Kulturë

Festivali “Burbuqe Berisha” mbledh botën teatrore, triumfon aktorja kroate

Të dielën, kur ka përthekuar aktivitetin për edicionin e shtatë, janë ndarë edhe çmimet për fituesit. Kroatja Buga Maria Shimiq ka marrë çmimin kryesor, atë për aktoren më të mirë, me shfaqjen “Rusalka”. Shfaqja më e mirë është zgjedhur “Fireworks – Sparks of Life” nën regji të spanjollit Tony Casla, ndërsa Çmimin për regji e ka marrë Fatos Berisha për shfaqjen “Club Albania”
 

Jo pak ngjarje në vend i kushtohen artit skenik. I veçantë është Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Prishtinë, që edhe në edicionin e sivjetmë ka gërshetuar kulturën evropiane. Edhe më madhështor bëhet kur i kushtohet regjisores Burbuqe Berisha, emrin e së cilës e mban festivali në dy vjetët e fundit. Të dielën, kur ka përthekuar aktivitetin për edicionin e shtatë, janë shpallur fituesit. Kroatja Buga Maria Shimiq ka marrë çmimin kryesor, atë për aktoren më të mirë, me shfaqjen “Rusalka”. Shfaqja më e mirë është zgjedhur “Fireworks – Sparks of Life” nën regji të spanjollit Tony Casla, ndërsa Çmimin për regji e ka marrë Fatos Berisha për shfaqjen “Club Albania”.

Aktorja, që është edhe soprano, ka hedhur dritë në rolin kryesor në shfaqjen “Rusalka”. Loja e saj në këtë shfaqje në fakt ka të bëjë me jetën e saj jashtë skenës. Me art skenik, Shimiq synon “t’u tregojë të gjithë atyre që mendojnë se si të përshtaten në atë kuti dhe se si ta zvogëlojnë veten që të pranohen, të mos e bëjnë këtë”, siç është shprehur aktorja derisa është përlotur pasi ka pranuar çmimin. “Mos u përshtatni! Krijoni kutinë tuaj!”, ka qenë mesazhi i saj për publikun.