Kulturë

Filharmonia kthehet nga Portugalia ku hapi kapitullin e diplomacisë kulturore

Përderisa në Lisbonë të hënën, sipas zyrtarëve të Filharmonisë, ishin shpërndarë 1004 bileta, Katedralja e qytetit Braga të mërkurën ka qenë e mbushur. Ekipi prej mbi 100 vetash të enjten është kthyer në Prishtinë. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, disa orë pas mbërritjes në kryeqytet, ka thënë se bëhet fjalë për një pritje e organizim të përkryer. Diplomaci kulturore i ka cilësuar dy koncertet, kompozitori Valton Beqiri, autor i veprës “Rrugëtimi” që ishte pjesë e programit

Portugalia do ta njihte Kosovën si shtet në tetorin e vitit 2008, pa u bërë një vit prej shpalljes së Pavarësisë. Por potencialin e saj muzikor, sa i përket krijimtarisë e nivelit interpretues e ka njohur pas më shumë se një dekade. Filharmonia e Kosovës ka përmbyllur rrugëtimin në shtetin buzë Atlantikut me dy koncerte. Pas atij në Lisbonë, qyteti verior Braga ishte stacioni i së mërkurës. Edhe aty janë paraqitur me të njëjtin program.

Përderisa në Lisbonë të hënën, sipas zyrtarëve të Filharmonisë, ishin shpërndarë 1004 bileta, Katedralja e qytetit Braga të mërkurën ka qenë e mbushur. Ekipi prej mbi 100 vetash të enjten është kthyer në Prishtinë.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, disa orë pas mbërritjes në kryeqytet, ka thënë se bëhet fjalë për një pritje e organizim të përkryer.

“Ka qenë tepër emocionale. Sapo kemi nisur të interpretojmë kanë nisur duartrokitjet pas çdo pjese. Kënaqësia ishte tepër e madhe. Duartrokitjet pas secilës pjesë na jepnin vullnet dhe na bënin që të kuptonim se sa të mirëpritur jemi”, ka thënë Jashari derisa ka përshkruar koncertin në qendrën kulturore “Belém” në Lisbonë. Sipas tij, programi ishte i balancuar. “Baresha” e Rexho Mulliqit pikërisht në 100-vjetorin e lindjes së kompozitorit ka qenë vepra e parë, përderisa ajo ka shpalosur traditën muzikore shqiptare, nën orkestrim të Gridi Krajës, sipas Jasharit kompozimi është shndërrua në një vepër artistike orkestrale që në thelb është muzikë origjinale në tabanin popullor tipik shqiptar.

“Është vërejtur edhe atje me komente duke na treguar se sa iu ka pëlqyer”, ka thënë ai. Në shenjë respekti për nikoqirët më pas sopranoja Arta Jashari kishte interpretuar këngën e Ferrer Trindade, “Canção do Mar” (Kënga e detit). E më pas ishte interpretuar vepra e kompozitorit Valton Beqiri, “Rrugëtimi”. Jashari ka thënë se kjo vepër shpalos historinë e këtyre anëve me shumë mjeshtëri.

“Pavarësisht se është në gjuhën shqipe edhe atje është pritur shumë mirë. Me këtë vepër kemi dashur të tregojmë se kush jemi ne jo veç si institucion, por edhe duke prezantuar krijimtarinë tonë”, ka thënë ai.

Kompozitori Beqiri, i cili ishte i pranishëm në Lisbonë e Braga, ka thënë se është i kënaqur që janë transmetuar emocioni dhe mesazhi i veprës e bashkë me të edhe një mesazh i përgjithshëm mbi kulturën dhe artin muzikor shqiptar në përgjithësi.

“Jam i bindur që aktivitetet e tilla e të ngjashme shpeshherë e kanë impaktin shumë më të fuqishëm sesa politika apo diplomacia. Edhe pse pa përkrahjen e tyre e posaçërisht angazhimin e interesimin e madh të ambasadorit Ylber Kryeziu për promovimin e Kosovës nëpërmjet artit e kulturës, nuk do të ishte e mundur të bëheshin këto aktivitete”, ka thënën ai. Sipas Beqirit, fakti se “Rrugëtimi” ishte në program dëshmon edhe intencën e Filharmonisë që pos krijimtarisë muzikore të prezantojë edhe nivelin artistik të Korit dhe Orkestrës.

