në sytë e organizatoreve të “Eurovisionit”, ku Kosova synon kaherë. Ka vite që ishte premtuar edhe rikthimi i versionit të “Akordeve të Kosovës”, qenë dhënë edhe data pjesëmarrjesh në Festivalin Evropian të Këngës. Adi Krasta, zëvendësdrejtor i RTK-së e drejtor i Festivalit, thotë se ka dy qasje drejt “Eurovisionit”. Kompozitori Valton Beqiri thotë se “askush nuk mund ta quajë ‘nismë’ realizimin e festivalit, por kurorëzim të angazhimit të shumë krijuesve, interpretëve, stafit udhëheqës në RTK gjatë gjithë këtyre viteve”

Këngëtarët, kompozitorët e aranzhuesit kanë dy muaj kohë që të përgatisin këngët me të cilat synojnë të jenë pjesë e një gare që në Kosovë organizohet për herë të parë: Festivali i Këngës në RTK. Televizioni publik ka vendosur që sikurse edhe transmetuesit e tjerë shtetërorë ta ketë festivalin e vet. Megjithëse është njëfarë mësymje artistike drejt festivalit evropian të këngës, “Eurovision”, ky qëllim del të mos jetë primar, sipas organizatorëve.

Kosova nuk ka traditë në këtë nismë – duke përjashtuar festivalin e njohur “Akordet e Kosovës” – por synohet që të krijohet. Për menaxhmentin e RTK-së, Festivali është një domosdoshmëri e shumë rrethanave.

Standardet e edicionit të parë

Adi Krasta, i cili mban pozitën e zëvendësdrejtorit të RTK-së dhe është edhe drejtor i Festivalit, ka thënë se shumë artistë, kompozitorë, poetë e këngëtarë të Kosovës gjithmonë kanë dashur dhe kanë punuar për të pasur një festival kënge të modelit të Sanremos. Festivalin “Akordet e Kosovës”, që është mbajtur gjatë periudhës sa Kosova ishe pjesë e ish-Jugosllavisë, e ka përshkruar si një aktivitet dinjitoz.

Edicioni i parë i “Akordeve të Kosovës” ishte mbajtur më 1963 në Zveçan, dhe sipas një teksti autorial të kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi, kjo datë mund të konsiderohet si një shenjë e mirë se kultura e festivaleve atëkohë ka qenë në hap me botën.

“Ta zëmë, festivali ‘Akordet e Kosovës’ fillon rreth tetë vjet pas festivaleve me renome të vendit apo vetëm trembëdhjetë vjet pas festivalit prestigjioz të muzikës italiane në Sanremo”, ka shkruar Rudi në mars të vitit 2021 në tekstin e titulluar “Aspekti kulturologjik i rock-kulturës te ne”. “Akordet...” kishte vazhduar të mbahej deri më 1995.

Sipas Adi Krastës, pavarësimi i vendit kërkonte me të drejtë ekzistencën e një festivali të vërtetë.

“Puna ime në RTK lidhet pothuaj 100 për qind me realizimin e këtij misioni. Dua të lë një shenjë në jetën artistike të vendit tonë bashkë me shumë kolegë të mi me të cilët po punojmë. Ne e themi shpesh në ambientet tona se na duhet në këtë festival të parë të vendosim një standard të lartë”, ka thënë Krasta. Sipas shpjegimit të tij, janë duke punuar prej disa muajsh që të bëjnë një “shfaqje-feste të qytetit ku artistë të vjetër e të rinj të dalin në skenë përballë publikut tonë dhe të gjithë bashkë të bëjmë fundin e tetorit një vjeshtë të bukur të artit të këngës”.

Problemet organizative i ka përshkruar si të mëdha, por, sipas tij, të gjithë po tregojnë dëshirë për të bërë më të mirën.

