Ndryshime rrënjësore parashihen me projektligjin për artin dhe kulturën, i cili aktualisht është në diskutim publik. Me të shfuqizohen katër ligje aktuale, themelohen e bashkohen institucione të reja. Përderisa ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e quan çlirim e decentralizim institucionesh, me projektligj i janë projektuar jo pak kompetenca të reja. Për disa pjesëtarë të komunitetit kulturor, një Ligj si ky është kthim prapa ose kundërta e asaj që proklamohet
Synimet për një reformë të thellë në organizmin dhe menaxhimin e institucioneve qendrore të kulturës, Ministria e Kulturës i ka çuar deri në projektligj. Aktualisht, në konsultime publike është projektligji për artin dhe kulturën. Qëllimi është që nëpërmjet këtij projektligji, të themelohen institucione të reja, të bashkohen disa institucione aktuale, të ndryshojë hierarkia e menaxhimit dhe të shfuqizohen katër ligje aktuale. Këto synime ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i ka pasur qysh në fillim të mandatit. Por ka arritur që t’i konkretizojë në letër pas dy vjetësh qeverisjeje. Pas krejt kësaj pune edhe vetë ministri ka dyshime. Nuk është i sigurt se do të funksionojë kjo reformë.
Pas dhjetëra takimeve publike të mbajtura me komunitetin artistik, MKRS-ja ka hartuar koncept-dokumentin për kulturë e bazuar në të edhe Projektligjin për artin dhe kulturën.
Themelim, shkrirje e bashkim institucionesh
Krejt në fillim të projektligjit përcaktohet se institucionet publike qendrore të artit dhe kulturës janë Teatri Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës, Opera, Baleti dhe Ansambli Kombëtar, Galeria Kombëtare e Kosovës, Muzeu i Artit Bashkëkohor, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Qendra Kinematografike e Kosovës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, dhe Instituti Kulturor i Kosovës.
Muzeu i artit bashkëkohor nuk ekziston ende ashtu sikurse instituti kulturor i Kosovës. Për të parin prej vitit të kaluar është duke punuar një Këshill iniciues, por ende nuk kanë publikuar ndonjë arritje konkrete. Kurse ai që quhet institut, për herë të parë publikisht përmendet në këtë Projektligj.
Nëpërmjet këtij projektligji, Ministria e Kulturës synon që t’ia marrë Kuvendit të Kosovës mandatin e themelimit të institucioneve qendrore të kulturës. Në nenin e 5-të të projektligjit përcaktohet se “Ministria përkatëse për kulturën mund të themelojë institucione publike nga fusha e artit dhe kulturës të nivelit qendror”. Aty po ashtu shkruhet se komunat mund të themelojnë institucione publike nga fusha e artit dhe kulturës të nivelit lokal. E procedurat për themelim në të dyja nivelet synohet të rregullohen me një akt nënligjor të miratuar nga ministri i Kulturës.
Sa i përket strukturës hierarkike, MKRS-ja synon që të mos ketë më këshilla drejtues të institucioneve kulturore. Aktualisht të gjitha institucionet qendrore të kulturës kanë këshilla drejtues të cilët zgjedhin e shkarkojnë drejtorët, e po ashtu miratojnë programet vjetore të punës.
Këshillëdhënie, mbikëqyrje e përzgjedhje me Këshill Kombëtar
Në nenin e 11-të të projektligjit, parashihet themelimi i Këshillit Kombëtar të Arteve si organ këshillëdhënës, mbikëqyrës dhe përzgjedhës, i cili emërohet nga Qeveria e Kosovës me propozimin e ministrit të Kulturës. Ky Këshill do të përbëhet nga 11 anëtarë, të cilët zgjidhen pas ftesës publike të Ministrisë së Kulturës për nominim të përfaqësuesve nga të gjitha fushat e artit dhe kulturës dhe fushat e ndërlidhura.
“Nominimet për anëtarë të Këshillit bëhen nga institucionet e artit dhe kulturës, institucionet akademike, arsimore e shkencore, organizatat joqeveritare të fushës së artit dhe kulturës dhe organizmat e tjerë relevantë të fushës së artit dhe kulturës dhe fushave të ndërlidhura”, shkruhet në këtë nen. E mënyra e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit, detyrat dhe përgjegjësitë si dhe mënyra e kompensimit përcaktohen me akt nënligjor të miratuar nga ministri i Kulturës.
