Kulturë

Kompleksi “Adem Jashari” në pritje të master-planit prej 3 milionë eurosh

Shteti prej vitit 2004 me Ligj të veçantë kishte shpallur kompleksin përkujtimor “Adem Jashari” si hapësirë me interes të veçantë
 

Deri në 3 milionë euro mund të arrijë kostoja e master-planit për kompleksin memorial “Adem Jashari”, i cili llogaritet si hap i rëndësishëm që për këtë monument të hapet një kapitull i ri. “Ky është ndër proceset dhe projektet më delikate të Republikës sonë, kemi punuar me hapa të sigurt, pa u ngutur, por edhe pa humbur kohë. Nuk do të kursejmë asgjë për të pasur një kompleks memorial të përmasave botërore, çfarë është edhe figura e Adem Jasharit”, ka thënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në ditën e hapjes së konkursit ndërkombëtar për master-plan

Qeveria ka bërë edhe një hap në raport me kompleksin memorial “Adem Jashari”. Ka hapur konkursin më të madh ndërkombëtar sa i përket projektimit të një peizazhi kulturor. Me vlerë të parashikuar prej 3 milionë eurosh, synohet që shteti të ketë master-planin për Kompleksin memorial në Komunën e Skenderajt.

Sipas konkursit të hapur të enjten dhe i cili do të mbyllet më 7 korrik, master-plani do të përfshijë një zonë prej 450 hektarësh. Në konkursin jepen detaje të gjendjes aktuale bashkë me synimet e shtetit. Këtij procesi i ka paraprirë një studim i komisionit të ekspertëve të emëruar qysh në shtator të vitit 2021, i cili kryesohet nga historiania e arkitekturës dhe ekspertja e trashëgimisë kulturore Amra Haxhimuhamedoviq.