Kulturë

“Zana” me poezi në kapërcime të shumëfishta kufijsh

Në Qendrën për Praktikë Narrative në ish-objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” me mbrëmje poetike është përuruar botimi në alfabetin Braille i përmbledhjes me poezi nga dy edicionet parapake të festivalit “Zana”
 

Thyerja e kufijve midis gjuhëve a etnive është vetëm njëra anë e festivalit të letërsisë “Zana”. Tash, në edicionin e tretë ka ardhur edhe me botimin në alfabetin Braille. Zanafilla e kësaj nisme lidhet me një takim. Përurimi i vëllimit është bërë me lexim poezish nga nxënës të Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda“ në Pejë. Në dhomën e errët të Qendrës për Praktikë Narrative janë shpalosur vargje e mesazhe

Në edicionin e tretë të festivalit të letërsisë “Zana”, drejtoresha ekzekutive, Nora Prekazi, e ka përmbushur një premtim që e kishte dhënë në sektorin e etnologjisë në Muzeun e Mitrovicës. Kishte pranuar një grup vizitorësh nga komuniteti i të verbërve dhe detyra e ciceronit – punë që e bënte për më shumë se një dekadë – u kthye në sfidën më të madhe për të. E kishte dhënë fjalën se do të punonte drejt realizmit të ndonjë materiali për këtë komunitet. Poezitë e përmbledhura nga Festivali të cilin Prekazi e ka themeluar, tash janë të qasshme edhe për pjesëtarët e komunitetit të të verbërve.

Në Qendrën për Praktikë Narrative në ish-objektin e bibliotekës “Hivzi Sulejmani” poezia ka qenë kryefjalë, por më e veçantë ka qenë edhe mesazhi se ajo është e qasshme për të gjithë. Poezitë e dy edicioneve të kaluara të festivalit “Zana” janë përmbledhur në botimin në alfabetin e Breilleit.