Pa shkëlqime, ngjyra të forta, e tablo që bien në sy për nga megalomania, Bekim Zeqiri jep skeletin. Ndërtimi i pjesëve të tjera i mbetet publikut. E titulluar “Intertitles”, ekspozita e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës të enjten mbrëma është e pazakontë. Me kuratore Carolyn London, veprat e paraqitura shpërfaqin botën komplekse të artistit
Në një përkufizim estetik, ndoshta dikujt krejt në fillim do t’i shkonte mendja që pikturat t’i përshkruante me një fjali: thjeshtësi e vrazhdë. Loja e artistit në tablotë me dimensione të mëdha shkon përtej një thjeshtësie të zakonshme. Në një format që duket sikur shkumësi i bardhë ka vizatuar e shkruar mbi dërrasë të zezë nëpër shkollat fillore a të mesme në Kosovë, Bekim Zeqiri ka shpërfaqur një botë që mbërthen vizitorin të futet brenda.
Pa shkëlqime, ngjyra të forta, e tablo që bien në sy për nga megalomania, Zeqiri jep skeletin. Ndërtimi i pjesëve të tjera i mbetet publikut.
E titulluar “Intertitles”, ekspozita e hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës të enjten mbrëma është e pazakontë. Me kuratore Carolyn London, veprat e paraqitura shpërfaqin botën komplekse të artistit. “Intertitles” si fjalë qe fort e pranishme në kohën e filmave pa zë, duke përmbledhur grupet e fjalëve që në ekran paraqiteshin për të dhënë shpjegime se çfarë po ngjante me karakteret. Por ato nuk ishin pjesë e skenës. Tablotë e Zeqirit janë edhe skica skenike, të kostumografisë apo skenar i vizatuar. Teatrin, po ashtu, e ka frymëzim.
Zeqiri, i cili jeton në fshatin Kaçanoll të Mitrovicës në lartësi mbidetare rreth 1600 metra në Shalë të Bajgorës, është njëfarë asketi i artit. Nuk ka as televizor. Shëtit nëpër bjeshkë e i bëjnë fort përshtypje edhe format surreale të drurëve që janë krejt realë.
“Skicat” që i ka sjellë në GKK paraqesin sete të ndryshme të filmave pa zë. Fjalët e shkruara në punime nuk nxjerrin në pah thjesht provokimet që ka si artist. Janë edhe manual i asaj që zhvillohet aty.
“Martesë në tokën e huaj”, është njëri prej përshkrimeve që shpërfaq imagjinatën apo nëndijen se diku tjetër jetohet shumë më mirë. Kjo lidhet jo pak edhe me një trend të ikjes së njerëzve nga Kosova e nga Ballkani. Asocimet mund të jenë nga më të ndryshmet. Por ato nuk vijnë “dhuratë”. Mjeshtëria e Zeqirit bën që publiku të jetë aktiv. Të futet në skena e ta lëshojë imagjinatën t’i ndërtojë ato. Arti i tij do publik aktiv.
Vetë artisi ka shpjeguar se piktura është një prej mediumeve më të përdoruara të njerëzimit dhe art që e ka e ka definuar kulturën botërore. Ka përmendur se ka studiuar në Akademinë e Arteve në Düsseldorf, dhe se ky institucion kishte profesor e edhe drejtues një prej artistëve më të njohur gjerman, Joseph Beuys. Krijuesi i lëvizjes së njohur “Fluxus”, me influencë të jashtëzakonshme në disa fusha, Beuys (1921 – 1986) mendonte se idetë e tij për skulpturën sociale mund të reformonin shoqëritë dhe politikën. E studentët e dikurshëm të Beuys kanë qenë profesorë të Zeqirit.