Në nenin e 12-të të projektligjit, ky Këshill udhëheq procedurën e rekrutimit të drejtorëve të institucioneve publike të artit dhe kulturës në nivel qendror, i propozon ministrit emrat e kandidatëve të kualifikuar për drejtor të institucioneve publike qendrore të artit dhe kulturës. Pos këtyre, monitoron punën e institucioneve publike qendrore të artit dhe kulturës dhe harton raporte në baza tre mujore dhe vjetore. Ka mandat të shkarkojë drejtorët e po ashtu të monitorojë punën e institucioneve publike lokale të artit dhe kulturës.
“I propozon ministrit emrat për juritë profesionale për ndarjen e çmimeve në fushat përkatëse në art, kulturë e muzeologji”, është një tjetër kompetencë.
“Rruga afatgjate”, kthimi prapa, çlirimi e ngufatja me ligj
KOHA për dy ditë ka kontaktuar disa pjesëtarë të komunitetit kulturor për ta komentuar projektligjin i cili ka kohë që është në diskutim publik. Ka marrë përgjigje prej Sinan Kajtazit, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës. Institucioni që ai udhëheq, me projektligj nuk është institucion me vete.
“Baleti Kombëtar i Kosovës, që nga themelimi në vitin 1972 deri në vitin 2006, ka qenë njësi artistike përbrenda Teatrit Kombëtar, pra ka qenë njëra nga dy njësitë artistike që kanë funksionuar në Teatër Kombëtar dhe qysh në vitin 2005 është parë nevoja e pavarësimit institucional, në mënyrë që efikasiteti i punës të jetë më i madh”, ka thënë Kajtazi. Baleti sipas reformave të proklamuara bëhet bashkë me Operën dhe Ansamblin. Kajtazi ka thënë se përvoja e ka dëshmuar se në rast të bashkimit me institucion tjetër, për BKK-në do të ishte kthim prapa.
“Konsideroj se për të pasur një balet kombëtar që funksionon me kapacitete të plota dhe i pavarur nga institucione të tjera, duhet që të qëndrojë i pavarur në aspektin e funksionimit. Ne si BKK i kemi dërguar komentet tona në lidhje me këtë çështje, ku kemi kërkuar që të qëndrojmë të pavarur. Modelet ku opera dhe baleti janë bashkë, u përkasin strukturimeve të së kaluarës dhe kemi mjaft shembuj nëpër Evropë ku Baleti është shkëputur nga opera në aspektin e funksionimit, pra janë pavarësuar nga njëra-tjetra”, ka thënë Kajtazi.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, të mërkurën mbrëma në emisionin “Konfront” në Kohavision ka thënë se aktualisht kultura është një sektor i ngulfatur me burokraci dhe ka nevojë të çlirohet.
“Edhe skena e pavarur jo veç institucionet e kulturës. Fuqizohet drejtori, hiqen këshillat drejtues dhe veç duhet të kenë vizion drejtorët që të ecin përpara. Jam duke e ndjekur një rrugë afatgjate”, kishte thënë ai derisa ka arsyetuar këtë projektligj.
Është kundërshtuar ashpër nga regjisori i filmit dhe teatrit, Agim Sopi. Ai ka thënë se qëllimi është që të bëhet centralizim i skajshëm.
“Ju po ua nxini frymën institucioneve, pasi po bëni ligje ku ministri merr vendime për gjithçka”, ka thënë Sopi midis tjerash. Dyshime nëse kjo reformë mund të funksionojë ka pasur edhe dramaturgu Jeton Neziraj.
“Ministri ka pasur pelegrinazhe nëpër qytet duke u takuar me artistë dhe kam pritur që ta krijojë njëfarë ndjesie më reale për kulturën”, ka thënë Neziraj. Ka shtuar se ministri shpesh flet në ajër e realiteti në terren është tjetër. Ministri Çeku ka këmbëngulur se koncept-dokumenti nga i cili ka dalë projektligji për artin dhe kulturën, është analiza më e thellë e bërë në kulturë dhe reforma synon lehtësim të madh.
“Bon vaki edhe nuk funksionon”
Por ka shprehur edhe dyshime për nismën e tij më të madhe sa i përket menaxhimit institucional.
“Bon vaki edhe nuk funksionon”, ka thënë ai.
Aktualisht, institucionet si Teatri Kombëtar i Kosovës dhe teatrot e qyteteve pos drejtorit kanë edhe udhëheqës artistik që ka barrën i anës artistike të institucionit. Por me projektligj këto pozita shuhen. Ekziston veç drejtori. Specifikohet se drejtori “drejton veprimtarinë artistike, kulturore, administrative dhe organizative, bazuar ne programin për udhëheqjen e institucionit”. Po ashtu, administron burimet financiare dhe njerëzore të institucionit.
