Kulturë

“Shtëpia e Pavarësisë” nëpër kthesat historike të shtetndërtimit

Vetë objekti, monument i trashëgimisë kulturore, është dëshmi unike e kthesave historike. Aty dikur mbaheshin takimet më me peshë. Në vitin 2002, qe presidenti Ibrahim Rugova që selinë e dikurshme të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, të Presidencës dhe jo vetëm, do ta pagëzonte “Shtëpia e Pavarësisë”. Prej vitit 2007 mban emrin e tij. Në hapësirën prej 84 metrash katrorë, me ekspozitën “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989–1999” shpaloset dekada deri te shtetësia e Kosovës

Artefaktet e muzeut “Shtëpia e Pavarësisë – dr. Ibrahim Rugova” nuk janë çfarëdo. Historia nuk i përcjell shumë prej tyre te gjeneratat e reja e ky muze tenton të hedhë dritë te një kapitull kthesash historike. Aty është dekada nëpër të cilën kaloi Kosova në shtetndërtim.

Ekspozita “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989–1999” me kurator Shkumbin Brestovcin është shpalosje historike nëpërmjet fotografive, shpjegimeve të lëvizjeve e momenteve politike e të gjendjes së shoqërisë, bashkë me ngjarje kryesore historike kur Kosova ishte një nga dy krahinat e ish-Jugosllavisë.

Në ditë të rëndomta në muzeun në rrugën “Enver Zymberi” në kryeqytet ka pak lëvizje. Pllakat e vendosura në njërën pjesë të rrethojave të objektit njëkatësh informojnë për emrin e institucionit e orarin e vizitave, të cilat nuk janë prej më komodeve, pa ngrohje gjatë dimrit. Megjithatë, informacionet që jepen nga aty ngjallin emocione dhe kthejnë kohën, qoftë edhe për një brez që nuk i takon asaj kohe.

“Shtëpia…” e menaxhuar prej Ministrisë së Kulturës dhe monument i mbrojtur nga shteti, dëshmi e nismës për ruajtjen e shpalosjen e trashëgimisë jo vetëm politike të presidentit.

Image
Në ditë të rëndomta në muzeun në rrugën “Enver Zymberi” në kryeqytet ka pak lëvizje. Vizitat nuk janë fort komode në hapësirën pa ngrohje gjatë dimrit

Artikuj gazetash e blloqe të ilustruara paraqesin fakte historike si njohje me historinë e Kosovës për brezat më të rinj e vizitorë ndërkombëtarë. Fokus i veçantë i kushtohet presidentit Rugova, i cili edhe e kishte pagëzuar objektin si muze me emrin “Shtëpia e Pavarësisë” në vitin 2002. Këtij emërtimi, ish-presidenti Fatmir Sejdiu ia kishte bashkangjitur edhe emrin e Ibrahim Rugovës më 2007, një vit pas vdekjes së tij.

Shkrime në të cilat presidenti Rugova shprehte kritikat e tij ndaj agresionit serb, fushatat e mediave serbe kundër tij, vdekja e presidentit dhe zhvillimet politike gjatë asaj periudhe prezantohen nëpër kornizat që në tërësi janë pjesë e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtet-ndërtimi 1989–1999”. Autori i saj, Shkumbin Brestovci, ka thënë se koncepti i ekspozitës ka qenë tregimi nëpërmjet ilustrimeve e fakteve, pa insistuar në një interpretim të caktuar. Ekspozita ishte hapur në dhjetorin e 2020-s në përvjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“E kam konsideruar të rëndësishme t’i paraqes gjithë akterët, gjithë pjesëmarrësit, pa e lënë dikë anash dhe pa u munduar ta bëj dikë më protagonist se tjetrin”, është shprehur Brestovci.

Sipas Brestovcit, materialet e ekspozitës ofrojnë përmbledhje të thuktë të fakteve. Aventurë të vërtetë dhe mjaft të mundimshme e me shumë përgjegjësi, e ka konsideruar gjithë procesin. Për publikun ka drejtuar thirrjen që t’i dhurojnë muzeut materiale historike që i posedojnë me qëllim pasurimin e mëtejmë të tij.

“Pjesën më të madhe të ekspozitës e zë rezistenca paqësore e viteve ’90, në fakt muzeu është themeluar për nder të saj. Megjithatë duke pasur parasysh se dija e përgjithshme rreth historisë së Kosovës është shumë e mangët, e kam parë të arsyeshme të paraqes edhe kontekstin historik. Kjo është bërë nëpërmjet një kronologjie të fakteve historike prej antikës deri në shekullin 20”, ka thënë Brestovci.

