Boghdan Sulanov, vokalisti në grupin rock të rrymës metal i quajtur “YAD” përshkon hapësirën e prapaskenës. Ai kalon pranë një kitaristi që sapo ka mbaruar një performancë me plot adrenalinë, duke e lënë atë të mbuluar në djersë dhe arrin në tavolinën e vogël të mbushur me audio-pajisje, çaj dhe biskota. Nga poshtë tavolinës, nxjerr një çantë shpine me rrobat që do të veshë së shpejti në skenë.
Salla e koncerteve, një vend intim në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, është e mbuluar me posterë muzikorë dhe në një natë në fillim të shkurtit, ajo është e mbushur me disa qindra entuziastë të rock-ut që presin me padurim performancën e radhës. Atmosfera është elektrike dhe Sulanov është i emocionuar.
“Të rinjtë nuk e vlerësonin muzikën në të njëjtën mënyrë si para luftës”, ka thënë 33-vjeçari, duke iu referuar pushtimit të plotë rus të pjesës lindore të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
“Bendi ynë gjithmonë këndon rreth problemeve tona, dhe pikërisht tani, këndojmë për atë se duam të mbijetojmë”, ka thënë Sulanov derisa përcillej nga atmosfera e prapaskenës.
Gjatë fundjavave, Sulanov punon si zhvillues i softuerit, por në kohë të lirë shkëlqen me rock. “Të gjithë ne duhet të punojmë, por gjithashtu na duhet energji, dhe kjo mund të vijë nga muzika”, ka thënë ai para se të justifikohet me mirësjellje se duhet të përgatitet për koncertin.
Në skenë, Bohdana Nykyforchyn, këngëtare 35-vjeçare me flokë të lyer me ngjyrë të kuqe, bërtet në mikrofon derisa shoqja e saj e grupit godet bateritë.
Nykyforchyn e transformon dhomën përmes një sërë emocionesh, duke alternuar midis toneve të buta melodike dhe vokaleve më agresive dhe me ritme të shpejta. Në një moment, zëri i saj çahet dhe duket sikur po fillon të qajë. Pas ajo shpjegon pse. “Jam shtatzënë në muajin e tetë dhe ëndrra ime ishte të ngjitesha në këtë skenë”, ka thënë ajo. “Kur nisi kënga e dytë, ndjeva të gjitha emocionet e mia të fryheshin. Hormonet e mia janë kudo!”
Në prapaskenë Sulanov ka kaluar në personazhin e tij siç shfaqet në skenë, i veshur i gjithi në të bardha. Sytë e tij shikojnë përmes një ballukeje me fjalët "not nice” të shkruara në të.
Anëtarët e “YAD” vrapojnë në skenë dhe publiku, duke filluar nga adoleshentët e deri te rock-erët e moshës së mesme me flokë të thinjura shpërthen nga emocioni. Njerëzit që qëndrojnë në rreshtin e parë bërtasin fjalët e këngëve të tyre, duke përfshirë një djalosh që duket të jetë rreth 10 vjeç. Kitaristi ndalon së bredhuri në skenë kur e dallon djaloshin dhe i jep dorën.
Marichka Chichkova, organizatorja e ngjarjes që po ndihmon në bar, pranon se edhe pse stili ‘metal i rëndë’ nuk është zhanri i saj i preferuar i muzikës, është e lumtur të shohë të gjithë njerëzit duke u kënaqur. Ajo shikon lart në skenë dhe thotë: “Është gjithashtu një çlirim për muzikantët; edhe kjo është shumë e rëndësishme”.
Që nga shpërthimi i luftës, skenat e muzikës ‘underground’ në qytetet kryesore të Ukrainës, si Lviv dhe Kiev, kanë parë një rritje të krijimtarisë dhe popullaritetit teksa muzikantët dhe dashamirësit e muzikës. Ata kërkojnë të arratisen nga realitetet e kohës së luftës. Në veçanti, muzika tekno dhe rock kanë parë një gjeneratë të re të DJ-ve dhe grupeve të shpërthejnë në skenë, duke futur tingujt dhe përvojat e luftës në muzikën e tyre.