Projektligji përcakton se drejtori i institucionit publik qendror dhe lokal të artit dhe kulturës zgjidhet përmes procesit të konkursit publik. Por parashihet që zgjedhja nuk do të bëhet sikurse tash, nga Këshilli Drejtues i emëruar prej ministrit të Kulturës.
“Zgjedhja e drejtorit të institucionet publike qendrore bëhet nga ministri përkatës për kulturën pas procedurës së rekrutimit përmes konkursit publik dhe rekomandimit të listës prej së paku dy emrave nga Këshilli Kombëtar i Arteve”, shkruhet në nenin e 7-të të projektligjit. Aktualisht, disa drejtorë institucionesh kanë mandat katërvjeçar e disa vetëm tre. Nëse miratohet projektligji, mandati do t’u zgjatet në 5 vjet me mundësi vazhdimi edhe për një mandat pa hapur konkurs fare. Por prapë vazhdimin e bën ministri i Kulturës me rekomandim të Këshillit.
Me këtë Projektligj, Republika e Kosovës e njeh skenën e pavarur kulturore si kontribuuese thelbësore në zhvillimin e artit, kulturës dhe vendit. Në nenin e 15-të përcaktohet se Qeveria dhe Ministria përgjegjëse për kulturën mbështet financiarisht veprimtarinë artistike dhe kulturore të skenës së pavarur kulturore në përputhje me prioritetet zhvillimore të shtetit dhe me qëllim promovimin e vlerave kulturore brenda dhe jashtë vendit.
“Mënyra dhe procedura e financimit të veprimtarisë së skenës së pavarur kulturore rregullohet me akt nënligjor të miratuar nga Ministri”, shkruhet aty. Parashihet themelimi i një Këshilli të Pavarur të Kulturës nga ana e ministrit të Kulturës me mandat pesëvjeçar. Ai Këshill do të përbëhet nga tre përfaqësues nga ministria përkatëse për kulturën, tre të përzgjedhur nga skena e pavarur kulturore përmes thirrjes publike dhe një i nominuar nga institucionet akademike, arsimore, shkencore. Ky Këshill do të hartojë “politika dhe strategjinë afatgjatë të zhvillimit të skenës së pavarur kulturore përmes mbështetjes publike financiare”. I njëjti organ në bazë të analizave të sektorëve të artit dhe kulturës i rekomandon ministrisë orientimin e mbështetjes publike financiare për skenën e pavarur kulturore.
Projektligji njeh edhe statusin e artistit të pavarur e Ministria e Kulturës është autoriteti kompetent i cili bën licencimin e shoqatave të artistëve.
Nëpërmjet këtij projektligji njihet edhe statusi i artistit meritor.
“Statusin e artistit meritor e gëzojnë artistët vendorë të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar dhe të dëshmuar në fushën e artit dhe kulturës”, shkruhet në Projektligj. E kriteret dhe procedurat për statusin e artistit meritor si dhe modalitetet e beneficioneve përcaktohen me akt nënligjor të miratuar nga ministri i Kulturës. Çmimet vjetore për art dhe kulturë do të ndahen në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Arteve.
Nëpërmjet një kapitulli të veçantë, muzetë për herë të parë do të bëhen kategori ligjore në Kosovë. Themelimi i këtyre institucioneve në nivelin qendror do të jetë në dorë të Ministrisë së Kulturës e në nivel lokal, tek institucionet lokale.
“Kriteret për themelimin, funksionimin, kategorizimin dhe organizimin e muzeve, si dhe hulumtimin, inventarizimin, ruajtjen dhe prezantimin e trashëgimisë së luajtshme dhe shpirtërore, përcaktohen me akt nënligjor të miratuar nga ministri përkatës për kulturën”, shkruhet në projektligj. Aty përcaktohet se në kuadër të Muzeut Kombëtar të Kosovës themelohet Rrjeti i muzeve me përfaqësimin e të gjitha muzeve publikë, me qëllim të mirëmbajtjes, mbrojtjes, mbështetjes profesionale dhe promovimit të trashëgimisë së luajtshme dhe shpirtërore.
Pas miratimit të këtij projektligji në afat prej 6 muajsh duhet të nxirren mbi 10 akte nënligjore. Ato aktuale do të mbesin në fuqi deri në nxjerrjen e akteve të reja.
E me miratimin e këtij Projektligji, do të shfuqizohen Ligji për institucionet e kulturës, ai për teatro, Ligji për Filharmoninë, operën dhe baletin e Kosovës, Ligji për ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe për ansamblet e tjera.