Koncertet janë përmbyllur me disa pjesë të veprës së Karl Jenkins, “Njeriu me armë: Meshë për paqe”. E kompozuar gjatë periudhës së luftës në Kosovë, vepra paraqet përgatitjen për luftë, zhvillimi i saj e britmat e viktimave, por duke shërbyer si një terapi për paqe. Pohimi se pranimi i së vërtetës është hapi kryesor për të shkuar drejt një paqeje, më së miri deshifrohet nëpërmjet përjetimit të fakteve. Imazhet e vrazhda të viktimave në Kosovë gjatë viteve 1998-1999 e kishin frymëzuar kompozitorin që të bënte një alamet vepre.

“Nën një është vepër muzikore atraktive. Jam i bindur se shumica nuk e dinë se u është dedikuar viktimave të Kosovës, edhe pse luhet gjithandej botës”, ka thënë drejtori i Filharmonisë njëkohësisht dirigjent i koncerteve, Baki Jashari. Sipas tij, Kosova me këto koncerte ka dërguar mesazhe paqeje për botën pasi gjithë njerëzimi po ballafaqohet me luftë.

“Në kontekstin ndërkombëtar konsideroj se programi ka qenë ideal. Mund ta themi këtë me gojën plot se pas gjithë atyre reagimeve pas koncertit. Pas koncerteve kam pritur me radhë duke i përshëndetur njerëzit e duke marrë komente. Besoj se kemi bërë një diplomaci kulturore shumë të mirë. Institucionet tona konkurrojnë në tregun evropian”, ka thënë ai.

Edhe me koncertin e dytë, sipas Ministrisë së Kulturës, “publiku portugez përjetoi bukurinë dhe madhështinë e muzikës klasike në ndërtesën më të vjetër fetare në Portugali, Katedralen e qytetit verior Braga”. “Me repertorin e saj të gjerë, Filharmonia e Kosovës, për herë të dytë gjatë javës kulturore, përmes tingujve shqip arriti të krijojë një përvojë vërtetë të paharrueshme për të pranishmit”, ka shkruar MKRS-ja në një postim.

Image
Katedralja e shekullit XVI ku ka mbajtur koncert Filharmonia, konsiderohet si njëri prej monumenteve kryesore në Portugali (Foto: MKRS)

Kori i Filharmonisë muajin tjetër do të interpretojë në Tiranë në një bashkëpunim me Teatrin e Operës dhe Baletit në shtetin shqiptar. Më pas do të vazhdojë me performancë në Greqi. E për sivjet Portugalia do të mbetet hapi më i madh.

Menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se pas Parisit dhe pandemisë që ndali në gjysmë disa prezantime ndërkombëtare të Filharmonisë, kjo në Portugali është pikëndalesa më e rëndësishme e prezantimit të institucionit në dekadën e fundit.

Ka treguar se si ide e kishte diskutuar me ambasadorin e Kosovës në Lisbonë, Ylber Kryeziu, qysh vitin e kaluar.

“Portugalia është një vend me të cilin Kosova nuk ka shkëmbime kulturore, ose janë tejet të pakta. Jemi të lumtur që ndodhi tani, ndoshta në një format edhe më të plotë në kuadër të Javës Kulturore të Kosovës, ndryshe nga që ishte menduar fillimisht”, kishte thënë Selimaj të hënën pas koncertit në Lisbonë. Kishte treguar se pritja nga stafi dhe ekipi i qendrës kulturore të “Belemit” në Lisbonë ka qenë një ndihmesë e madhe, e kështu edhe e publikut portugez, i cili nga komunikimi me ta duket se ka pak informacion për Kosovën.

“Ata që kanë dëgjuar për Kosovën nuk dinë shumë përtej luftës. Bashkë me mikpritjen portugeze, ekipi i Ambasadës se Kosovës ka qenë jashtëzakonisht mbështetës”, kishte thënë ai. E Ambasada e Kosovës këtë javë ia ka dalë që nëpërmjet botimeve, filmit “Zgjoi”, e koncerteve të Filharmonisë të përdorë diplomacinë nëpërmjet një prej armëve më të forta që ka Kosova – kulturën.

Image
Sipas drejtorit të Filhamrminisë, Baki Jashari, Kosova me këto koncerte ka dërguar mesazhe paqeje për botën pasi gjithë njerëzimi po ballafaqohet me luftë (Foto: MKRS)