Teksa dokumenton për atë që s’është dokumentuar për luftën e veçmas për viktimat civile, dokumentari “Kosova monumentale e paradokseve” – i shfaqur premierë të enjten në kinemanë “ABC”, prej organizatës joqeveritare “Integra” në bashkëpunim me Kohavisionin – është thirrje për veprim, alarm për gjendjen e tanishme dhe pasojat e mosveprimit. Me autor Shaban Maxharrajn, gazetar i KOHËS, e producent Kushtrim Koliqin, “Kosova monumentale...” nxjerr në pah betejën kontradiktore të monumenteve e memorialëve
Nëse historia më e re e Kosovës lexohet nëpërmjet memorialëve, rezultati është një narracion paradoksal, i mjegullt e zor i kuptueshëm. Ai për viktimat civile është diku i strukur. Dhe për të bërë këtë mjafton një shëtitje nëpër monumente e memorialë të pasluftës. Këtë e zbërthen dokumentari “Kosova monumentale e paradokseve” dhe ajo që shtjellon me shembuj konkretë paralajmërohet qysh në titull. Ndalet në muze që janë nisma private për ta ruajtur kujtesën kolektive. Përfundimi vjen qartazi: shteti tok me shoqërinë kanë dështuar në dokumentimin e luftës, pasojave të saj, veçmas te civilët. Dokumentari televiziv – i shfaqur premierë të enjten në kinemanë “ABC”, prej organizatës joqeveritare “Integra” në bashkëpunim me Kohavisionin – është thirrje për veprim, alarm për gjendjen e tanishme dhe pasojat e mosveprimit. Me autor Shaban Maxharrajn, gazetar i KOHËS, e producent Kushtrim Koliqin, “Kosova monumentale...” nxjerr në pah betejën kontradiktore midis monumenteve e memorialëve. Nis te një muze, nismë familjare. Hapja e derës së “Muzeut të martirëve të familjes Berisha” pasohet nga rrëfimi i përgjegjësit të muzeut Hysni Berisha, i cili shpalos historinë e trishtë që bart hapësira. Më 26 mars 1999 aty ishin masakruar fëmijë, pleq e gra. Pamjet që jepen paraqesin shenjat e masakrës nëpërmjet fotografive e gjësendeve tjera të viktimave që tashmë janë kthyer në eksponate. E tillë është edhe shtëpia e Ferdonije Qerkezit në Gjakovë së cilës i janë marrë me forcë dhe vrarë bashkëshorti dhe katër djemtë e saj. Në dokumentar ajo rrëfen se shpalosja e krimeve që janë kryer nga forcat serbe në Kosovë është arsyeja pse ka vendosur ta kthejë shtëpinë në muze.
“Është e rëndë për mua boll, pasi përditë duhet me shpjegu. Mërzia nuk vjen duke u heqë, por duke u shtu. Dikush thotë letohet. Por jo. Po shkon duke u rëndu, pasi po e shoh edhe veten duke u plakë e po e shoh që nuk ka shenja që ka me u kthy dikush gjallë. Kanë vdekur shenjat që do të kthehet dikush gjallë”, thotë Qerkezi në dokumentarin 38-minutësh. Por shenjat e luftës e gjurmët e fateve të civilëve po zhbëhen përditë e më shumë.
“Kosova monumentale e paradokseve” – i realizuar prej ekipit të KOHËS, të cilit i priu producenti Dardan Selimaj – hedh dritë mbi mënyrat komplekse në të cilat Kosova ka përkujtuar viktimat civile të luftës e ato që u vranë në front. Nëpërmjet tij synohet të nxitet diskutim i rëndësishëm për rolin e monumenteve dhe memorialëve në formësimin e kujtesës kolektive dhe ballafaqimin me të kaluarën.
Muzeu i martirëve të familjes Berisha në Suharekë, Muzeu i familjes Qerkezi në Gjakovë e ekspozita për fëmijët e vrarë e të zhdukur në luftën e fundit e hapur në Prishtinë, janë prej hapësirave që prekin pak nga rrëfimet e tmerrit. Shteti ka pak dorë në to, e kjo është ritheksuar në panelin e diskutimit pas shfaqjes së dokumentarit.
Historiani e publicisti Ylber Hysa diskutimin e udhëhequr prej historianit Durim Abdullahu e ka hapur duke u nisur pikërisht prej titullit të dokumentarit. Ka thënë se ai mund të lexohet në shumë forma, por që në esencë shpërfaq realitetin dhe kontradiktat. Sipas tij, Kosovës ende i mungon një memorial gjithëpërfshirës për luftën me krejt atë që i ka paraprirë asaj, siç është aparteidi ndaj shqiptarëve.
“Unë edhe sot e konsideroj dështim tonin dhe të gjithë neve që nuk kemi ndoshta një monument mu aty ku futesh në Prishtinë, apo në kufi me Maqedoninë, Shqipërinë a Malin e Zi, si një lloj falënderimi, diçka që flet shumë pasi ka pasur shumë fotografi ku në kufi policia merrte dokumentet e civilëve. I ka dëbuar më qëllim për të mos u kthyer kurrë dhe ajo është pamje e fuqishme, sikurse ajo fotoja e famshme e gruas duke ushqyer fëmijën me gji”, ka thënë Hysa para të pranishmëve, kryesisht studentë.
