Kulturë

Tri objekte hapin dyert e përjetimit të arkitekturës moderne në Kosovë

Cikli “2+1 dokumentarë mbi arkitekturën moderne në Kosovë” nis me “Ngjyrat”, për “Bankosin” e Pejës. Kur punëtorët e bankës u zhvendosën në objektin e ri, gjithçka ishte më ndryshe për ta
 

“2+1 dokumentarë mbi arkitekturën moderne në Kosovë” është triptiku që ndalet te tri objekte ikonike. Por nuk sjell thjesht historinë e tyre. Hyn brenda dhe prej aty nxjerr rrëfimin e shfrytëzuesve dhe paralelisht shpërfaq vlerat dhe rëndësinë e arkitekturës së kësaj periudhe në Kosovë. Është një lloj prekjeje e kujtesës kolektive

I mjaftojnë tri objekte për ta kundruar arkitekturën moderne në Kosovë. Në fakt, historisë së tyre ua bashkon kujtimet. “2+1 dokumentarë mbi arkitekturën moderne në Kosovë” është përtej dokumentimit të strukturave ndërtimore. Ai prek kujtesën kolektive. Arkitektja Flaka Xërxa-Beqiri me këtë projekt synon që t’i sjellë këto objekte shumë të njohura për secilin qytetar të Kosovës nëpërmjet përjetimit të tyre. Në dokumentarë, protagonistë janë punonjës të kahershëm të këtyre institucioneve, arkitektë e inxhinierë.

Cikli “2+1...” nis me dokumentarin e titulluar “Ngjyrat”, për “Bankosin” e Pejës. Kur punëtorët e bankës u zhvendosën në objektin e ri, gjithçka ishte më ndryshe për ta. Një ndërtesë me ngrohje e ashensor ishte larg asaj se çfarë mund të paramendonin. Edhe jashtë objektit vërehej se diçka krejt e re kishte ardhur në qytetin e tyre. Reklama, e cila me shkronja në lëvizje tregonte për shërbimet që banka i ofron, ishte atraksion edhe për kalimtarët e rastit. Kështu përshkruhet ajo periudhë nga ish-punëtorët e “Bankosit” në dokumentarin 15-minutësh.