Rrëfimi aty skalit në kujtesë data, ngjarje, pika kthesash. Helmimi i mbi 7 mijë personave më 1990, shumica nxënës të shkollave të mesme, mbyllja e Radiotelevizionit të Prishtinës dhe gazetës së vetme të shtypur atë kohë “Rilindja”, sulmet e serbëve në arsim, vrasja e intelektualëve, ligjet diskriminuese e jo vetëm, janë disa nga ngjarjet që përbëjnë kapitujt. “Në periudhën 19 mars - 6 dhjetor 1990 u helmuan rreth 7.000 persona me helmin ushtarak sarin. Ky helmim filloi 3 ditë pas përfundimit të procesit të segregacionit të shkollave…”, shkruhet brenda tekstit të shoqëruar edhe me një hartë të Kosovës, që paraqet vendet ku ndodhen helmimet masive të nxënësve.

Fotografi prej masakrave vijnë si dëshmi se sa brutal dhe i pamëshirshëm ishte agresioni serb. Imazhi i gurit të kufirit shqiptaro-shqiptar zë vend aty bashkë me informacionet për Konferencën e Rambouillet, përbërjen e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zonat operative, betejat, deri te përfundimi i luftës dhe çlirimi i Kosovës. Ngjarje të tjera politike, si shpërbërja e ish-Jugosllavisë, themelimi i Lidhjes Demokratike, shpallja e Kushtetutës së 2 korrikut 1990 para Kuvendit të Kosovës e asaj të 7 shtatorit të atij viti në Kaçanik, sipas të cilave Kosova shpallej njësi e pavarur dhe e barabartë e Federatës së ish-Jugosllavisë, veçse e pasurojnë me të dhëna këtë periudhë jo të largët, por historike për Kosovën.

Eksponate të tjera – si lapsi, syzet, librat e shalli i presidentit Ibrahim Rugova – gjendeshin në muze, e të cilat ishin dërguar në Muzeun Kombëtar.

Bekim Gashi, përgjegjës i muzeut “Shtëpia e Pavarësisë - dr. Ibrahim Rugova”, ka paralajmëruar rikthimin e tyre më 23 maj në përvjetorin e zgjedhjes së Rugovës si president i parë i Kosovës. Aty zinin vend edhe lapsi i Fehmi Aganit dhe çanta e telefoni i Xhemajl Mustafës.

“Për rreth 10 vjet ky objekt ka shërbyer si presidencë, qeveri, kuvend, pra të gjitha vendimet e rëndësishme për 10 vjet rresht janë marrë në këtë objekt dhe për rëndësinë që ka pasur, që edhe shkatërrohet nga forcat serbe më 1999, presidenti Rugova e pagëzon në vitin 2002 me emrin ‘Shtëpia e Pavarësisë’, ndërsa e merr edhe emrin e tij të bashkangjitur në vitin 2007, një vit pas vdekjes së tij nga ish-presidenti Sejdiu. Pra 10 vjet rresht punë dhe angazhim për shtetndërtimin tonë kanë filluar në këtë objekt”, ka thënë Gashi.

Vitin e kaluar, sipas tij, muzeu ka pasur mbi 1200 vizitorë. Numri i tyre kishte rënë gjatë pandemisë kur edhe ishte mbyllur për një kohë me udhëzimin e institucioneve qendrore.

“Muzeu frekuentohet nga një numër i madh i vizitorëve, kryesisht më së shumti kemi gjatë kohës së verës, sigurisht edhe mërgata që vjen. Vizitohet edhe nga faktori ndërkombëtar, nga njerëz me ndikim të politikës së jashtme”, ka thënë ai.

Në muze zë vend edhe imazhi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. 109 deputetë shpallën njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

Objekti deri në vitin 1988 ka shërbyer si zyre e “KosovaFilmit”, më pas i është dhënë në shfrytëzim Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës kur Ibrahim Rugova ishte zgjedhur kryetar i saj. Pas një viti u themelua Lidhja Demokratike në këtë objekt dhe për 10 vjet objekti shërbeu si Presidencë. Ishte objekt me rëndësi për skenën politike në Kosovë, prandaj në vitin 1999 edhe kishte pësuar dëme nga forcat serbe.