Antropologia Zanita Halimi ka vlerësuar se memorialët nuk përcjellin një rrëfim të qartë për luftën e as për viktimat civile.
“Memorialët e kanë potencialin të rrëfejnë tregime. Ne thjesht e shohim që edhe pse janë të prirë në një lloj mediumi për të transmetuar një kujtesë shoqërore, ajo çfarë është evidente në Kosovë, përmes memorialëve të luftës përcillet vetëm një histori e fragmentuar, pra mungon historia e plotë e rrëfimeve të ndryshme të cilat janë në Kosovë”, ka thënë Halimi, e cila kryeson Bordin e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore.
Rrëfimi në dokumentar vijon me atë se dominon narracioni për heroizëm e që zanafillën e ka të kahershme.

Aktivisti e studiuesi Shkëlzen Gashi në dokumentar, kur ka zbërthyer këtë pikë, ka thënë se narracioni është folkloristik si puna e vargjeve, “Oj Kosovë, mriz me zana, 500 vjet tu pre sulltana”.
“Duke e parë se në shumicën e qyteteve në Kosovë ke vetëm shtatore, buste e pllaka përkujtimore, ose në shumicën dërrmuese të rasteve vetëm për ata që kanë luftuar dhe nuk ke pothuajse fare ose ke shumë pak për viktimat, këtu brezave të rinj u krijohet përshtypja që ne në fakt vetëm kemi luftuar dhe nuk kemi qenë viktimë, gjë që është komplet e gabueshme”, ka thënë Gashi në dokumentar.
“Kosova Monumentale e Paradokseve” vijon me rrëfimin se hapësirat u kanë bërë vend pllakave përkujtimore pa rend a kriter, pa estetikë e harmoni me ambientin. Dëshmohet se si në pak metra katrorë në sheshin kryesor të Prishtinës, nëpërmjet shtatoreve, takohen një luftëtar, Zahir Pajaziti, një humaniste si Nënë Tereza, një pacifist si Ibrahim Rugova dhe heroi kombëtar, Skënderbeu. Midis tyre ka edhe të tjera pllaka a memorialë si ajo përkujtimore për ushtarët e NATO-s, demonstratat e vitit 1968, për vizitën e parë të delegacionit të Senatit Amerikan më 1990 e deri te monumenti për Holokaustin.
Një i veçantë është edhe ai i Elizabeta Hasanit, 5-vjeçares rome, kur emri i saj mungonte në pllakën përkujtimore të masakrës te tregu në Mitrovicë.

Antropologu Arsim Canolli, profesor universitar, në dokumentar jep edhe shembuj konkretë.
“Një ditë isha duke iu treguar studentëve dhe bëmë një ushtrim... nëse një i huaj do ta vizitojë Kosovën dhe e shkruan në Google, ‘Kosova’, menjëherë fjala e dytë i del luftë. Dhe kur e shtyp të kërkojë Kosova War, dalin paraqitje shpeshherë vetëm të narracionit heroik të Kosovës. Jo aq shumë narracion të viktimës. Ne e dimë që kemi qenë viktimë e një përpjekjeje gjenocidale dhe këtë rrëfim duhet t’ia tregojmë botës”, ka thënë ai, teksa prerazi konstaton: “Shteti nuk ka bërë mjaftueshëm. As shoqëria nuk ka bërë mjaftueshëm. As akademikët nuk kanë bërë mjaftueshëm. Ne si shoqëri në përgjithësi kemi bërë shumë pak”.
Nol Binakaj, zëvendësdrejtor i fondacionit kosovar “Trashëgimia kulturore pa kufij”, ka thënë se në dokumentar shpërfaqet mungesa e vizionit për këta memorialë që manifestohet në shumë dimensione.
“Fatkeqësisht një trajtim i tillë është shpërfaqur edhe kur vjen puna tek këto monumentet që unë i cilësoj si pop up pasi që nuk ka strategji, nuk ka qasje multidisiplinare. Është shumë me rëndësi që para krijimit të një vepre monumentale, që nuk mund të jetë me vlera të shtuara arkitektonike, por të jetë e bazuar në një narrativë, por të jetë përmbledhje e sinqertë e një ngjarjeje”, ka thënë Binakaj.
Nëpër pamjet e dokumentarit agresiviteti kundër civilëve del dukshëm, sikurse që shpërfaqet edhe dobësia në punën e bërë për t’i kujtuar viktimat. Aty janë edhe rrëfimet që mund të lexohen në Muzeun e familjes Berisha, asaj Qekezi dhe në ekspozitën “Na ishte njëherë që kurrë mos qoftë” e hapur në bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, si pjesë e mozaikut të historisë së Kosovës jo pak paradoksale kur lexohet nëpërmjet monumenteve.