Vendi ku po luante Sulanov ndodhet në bodrumin e një ndërtese elegante barok në qendër të Lviv. Ajo ishte përdorur si strehë për bomba në javët e para të luftës, por pas 1 prillit 2022, kur Chichkova organizoi një koncert bamirësie, aty janë mbajtur ngjarje të rregullta muzikore.
Shumë nga bendet që performojnë aty, përfshirë “YAD”, dhurojnë çdo përfitim për ushtrinë ukrainase.
Në pushimin mes dy performancave, organizatorët e ngjarjes ngjiten në skenë dhe nxjerrin në ankand dy artikuj, një bluzë dhe një foto familjare me kornizë për të mbledhur para për shpenzimet e luftës.
Kur “YAD” përfundon performancën me duartrokitje të furishme, të gjithë dalin jashtë në sheshin me kalldrëm. Njerëzit grumbullohen në tramvajet e panumërt që ndodhen rreth lagjes historike, duke marrë rrugën për në shtëpi përpara se të fillojë shtetrrethimi i kohës së luftës në orën 23:00.
Max Antoniuk, një 30-vjeçar i pasionuar pas muzikës, ishte i impresionuar nga formacioni i mbrëmjes. Që nga fillimi i luftës, ka pasur "një shpërthim të krijimit të muzikës", ka shpjeguar ai i emocionuar. Më parë, siç ka thënë ai, shumë muzikantë nxiteshin nga dëshira për t'u rrëmbyer nga një ‘label’ i madh muzikor, por se tani artistët në Ukrainë janë "duke prodhuar muzikë pa interes komercial”, duke i dhënë një shtysë të madhe skenës muzikore ‘underground’.
Denys Levchunets, me profesion inxhinier, po mëson të luajë kitarë nga një prej anëtarëve të “YAD”, kjo reflekton në atë sesi kanë ndryshuar trendët e muzikës ukrainase që nga fillimi i luftës. “Tani ekzistenca jonë është e kërcënuar, temat kanë ndryshuar dhe gjuha ka ndryshuar”, ka shpjeguar 30-vjeçari. "Shumë artistë që përdornin gjuhën ruse më parë tani përdorin vetëm gjuhën ukrainase", ndërsa muzikantët janë më të fokusuar në tema si trashëgimia historike dhe identiteti kombëtar ukrainas si dhe çështjet që lidhen me lirinë dhe demokracinë.
Ukrainasit po dëgjojnë gjithashtu artistë vendës shumë më tepër sesa dikur. Levchunets është ngjitur në 30 top-listat në Ukrainë në Spotify dhe numëron vetëm dy artistë të huaj, një rus dhe një nga Shtetet e Bashkuara; pjesa tjetër janë ukrainas. Para luftës, ka shpjeguar ai, artistët e huaj kanë dominuar këtë tabelë.
Një udhëtim tetë orësh me tren në lindje të Lviv, në distriktin historik Podil të kryeqytetit të zhurmshëm kosmopolitan të Ukrainës, Kievit, ndodhet “Closer”, një klub nëntokësor tekno.
Ritme të ndryshme elektronike kalojnë përmes rrjeti të rrënuar të kalimeve për këmbësorë dhe ndërtesave me mbishkrime të vendosura pranë lumit Dnieper që ndan qytetin në dysh. Është vonë pasdite dhe klubet mblidhen në një tarracë të vogël për të pirë duhan dhe për të marrë pak ajër të pastër.
Atje është një përzierje diverse e veshjeve që shfaqen. Një ushtar kalon pranë me pantallona luftarake duke ndarë një shaka me miqtë e tij derisa shkojnë drejt skenës së kërcimit; askush nuk të hedh një sy.
Në një nga dhomat ku bën rojë një burrë me kokë të rruar, një flamur ukrainas i varur në një mur ndërsa një DJ shpërthen me një ritëm të ngadaltë me fillim të rëndë. Skena e kërcimit është e mbushur me njerëz, përfshirë disa burra me syze dielli, të cilët lëvizin lehtë nga njëra anë në tjetrën. Kur ritmet e muzikës fillojnë, ata shpërthejnë në kërcim duke i ngritur krahët në ajër derisa dritat bien në dhomë me frekuencë marramendëse.

