“Populli që shkroi historinë” dokumenton zgjimin e shqiptarëve për liri
Jo rrallë periudha e ngjarje historike të popullit shqiptar përmblidhen në krijimet e autorëve, por libri i Azem Vllasit, që qysh në titull ia jep lexuesit orientimin e krejt rrëfimit në të, përmbledh në detaje dy vjetët e kryengritjes dhe rezistencës shqiptare kundër pushtetit serb
Azem Vllasi në librin e tij u kthehet ngjarjeve të fundit të viteve ’80, viteve të kthesave historike, atyre që ai i cilëson si vitet e zgjimit. Në qendër të librit është epopeja e minatorëve që nisi më marshimin e 1988-s e përfundoi me grevën e shkurtit të 1989-s. “Populli që shkroi historinë – Vitet e zgjimit 1988–1989”, i përuruar të enjten në Panairin e Librit në Prishtinë nga Botimet KOHA, është cilësuar si dëshmi e dorës së parë të një kapitulli me peshë në historinë e Kosovës
Janë vitet 1988 e 1989 të cilave politikani e avokati Azem Vllasi ua jep epitetin “vitet e zgjimit”. Por ky nuk është veç epitet. Ajo periudhë ishte e tillë dhe ish-funksionari i lartë i asaj kohe, dëshmitar i dorës së parë, e dëshmon në librin e tij më të ri “Populli që shkroi historinë – vitet e zgjimit 1988 – 1989”. Siç përshkruhet libri, është koha e ofensivës agresive të Sllobodan Millosheviqit në synimet e tij për krijimin e Serbisë së madhe. Ia mësyn fillimisht Kosovës, së cilës me dhunë ia rrëmben autonominë.
“Populli që shkroi historinë”, botuar nga Botimet KOHA, është përuruar të enjten në kuadër të aktiviteteve të edicionit të 23-të të Panairit të Librit në Prishtinë. Në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë janë detaje prej librit mbi ngjarjet që shënuan kthesa në historinë e popullit shqiptar.
Në qendër të librit është epopeja e minatorëve që nisi më marshimin e 1988-s e përfundoi me grevën e shkurtit të 1989-s dhe arrestimin dhe gjykimin politik ndaj 15 të të akuzuarve. Azem Vllasi më 1988 humbi të gjitha pozitat politike për shkak se i kundërshtonte ndryshimet kushtetuese. Mbajti 14 muaj burg.
Në libër për kohën që prej autorit konsiderohet si periudhë e ndërgjegjësimit të popullit, shkruhet se gjatë marsit e prillit të 1989-s numri i protestuesve ishte dyfishuar prej 250 mijë në gjysmë milioni. Dhe se populli u zgjua për liri, s’kishte më dyshime. Në detaje, Vllasi i dokumenton ngjarjet e kthesave historike. Sjell edhe të pathëna.
“Tubimet, ajo rezistencë e popullit, na ndodhi në vitin ‘88 e më pas më ’89, faktikisht ishte rezistencë e popullit të së drejtës sonë për të vendosur në Kosovën tonë, në të cilën jemi duke jetuar. Ishte rezistencë kundër presioneve të Serbisë”, ka thënë Vllasi në përurimin e librit të tij.
Me rastin e promovimit është shprehur se ka zgjedhur botuesin e duhur për veprën e tij. Folegjenda_Populli_2: “Populli që shkroi historinë – vitet e zgjimit 1988–1989” i Azem Vllasit është njeri prej pesë titujve të rinj që Botimet KOHA sjell enkas për Panairin e Librit në Prishtinë (Foto: Driton Paçarada)
Ka përmendur se në atë kohë populli shqiptar u bë udhëheqës i vetvetes, ndryshe prej vendeve të tjera të Evropës, ku nisën ndryshimet e mëdha.
“Siç dihet më 1989–90 fillon shembja e komunizmit në Evropën Lindore. Bie Muri i Berlinit, hapet epoka e pluralizmit partiak e politik. Mbaron epoka e sistemeve njëpartiake. Ato lëvizje kishin ndonjë personalitet, si në Çekosllovaki, në Poloni. Ne e mbronim pozitën që e kishte Kosova në mënyrë legale me Kushtetutën e vitit 1974, që për kushtet tona ishte niveli më i lartë që Kosova të qeverisë punët e saj sikurse njësitë tjera federale”, është shprehur më tej Vllasi, derisa ka vlerësuar se Kosova kishte mbetur pa udhëheqje dhe institucione, rrjedhimisht edhe pa liderë që do t’i përfaqësonin interesat e vendit.
