Kulturë

“Manifesta 14” llogarit mbi 20 milionë euro impakt ekonomik në Kosovë

Sipas anketës së prezantuar të mërkurën në Qendrën për Praktika Narrative, “Manifesta 14” ka pasur 139 mijë vizitorë, 807 mijë vizita gjatë njëqind ditëve (Foto: Majlinda Hoxha)
 

Bazuar në raportin e “Institutit GAP”, bienalja “Manifesta 14” llogarit që Kosovës i është kthyer katërfish investimi me edicionin e mbajtur në Prishtinë. “Investimi total i institucioneve publike kosovare ishte 3.7 milionë dhe 1.7 milionë shtesë ishin siguruar nga ‘Manifesta’ përmes donatorëve si Ambasada holandeze në Kosovë. Impakti total ekonomik i ‘Manifestas’ ishte 20.2 milionë euro dhe kthimi nga investimet publike ishte 4 herë më i madh”, ka thënë Hedwig Fijen, drejtoreshë e përgjithshme e “Manifestas”

Shifra prej 20.2 milionë eurosh është ajo që llogarit “Manifesta 14” si impakt ekonomik gjatë periudhës 100-ditore prej 22 korrikut deri më 30 tetor të vitit të kaluar, bazuar në rezultatet e nxjerra nga “Instituti GAP”. Të dhënat e publikuara nga vetë drejtoresha e bienales nomade “Manifesta”, Hedwig Fijen, tregojnë për një numër të madh vizitorësh ku numri shkon deri në 139 mijë. Për organizatorët, shifra si këto janë dëshmi se “Manifesta 14” është ngjarja më e madhe kulturore që ka ndodhur në Kosovë që nga shpallja e Pavarësisë.

Ka qenë 22 korriku i vitit të kaluar kur bienalja nomande “Manifesta 14” pati bërë hapjen zyrtare. Aktivitete e shumta dhe intervenimet në 25 hapësirat e saj sollën një atmosferë vibrante në qytetin e Prishtinës ku u pa një numër i madh i vizitorësh. Ngjarjes iu dha jo pak pompozitet e qysh në hapje u dhanë goxha premtime. Megjithatë, të dhënat lidhur më numrin e vizitorëve, përfitimet e Kosovës nga kjo bienale, numrin e të huajve e një sërë statistikash të tjera u publikuan tek gati një viti nga hapja.