Kulturë

“Balkan Trafik” në dinamikën e Prishtinës për ura midis kulturave

“Balkan Trafik” tash e 17 edicione udhëton nëpër vende të ndryshme të Evropës. Edhe këtë vit, disa prej ngjarjeve s’e anashkalojnë Kosovën

Më shumë se 50 gazetarë e artistë nga Kosova e Belgjika janë mbledhur në Prishtinë për të paralajmëruar festivalin “Balkan Trafik” dhe shëtitjen që ata do ta fillojnë nëpër Kosovë për t’u njohur nga afër me kulturën dhe përditshmërinë. “Qëllimi i ‘press trip’ është që këta pjesëmarrës ta tejkalojnë perceptimin që e kanë për Kosovën dhe t’i sjellim ata këtu, do të thotë se do të shohim nga afër jetën dinamike në Prishtinë”, ka thënë Nicolas Wieërs prej “Balkan Trafik”

Njohja e kulturave të vendeve të tjera është një aspekt i rëndësishëm i zhvillimit të shoqërive, dhe për këtë bashkëpunimi është domosdoshmëri. Për t’u arritur, është e rëndësishme që të ndiqet një qasje e hapur ndaj kulturave të tjera dhe të merren hapa drejt promovimit të tyre. Me këtë qëllim edhe festivali “Balkan Trafik” tash e 17 edicione udhëton nëpër vende të ndryshme të Evropës. Edhe këtë vit, disa prej ngjarjeve s’e anashkalojnë Kosovën. “Balkan Trafik” sivjet prej 27 deri më 30 prill mban edicionin e radhës në Bruksel, por me ngjarje shtrihet edhe në vende të ndryshme.

Image
Mbrëmja e së hënës u përcoll edhe me një performancë të shkurtër nga Besnik dhe Zymrije Grajçevci nga ansambli “Shota”

Disa ditë para se të nisë festivali, Zyra Diplomatike e Belgjikës në Kosovë ka bërë bashkë gazetarë e artistë.

Julien Sassel, shef i Zyrës Diplomatike të Belgjikës, ka thënë se ky organizim u bë me qëllimin e tejkalimit të idesë se ambasadat kanë të bëjnë vetëm me politikë dhe të krijojnë ura lidhëse midis kulturave. Ka thënë se rol i ambasadave është edhe t’i bëjë njerëzit bashkë duke parë përtej dallimeve të tyre, duke u njohur me kulturat e njëri-tjetrit.

“Nëse flasim në përgjithësi është ky koncepti i diplomacisë publike dhe është e vërtetë se fatkeqësisht për shumë arsye, nganjëherë për arsyet e duhura, nganjëherë për ato të gabuara, ambasadat lidhen me gjëra më pak të këndshme si politika, investimet ekonomike ose vizat. Unë besoj se ambasadat e kanë edhe një rol të rëndësishëm, atë që t’i bëjnë njerëzit bashkë. Dhe kjo bëhet më së miri nëpërmjet kulturës. Jo vetëm duke e promovuar dhe duke e kuptuar kulturën e njëri-tjetrit, por edhe duke e parë atë nga afër”, ka thënë Sassel.

Mbrëmja erdhi si pjesë e festivalit “Balkan Trafik” organizuar prej Nicolas Wieërs. Në kuadër të disa aktiviteteve Wieërs sjell edhe një udhëtim nëpër Prishtinë me gazetarë belgë, në mënyrë që të përjetohen Prishtina dhe kultura e saj nga afër. Organizatori i festivalit ka thënë se ky udhëtim do të ndikojë edhe te perceptimi që të tjerët kanë për Kosovën.

“Jam duke e organizuar një ‘press trip’ me 12 gazetarë nga Belgjika dhe nga mediat evropiane. Do të vizitojmë dhe takojmë artistë dhe aktivistë kosovarë. Aktivistë për mbrojtjen e ambientit, për barazi gjinore, të cilët po i ftojmë në festivalin tonë. Qëllimi i ‘press trip’ është që këta pjesëmarrës ta tejkalojnë perceptimin që e kanë për Kosovën, dhe t’i sjellim ata këtu, do të thotë se do të shohim nga afër jetën dinamike në Prishtinë”, ka thënë Wieërs.

Artistë nga Kosova do të jenë pjesë e ngjarjeve kulturore që do të zënë vend nëpër hapësirat e ndryshme në Prishtinë. Wieërs ka përmendur Dren Abazin dhe “Zig Zag Orkestrën”, Fitore Berishën dhe ansamblin “Shota”, si artistë e institucione kulturore të cilët do të performojnë.

“Në kuadër të festivalit ‘Balkan Trafik’ do të vijnë artistë të njohur si Dren Abazi dhe ’Zig Zag Orkestra’. Po ashtu Fitore Berisha, një piktore e muraliste njëherësh edhe aktiviste për barazi gjinore e feministe, gjë që është shumë e rëndësishme sepse ka shumë njerëz në Bruksel që mendojnë si ajo. Kjo është një mënyrë që e kam gjetur për të treguar se të gjithë jemi të njëjtë. Dhe ky festival po i bën bashkë komunitetin kosovar dhe atë belg”, ka thënë ai.

Mbrëmja e së hënës u përcoll edhe me një performancë të shkurtër nga Besnik dhe Zymrije Grajçevci nga ansambli “Shota”. Është viti i dytë që po marrin pjesë në këtë festival, i cili, sipas tyre, e bën bashkëpunimin e afërt me ta dhe me artistë të tjerë.

Besnik Grajçevci ka thënë se “Shota” si ansambël kombëtar i këngëve dhe valleve paraqet më së miri këtë pjesë të kulturës, andaj edhe pjesëmarrja e tyre në këtë festival vjen edhe me më shumë rëndësi dhe përgjegjësi.

“Është një përvojë jashtëzakonisht e mirë, ku në vazhdimësi ‘Balkan Trafik Festival’ me bashkëpunëtorët e vet e mban bashkëpunimin shumë afër e të ngrohtë dhe vazhdimisht të kërkon, të tërheqë e të ofron diçka për bashkëpunim”, ka thënë Grajçevci.

Në hapësirat e “Termokis”, Zenel Laçi ka sjellë një solo-performancë në të cilën ai e rrëfen rrugëtimin e tij drejt mërgimit. Sfidat në kërkim të një jete më të mirë, ai i ka kthyer në art duke mos e kursyer publikun nga asnjë detaj, as nga ai ku e ka lënë shkollimin në moshën 14-vjeçare. Tash e dy gjenerata ai dhe familja e tij jetojnë në Bruksel.

“Është historia ime, një djalë i emigrantit të viteve ‘70, në një familje patriarkale. Baba ëndërronte të shkojë në Amerikë. Na kufizoi neve 5 fëmijëve vetëm të punojmë, me mbledh para në mënyrë që të shkojë dhe ta realizojë ëndrrën e tij. Fati i tij e gjeti një lokal aty ky përgatitej pomfrit, një specialitet i Brukselit, ne nuk kishim ide se si përpunohen patatet, dhe mua më mori nga shkolla dhe më futi në punë si 14-vjeçar”, ka thënë Laçi.

Në kuadër të festivalit, në kryeqytet do të vijnë edhe murale nga Fitore Berisha dhe artistë të tjerë nga Belgjika, si dhe ngjarje të tjera kulturore.