Jo rrallë periudha e ngjarje historike të popullit shqiptar përmblidhen në krijimet e autorëve, por ai i Vllasit, që qysh në titull ia jep lexuesit orientimin e krejt rrëfimit në të, përmbledh në detaje dy vjetët e kryengritjes dhe rezistencës shqiptare kundër pushtetit serb. Në librin “Populli që shkroi historinë”, minatorët e Trepçës konsiderohen nismë, forcë motorike dhe shpirti i lëvizjes dhe rezistencës. Në nëntor të vitit 1988 në qendër të Prishtinës protestonin kolona njerëzish të ardhur nga të katër anët e vendit.
“Bartnin portrete të Titos dhe flamuj jugosllavë, bashkë me flamurin tonë kombëtar. Jo nga nostalgjia për shtetin dhe sistemin që nuk na mbrojti nga arroganca e nacionalizmit dhe shovinizmit serb, por për të dërguar mesazh se këtu nuk bëhej fjalë për ndonjë veprimtari armiqësore ndaj askujt, por për mbrojtjen e të drejtave legjitime”, ka shkruar autori në parathënien e librit. Sipas Vllasit, kundërshtoheshin presionet nga Serbia për ndryshimin e dhunshëm të pozitës kushtetuese dhe përkrahej udhëheqja e cila shembej me presione dhe manipulime nga Beogradi,. “Kjo lëvizje gjithëpopullore qe lamtumira jonë e fundit ndaj Jugosllavisë dhe Serbisë”, ka shkruar Vllasi.
Flaka Surroi, drejtoreshë menaxhuese e Grupit KOHA, botuese e redaktore e librit, periudhën që Vllasi e përmbledh në libër e ka vlerësuar si kohë kur populli organizonte protesta dhe kur minatorët shndërroheshin në flamurtarë të rezistencës e mospajtimit me zhvillimet politike të asaj kohe.
“Azem Vllasi ka bërë mirë që e shkroi librin që e kemi sot para nesh. Si shtëpi botuese vendosëm ta botonim pa hamendje, ngase e besoj se është obligim i të gjithë neve, dëshmitarëve të kohës, që brezave të rinj t’ua lëmë pas versionin e historisë, ashtu siç e jetuam dhe mbijetuam, me të gjitha të mirat e të këqijat”, ka thënë Surroi para të pranishmeve, derisa është shprehur se në libër përmenden emra të cilët nuk kanë lënë gjurmë të shkruara në formë publikimi.
Sipas Surroit, libri merr dinamikë të fuqishme dhe se përshkrimet e detajuara të bisedave të zhvilluara zbulojnë naivitetin e Kosovës.
“Një ndalim të veçantë do ta bënte te ngjarjet e 1981-s, për të cilat disa herë e ka përsëritur, përfshirë edhe në librin paraprak, se kanë qenë çasti i kthesës drejt një krize politike që do ta dëmtonte Kosovën shumë. Në këtë segment të librit do të konstatojë se ngjarjet e 1981-s nuk janë menaxhuar mirë nga udhëheqja politike dhe se dënimi me shumë vjet burgim të atyre që u shpallën organizatorë të demonstratave, është dashur të jetë trajtuar si kundërvajtje për prishjen e rendit dhe të qetësisë publike”, ka thënë Surroi për një pjesë të librit “Populli që shkroi historinë – vitet e zgjimit 1988–1989”.
Miku e ish-bashkëpunëtori i autorit, Halim Maliqi, ka përmendur para të pranishmëve çështjet që Vllasi ka ngritur në libër. Kongresi i Berlinit, Kushtetuta e vitit 1974 ka thënë të kenë qenë prej ngjarjeve nëpërmjet të cilave autori vjen në përfundim se Kosova asnjëherë nuk ka qenë pjesë integrale e Serbisë. Në përgjithësi, Maliqi e ka vlerësuar librin si të sinqertë e të shkruar bukur dhe me gjuhë të përshtatshme për të gjithë lexuesit.
“Shumica e ngjarjeve kryesore nga libri janë të njohura për publikun. Por autori sjell edhe disa detaje shumë të rëndësishme të panjohura për opinionin e gjerë. Përveç shtjellimit tejet autentik të ngjarjeve, autori jep edhe disa vlerësime për ngjarjet, shkaqet dhe pasojat e tyre, si dhe për disa personazhe të jetës politike në atë periudhë, duke theksuar edhe rolin e tyre”, ka thënë Maliqi.
“Populli që shkroi historinë” është njëri prej pesë titujve të rinj që sjell Botimet KOHA enkas për Panair. Po prej këtij autori, KOHA më 2017 ka botuar edhe librin e tij “Kosova: Fillimi që nuk falet”. Vllasi ka thënë se shtandi i KOHËS është i dalluar me titujt seriozë.