Për këtë nismë RTK-ja është përkrahur direkt nga Qeveria. Në shkurt të këtij vitit nëpërmjet një Memorandumi të Bashkëpunimit Ministria e Kulturës kishte zotuar për RTK-në 750 mijë euro për tre vjet. Sivjet do t’i jepen 300 mijë euro. Në Memorandum përmendet Festivali dhe themelimi i një kanali televiziv për artin e kulturën që do të mbulonte aktivitetet e MKRS-së dhe të institucioneve vartëse. Megjithëse në Memorandum nuk ceket qartë se mjetet janë zotuar vetëm për Festivalin, të dyja palët e kanë thënë këtë deklarativisht.

Buxheti si garanci

Larg këtij muhabeti, drejtori i Festivalit, Adi Krasta, ka thënë se nëse Ministria e Kulturës nuk do të jepte një grant nuk do të mund të bëhej një aktivitet i përmasave të tilla. Sipas tij, Festivali i Këngës nuk është aktivitet politik dhe ndjeshmëria e Ministrisë së Kulturës për të subvencionuar një ndërmarrje të tillë merr të gjithë vlerësimin e tij.

“Në fund të gjithë fundeve fiton jeta artistike e vendit”, ka thënë ai.

Festivali do të mbahet në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Sipas Krastës, Komuna e Prishtinës po punon të përgatisë të ashtuquajturën “sallë të djegur”. Ka falënderuar menaxhmentin e RTK-së për plotësimin e krejt kërkesave.

Derisa ka folur për përfitimet artistike të organizimit të Festivalit, ka thënë se Kosova duhet të ketë një festival të këngës.

“Drejtori i ‘Eurosong’ u shpreh në një e-mail se një festival kënge është shumë pozitiv për jetën artistike të çdo vendi. Çdo fundtetor Prishtina dhe RTK-ja do të realizojnë edicionin e radhës të Festivalit të Këngës. Dua të besoj se do të sjellë atmosferë të mirë në qytet”, ka thënë ai. Synimet janë që Festivali të mbahet për tri net në datat 26, 27 dhe 28 tetor. Sipas Krastës, këngëtarët e artistët me eksperiencë do të jetojnë një moment të bukur dhe se nuk duam të harrojnë se është një festë, bëhet për kënaqësi dhe u përket të gjithëve. Në kushte ideale, kënga fituese do ta përfaqësonte Kosovën në “Eurovision”.

Premtimet e kota

Kosova vazhdimisht ka pasur ambicie për të qenë pjesë e Festivalit Evropian. Por meqë RTK-ja nuk është anëtare e “The European Broadcasting Union” (Rrjetit Evropian të Transmetuesve) përfaqësimi i Kosovës në “Eurovision” është i pamundshëm.

Në vitin 2015, Petrit Selimi, asokohe zëvendësministër i Punëve të Jashtme, kishte bërë një cicërimë në rrjetin social Twitter.

“Për të qenë i qartë: unë e di që Kosova do të marrë pjesë vitin e ardhshëm në ‘Eurovision”, kishte shkruar ai. Por pas tri ditëve kishte zbutur qëndrimin. “Kosova do të punojë në muajt e ardhshëm që të plotësohen të gjitha kushtet që EBU të pranojë RTK-në si pjesëmarrëse në ‘Eurovision’ më 2016 në Suedi. Kemi sinjale që ka gatishmëri që ky proces të finalizohet këtë vit”, kishte thënë ai. Krejt këto ngelën “cicërima”.

Janë gjithsej katër kritere bazë që një shtet duhet t’i plotësojë që të fitojë të drejtën të prezantohet në Festival Evropian të Këngës. Si fillim ai shtet duhet të jetë pjesë e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU) apo të jetë anëtar i Këshillit të Evropës. E Kosova nuk është pjesë e asnjërës prej tyre. Sivjet shteti ka aplikuar për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës.

Dy qasje për “Eurovision”

Drejtori i Festivalit të Këngës në RTK, Adi Krasta, ka thënë se ka dy qasje për në “Eurosong”.

