Kulturë

Bota e karikaturës bashkon portretet e Shën Terezës me mesazhe bamirësie

Descriptive Text

“Portreti i Nënës Terezë” dhe “Bamirësia” kanë qenë dy temat në të cilat mbi 600 karikaturistë nga të katër anët e botës i janë përgjigjur Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës. Janë 80 prej tyre që janë bashkuar në Prishtinë, në ekspozitën e cila është hapur me ndarje çmimesh. Çmimi kryesor ka mbetur në Kosovë dhe i ka takuar Gëzim Pozhegut 

Janë 80 karikatura që emërues të përbashkët kanë mesazhe paqeje e bamirësie. Gjysma prej tyre portretizojnë Shën Terezën tek shfaqet me krahë engjëlli, herë me aureolë mbi kokë e herë-herë edhe me foshnjë në krah. Një gjë e tillë është e kuptueshme kur zbërthehen jeta dhe vepra e shenjtores shqiptare. Të gjitha karikaturat, prej të mërkurës mbrëma, i ka bashkuar në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës “Kosova 2023”.   

Karikatura rëndom përdoret si soj ironie a kritike. Ekzagjerimi dhe komikja janë dy ndër elementet kryesore të saj. Megjithatë, karikatura përdoret edhe për të dhënë një ide a për të përçuar një mesazh. Një gjë të tillë ka pasur si pikësynim edhe Festivali Ndërkombëtar i Karikaturës, i cili në këtë edicion, të pestin, ka vendosur të japë mesazhe paqeje. 

“Portreti i Nënës Terezë” dhe “Bamirësia” kanë qenë dy temat në të cilat u është kërkuar të punonin karikaturistët. Nënë Tereza duket se ka qenë edhe lidhja më e fortë midis Kosovës dhe vendeve të tjera. 

Në edicionin e sivjetmë kanë marrë pjesë karikaturistë vendesh të ndryshme si: Algjeria, Armenia, Austria, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Kolumbia, Kina, India e shumë të tjera. Prej më shumë se 600 aplikimeve juria vendore, në përbërje nga Zef Shala, Agim Krasniqi, Samedin Latifi, Sabri Behramaj dhe Krenare Sylejmani, ka përzgjedhur 80 karikaturistë veprat e të cilëve janë pjesë e ekspozitës. Festivali ka pasur edhe jurinë ndërkombëtare të përbërë nga  Damir Novak nga Kroacia, Menekse Cam nga Turqia, Amna Al Hammadi nga Arabia Saudite, Valentin Georgiev nga Bullgaria, Fadi Abou Hassan nga Norvegjia dhe Keti Radevska nga Maqedoni e Veriut, e cila ka marrë pjesë gjithashtu në përzgjedhjen e fituesve. 

Image
Karikatura e Gëzim Pozhegut, fituese e Çmimit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Karikaturës “Kosova 2023”

Sipas vendimit të jurisë, vendin e tretë e ka marrë Walter Toscano nga Peruja, të dytin Mastaneh Fatemi nga Irani dhe i pari mbeti në Kosovë. E mori Gëzim Pozhegu. Përveç këtij të fundit, dy fituesit e tjerë nuk ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes dhe të ndarjes së çmimeve. 

Pas përfundimit të ceremonisë, nën emocione të shumta, Pozhegu ka thënë se konkurron në secilin edicion dhe çmimi ka qenë befasi për të.  

“Po ndihem shumë mirë pasi ky është shpërblimi i parë për vendin e parë në karrierën time. Kam marrë pjesë në shumë festivale, por kam pasur shpërblime si ‘karikaturisti i muajit’, ‘karikaturisti i nderit’ e kështu me radhë, por për vendin e parë jo”, ka thënë ai. 

Të tre fituesit e garës kryesore për temë kanë pasur “Nënë Terezën”, ndërsa për temën “Bamirësia” u dhanë dy çmime nderi. Të parin e mori Endri Beqo nga Shqipëria, ndërsa çmimi të dytin Darko Drleviq nga Mali i Zi. 