Mischa Muzychny me origjinë nga Zaporizhia në juglindje të Ukrainës e veshur me një këmishë me shenja leopardi kërcen në pistën e vallëzimit. “Unë e dua muzikën ‘trance’ – është jeta ime” ka shpjeguar 20-vjeçarja me entuziazëm.
Prej kur lufta ka filluar, ka thënë ai, “ndihem se dua të vallëzoj sa më shumë, dua të vallëzoj derisa duart dhe këmbët të më lëshojnë!”.
Shoku i saj, Milan, gjithashtu 20 vjeç, është më i qetë për nga karakteri dhe ka thënë se muzika “më bën më të lumtur gjatë kohës së luftës. Ne duhet të ndihemi të relaksuar. Nuk mund të ndalojmë së bëri gjërat. Duhet të ndiejmë ritmin dhe thjesht të qetësohemi”.
Tanya, një 18-vjeçare e turpshme ka thënë: “Klubet janë si një vend ku mund të jem vetvetja dhe askush nuk mund të më gjykojë. Një vend ku mund të qetësohem nga lufta dhe të gjitha lajmet e këqija”.
Andrei Savinykh, një DJ 36-vjeçar me mustaqe të rregulluara dhe flokë të pastër biondë që me emër skenik quhet “DJ Superelite” pi një birrë në një dhomë të vogël në pjesën e pasme komode të një bari në qendër të Kievit. Muzika elektronike me ritme të ngadalta dhe të këndshme mbush hapësirën e ndriçuar me llamba të kuqe të lehta.
Ai është i matur teksa flet teksa qëndron i mbështetur në një jastëk të madh përkrah qenit të tij. “Është krejt ndryshe të performosh tani sesa para luftës”, ka thënë ai. “Tani është ndjenjë më e freskët. Njerëzit kërcejnë sikur nuk ka një të nesërme”.
“Gjërat janë më interesante tani; njerëzit ndihen më të afërt me njëri-tjetrin”, ka thënë ai.
Savinykh, i cili shpesh performon në “Closer”, ka thënë se klubet e natës në Ukrainë më parë kishin praktikuar “një kontroll të rreptë të fytyrës” ku njerëzit nuk lejoheshin të hynin nëse “dukeshin mirë apo e njihnin DJ-n”. Ai ka thënë se tani “njerëzit janë më të ndjeshëm dhe kjo qasje nuk praktikohet më”.
Savinykh së fundi pati rastin të performonte në Berlin. Burrave ukrainas mes 18 dhe 60 vjeç u ndalohet të largohen nga vendi sipas ligjit ushtarak. Megjithatë, përjashtime mund t’u jepen muzikantëve, artistëve dhe figurave të tjera kulturore që mendohet se promovojnë kulturën ukrainase jashtë vendit. Shkuarja jashtë vendit e kishte ndihmuar atë të reflektonte mbi atë që ka ndryshuar vitin e fundit në vend. Kishte kuptuar se industria e muzikës në Ukrainën e kohës së luftës ka “krijuar një brez të ri talentësh” në krahasim me vendet e tjera.
“Ka DJ të rinj që performojnë këtu gjatë gjithë kohës”, ka thënë ai. “Dje, pashë një të tillë që performonte dhe ishte vetëm 20 vjeç, por dukej me aq përvojë sa edhe unë”.
Lufta po krijon një tingull unik. “Ka më shumë interpretime ukrainase në muzikë, ajo është më patriotike”, ka thënë ai duke shtuar se pjesa më e madhe e muzikës ndihet si më e errtë. Ai merr shembullin e muzikës së prodhuar nga një mik që ka shërbyer në vijën e parë të frontit. “Nëse dëgjoni me kujdes, mund ta dëgjoni luftën; ka një bazë të shenjtë me një ra-ta-ta-ta, si një armë”, ka thënë ai duke bërë shenjë me duar sikur po gjuan me armë.