“Fatmirësisht Akademia ku unë isha student ka nisur të shkojë prapa te mediumet e vjetra. Më është dukur shumë sfiduese piktura pasi ka shumë konkurrencë. Është dashur të gjej zgjidhje. Nëse isha marrë me diçka të përditshme do të më krijonte shumë monotoni”, ka shpjeguar Zeqiri. Ka thënë se teksti, ideja e teatrit, ideja e pikturës që nuk flet kanë zgjuar kureshtje te ai.
“Rrëfimet janë të ndryshme. Përpiqem të kem diçka më të natyrshme, diçka që jemi të mësuar me të por nuk i kushtojmë vëmendje. Pra, ajo nëndija jonë, ajo më intereson shumë. Diçka që e kemi rutinë njerëzore”, ka shpjeguar ai. Nuk është e lehtë që idetë t’i “gdhendë” deri në masën sa me pak vija t’u japë përgjigje preokupimeve.
“Procesi ndoshta nis si diçka shumë e ngarkuar por gjatë rrugës të panevojshmet largohen”, ka thënë ai. Ka elaboruar në detaje se përse e do thjeshtësinë.
“Është ajo ideja se ‘nuk kisha kohë të ta shkruaja një letër të shkurtër por e shkrova një të gjatë’. Unë qëndroj shumë kohë i ulur në karrige dhe është një lloj meditimi shumë i mundimshëm e me shumë vetmi. Së pari duhet ta bindi veten për idenë e pastaj më duhet të dal te publiku”, ka thënë ai. Zeqiri ka hapur disa ekspozita personale në Gjermani dhe një në New York. Në biografinë e tij prej 2011-s nuk ka shënime. Por në bazë të punimeve shihet se kalon shumë kohë që të thotë pak. Por është kuptimplotë. Përballë veprave të tij publiku edhe mund ta krijojë ndjesinë se është përballë një ekrani kinemaje. Por “filmi” nuk përfundon aty. Skenat duhen marrë me vete për t’ua dhënë ngjyrat secili sipas provokimit që ka përjetuar.
Kuratorja Carolyn London ka thënë se bëhet fjalë për një lloj tensioni midis dialogut dhe pritshmërisë të atyre që i shohin punimet.
“Më duket sikur pritet të ndodhë diçka. Pra, janë si episode. Pastaj duhet imagjinuar pak se çfarë po ndodh. Nuk mund të jesh pasiv para këtyre punimeve, duhet të mendosh pak, dhe kjo më pëlqen. Mendoj se të ftojnë të jesh më afër dhe të kalosh pak kohë”, ka thënë ajo. Ka shtuar se publiku duhet t’i ndiejë pak dhe kupton se artisti është i ndikuar nga teatri. Veprat lirisht mund të shihen edhe si skena teatri. E kanë plotësisht edhe atë format.
“Më duket se krejt janë fillime të storieve që duhen kompletuar. Është ajo ndjesia që të shtyn të mendosh se çfarë mund të zhvillohet”, ka thënë artisti nga Kosova me nam botëror, Petrit Halilaj, i cili nga aeroporti ka arritur drejt e në ekspozitë.
Si diçka të jashtëzakonshme për opinionin vendor e ka përshkruar ekspozitën piktorja e profesoresha universitare Zake Prelvukaj. Ka thënë se bëhet fjalë për art inteligjent.
“Studentët tanë duhet të mësohen ta absorbojnë edhe këtë. Bekimi ka bërë një punë të mirë që është e nevojshme dhe uroj që të kemi ekspozita të tilla në këtë galeri”, ka thënë ajo.
Zeqiri me veprat e tij ka freskuar goxha GKK-në e nëpërmjet saj edhe publikun e artit pamor. Përtej asocimit me dërrasat e zeza që përdoren për mësimdhënie, pikturat e tij dëshmojnë nivel përgatitjeje e studimi, duke bërë që veprat të shpërfaqin rrëfime të thjeshta e të ndërlikuara njëkohësisht. “Dërrasat e zeza” do të jenë në GKK deri në ditën e 20-të të prillit. E sa do të bëhet aty mësimnxënie mbetet të shihet.