“Njëra është politiko-diplomatike. Pra, të futemi në EBU e më pas në Festivalin Evropian, ose qasja e dytë, të prodhojmë një produkt të standardeve të tyre dhe më pas të bëhet kërkesa për pranim. Në pritje të funksionojë varianti i parë ne po punojmë për të dytin. Ne po bëjmë Festivalin pa menduar për ‘Eurosongun’. Ne si RTK duam të gëzojmë publikun tonë në Kosove e kudo gjetkë. Të tjerat le të ndodhin sipas ritmeve të tyre”, ka thënë ai.

Festivali i sotëm, punë e kahershme

Midis atyre që e kanë përkrahur vazhdimisht themelimin e Festivalit është edhe kompozitori, profesori i muzikës dhe ish-ministri i Kulturës, Valton Beqiri.

Ai ka thënë se realizimi i Festivalit është një ngjarje e rëndësishme në jetën muzikore të vendit.

“Me qenë se edhe vetë kam qenë gjithmonë përkrahës dhe avokues i mbajtjes së Festivalit, ndiej për obligim që të ndaj disa informata rreth angazhimit të deritashëm të shumë akterëve në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Ka kujtuar se fillimisht në vitin 2003, RTK-ja ka marrë nën ombrellën e vet “Big Bandin” – i themeluar paraprakisht në baza vullnetare me qëllim të kultivimit të jazz-muzikës – por në kuadër të kërkesave programore dhe zhanre të tjera muzikore. Ka thënë se “Big Bandi” realizoi shumë pika muzikore me pothuaj të gjithë interpretuesit e estradës, e po ashtu edhe mjaft koncerte “live” duke nderuar emrat si Nexhmije Pagarusha, Muharrem Qena, Jusuf Gërvalla e të tjerë.

“Këto realizime kërkonin edhe angazhim shtesë të muzicientëve, të cilët bashkë me stafin e televizionit fituan përvojën e nevojshme me qëllim edhe të realizimit të mundshëm të festivalit. Së fundmi edhe koncertet e fundit të vitit 2022 dhe 2023 (me pjesëmarrje të rreth 50 instrumentistëve dhe nën dirigjimin tim), mund të konsiderohen si ‘prova gjenerale’ të defilimit të vlerave tona profesionale muzikore, si dhe mundësive teknike”, ka thënë ai. Ka treguar se vazhdimisht ka qenë kërkues por edhe lobues i realizimit të Festivalit, duke potencuar se Kosova ka kapacitete krijuese dhe interpretuese – kualitative – për një ngjarje të tillë. Ka kujtuar se nga ana formale, në vitin 2005 është bërë një draft propozim i Këshillit të Festivalit, me ç’rast edhe është siguruar e mobiluar zyra në objektin e Radio Kosovës. Në këtë rast ka përmendur zyrën numër 77 si vend të ndarë me qëllim të fillimit të organizimit të festivalit.

“Rreth viteve 2006-2007 është premtuar edhe përkrahja e Festivalit nga ana e MKRS, por për shkaqe të mungesës së buxhetit as ky premtim nuk u realizua. Vitin e kaluar është punuar në Rregulloren e Festivalit dhe ajo rregullore është miratuar”, ka thënë ai. Ka shtuar se duke marrë parasysh të gjitha këto zhvillime në këto dy dekada, “askush nuk mund ta quajë ‘nismë’ realizimin e Festivalit, por kurorëzim të angazhimit të shumë krijuesve, interpretëve, stafit udhëheqës në RTK gjatë gjithë këtyre viteve”. “Shpresoj që Festivali të jetë pikëtakimi, para së gjithash, i kuadrove vendore, jo vetëm si mision të tij, por edhe pse janë të nivelit të duhur artistik dhe profesional”, ka thënë Beqiri.

Sipas konkursit të hapur më 2 qershor e do të mbyllet më 30 gusht, aty mund të konkurrojnë krijues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e diaspora.