Savinykh ka thënë se tekno si “pjesë e muzikës ‘underground’ në Kiev” është bërë shumë më e njohur që nga lufta. “Muzika ‘underground’ është më e rëndësishme, sepse artistët thjesht bëjnë atë që duan, atë që ndiejnë”, ka thënë ai. “Është më se e vërtetë dhe kjo është ajo për çfarë kanë nevojë njerëzit tani”.
Zhurma e muzikës elektronike mbush një lagje industriale në Kiev. Është e shtunë rreth orës 21:00, dhe të gjitha bizneset në vend janë të mbyllura. Papritur hapet dera e një ndërtese gri prej betoni me fasadë të shkatërruar dhe ku depërton drita e kuqe e ngrohtë. Dy persona kalojnë dhe ndezin një cigare. Brenda shihet dhoma e dizajnuar në mënyrë perfekte, e kompletuar me një qilim persian. Një skulpturë e madhe e një portreti varet përpara miksetës së DJ dhe altoparlantët gjigantë lëshojnë një tingull të mprehtë.
Një DJ qëndron i përkulur në kabinën e tij. Pas tij projektohet performanca e tij në ekran. Është një ngjarje private me rreth 20 persona. Disa po përgatiten të largohen për të shkuar në shtëpi para orës 23:00, pjesa tjetër – të cilët do të përballeshin me arrestimin nëse vozitnin ose ecnin në publik pas kësaj kohe – do të festojnë aty gjithë natën.
Nelson Vasetska, një stiliste miqësore rreth 40-vjeçare dhe një nga organizatorët e ngjarjes shpjegon se derisa shumë mendonin se muzika ishte një arratisje gjatë muajve të parë të luftës, ajo kishte një përgjigje shumë më ndryshe. Vasetska, e cila bën muzikë elektronike si hobi dhe në organizime të tilla, ka thënë se ka ndier se “duhet të jetë e qetë” gjatë periudhës kur trupa ruse rrethuan periferitë e Kievit përpara se të largoheshin në prill të 2022-s. “Edhe në verë kur filluam të mbajmë eventet tona të para për njerëzit nuk kam luajtur, nuk kam kërkuar muzikë të re”, është shprehur ajo. Ajo është ndier e lodhur emocionalisht dhe fizikisht nga lufta.
Vetëm në fillim të vitit 2023 ajo ka përjetuar atë që e përshkruan si “nevojë të papritur për të luajtur së bashku me nevojën për të marrë frymë”.
Edhe pse muzika që ajo tani luan ka “elemente” të melodive të saj të paraluftës, prapë është “gjithashtu krejtësisht e re”, ka thënë ajo.
“Në disa vende, muzika ime është prishur – ritmi është trazuar por kur e luaj, harroj gjithçka”.
Vasetska ka thënë se lufta ka ndikuar në shumë aspekte të jetës së saj, si në shtëpi ashtu edhe në punë. Për të, muzika që po bën sinjalizon fundin e jetës së vjetër të saj dhe një fillim të ri. “Ndoshta muzika më ktheu në jetë, ose ndoshta anasjelltas”, ka thënë ajo.
Të nesërmen në mëngjes, shumë nga miqtë e Vasetkas qëndrojnë aty për të pastruar vendin. Ajo shkon në skenë duke luajtur muzikë elektronike me një ritëm më të butë dhe vokale melodike derisa njerëzit pinë ujë dhe shijojnë rrezet e forta të diellit që rrjedhin nga dera.
Muzika është ndalur në mesditë dhe teksa njerëzit kthehen në shtëpi, sirenat e njohura të sulmit ajror notojnë nëpër qytet. Dyqanet mbyllin dyer e tyre si pjesë e protokollit të sulmit ajror duke i detyruar klientët të dalin në rrugë. Është kthyer në realitetin e kohës së luftës, por për një natë, Vasetska dhe të ftuarit e saj mundën të humbnin vetën në tingujt ngushëllues të skenës muzikore “underground’ të Ukrainës.
(Marrë nga “Al Jazeera”, autor: Nils Adler, përktheu: Besartë Elshani)