Në veprën e cila ia siguroi vendin e parë Pozhegu ka paraqitur Nënë Terezën, e cila si një engjëll duket sikur bën dritë mbi një kasolle të vogël. Pak më larg, pikturuar në të zeza, shihen ca ndërtesa të larta. Në tërësi karikatura shquhet nga ngjyrat e errëta, të cilat vënë në pah figurën e Nënë Terezës, të pikturuar me një të kaltër të lehtë.

“Punimi i karikaturës ka qenë i vështirë, por jo edhe aq, sepse ka qenë një temë që na ka fjetur neve, sepse është Nënë Tereza, nëna jonë. E ndiejmë më shumë dhe kjo e ka bërë shumë më të lehtë”, ka thënë shkurt Pozhegu.

Themeluesi i festivalit, Agim Krasniqi – KraGi, ka thënë se juria, ku bën pjesë edhe vetë ai, ka pasur jo pak punë. 

“Prej këtyre 600 karikaturave më së vështiri e ka pasur juria lokale. Juria lokale e ka pasur një punë që prej 600 karikaturave t’i zgjedhë ato që janë më të mirat, të cilat dallohen prej të tjerave dhe të cilat kanë vlerë. Ashtu që mund të them se karikatura që nuk ka një mesazh të fortë ajo nuk është karikaturë”, ka thënë Krasniqi. 

Në rolin e themeluesit dhe organizatorit të këtij festivali, Krasniqi ka ndarë edhe pesë çmimet speciale për karikaturat me temë “Nënë Terezën” e të cilat i morën: Valery Alexandrov nga Bullgaria, Bilig Ba e Zhu Zizun nga Kina, Pal Ephaft nga Serbia dhe Marian Avramescu nga Romania. Ndërkaq gjashtë çmime speciale u dhanë për temën “Bamirësia” e me to u nderuan: Oleg Gutsol nga Ukraina, Izabela Kowalska Wieczorek nga Polonia, Marzieh Khanizadeh Abyaneh nga Irani, Dragutin Dado Kovaçeviq nga Kroacia dhe M. Zlatkovsky dhe Cival Einstein nga Brazili. 

Albenita Gashi, bashkëpunëtore e këtij festivali dhe anëtare e organizatës “KrAgi”, e cila e organizon, ka thënë se festivali tashmë ka një shtrirje të gjerë. 

“Ky është edicioni i pestë që po mbahet në Kosovë. Domethënë organizata ‘Kragi’ është organizuese e këtij festivali dhe po e paraqet Kosovën në mënyrën më të mirë ndërkombëtarisht. Kanë marrë pjesë 636 karikatura gjithsej, por janë përzgjedhur vetëm 80 prej tyre. Ka qenë paksa e vështirë, por më shumë kemi qenë të motivuar ta prezantojmë Kosovën sa më mirë në një festival të tillë ndërkombëtar”, ka thënë Gashi. 

I pranishëm në hapjen e ekspozitës ishte edhe Dom Lush Gjergji, i cili ka çmuar vendimin që temë e Festivalit  të jetë portretizimi i Shën Terezës. 

“Për mua është një kënaqësi e madhe. Prej takimit të parë që e kam pasur me Agimin dhe më ka treguar se çka mendon dhe dëshiron të realizojmë, e kam përkrahur me mish e me shpirt. Për Nënën Terezë, në të gjitha lëmenjtë e krijimtarisë, përpos në karikaturë, deri më tash kemi pasur shumë aktivitete. Jua përkujtoj librin tim ‘Lule për Nënën’ poezi, prozë, pikturë, skulpturë, 158 autorë nga vende të ndryshme edhe shqipfolëse, por edhe nga bota, sidomos nga arbëreshët e Kalabrisë dhe Sicilisë”, ka thënë ai. Ekspozita e Festivalit do të qëndrojë e hapur një javë.