Kulturë

“Flaka e Janarit” shndërron Gjilanin në qytet të artit

Më 1992 mbajti edicionin e parë të saj për të mos e ndalur rrjedhën e saj as në kohë lufte a rrethana pandemie. Si një prej ngjarjeve më me traditë në vend, “Flaka e Janarit” bëhet pikëtakim i aktiviteteve kulturore, organizimi i së cilës, në normalitetin e sotëm bëhet mision për t’i trajtuar problemet e shoqërisë. Edhe në edicionin e sivjetmë, e ruan origjinalitetin e ndërtuar në katër shtylla: art pamor, letrar, skenik dhe muzikor

E nisur 32 vjet më parë, “Flaka e Janarit” jo veç në Gjilan, por në tërë Kosovën qe ngjarja që jehoi thirrjet për rezistencë të popullit shqiptar gjatë viteve ’90. Filloi si shenjë nderimi për heronjtë në 10-vjetorin e rënies së Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Më 1992 mbajti edicionin e parë të saj për të mos ndalur rrjedhën e saj as në kohë lufte a rrethana pandemie. Si një prej ngjarjeve më me traditë në vend, “Flaka e Janarit” bëhet pikëtakim i aktiviteteve kulturore, organizimi i së cilës, në normalitetin e sotëm bëhet mision për t’i trajtuar problemet e shoqërisë. Edhe në edicionin e sivjetmë, e ruan origjinalitetin e ndërtuar në katër shtylla: art pamor, letrar, skenik dhe muzikor.

Festivali i luftës e pandemisë

Frymë kulturore shpërndahet çdo fillimvit në Gjilan nëpërmjet përcjelljes së traditës që nuk u ndal as në luftë, e as në përballje me pandeminë. Disa objekte shtojnë dozën e aktivitetit për tri javë janari, njerëzit vizitat në to, e të dyja së bashku ngjallin kujtesën kolektive për disa dekada më parë, për ata që ishin e nuk janë. Edhe skutat e qytetit marrin kuptim në ditët e “Flakës së Janarit” përderisa pjesa qendrore e tij bëhet kuptimplotë kur vihet në shërbim të Festivalit.

Aktori i trupës së Teatrit të Gjilanit, Ali Demi, është shprehur se Festivali e pasuron qytetin, e në veçanti Teatrin për vlerat që bart. Derisa ka treguar historinë e Festivalit, ka thënë se në ato rrethana nuk ka mundur të manifestojë aktivitetin në objektin e Teatrit dhe se ishte mbajtur në fshatrat Përlepnicë dhe Bresalc. Me mbarimin e luftës, ishte kthyer në Teatër e ishte formësuar prej viti në vit me shtyllat e saj.

“Flaka ka filluar si qëndresë, si rezistencë e gjithë popullit që ka qenë në ato vite, edhe në fushën e kulturës. Ka nisur si shenjë nderimi të heronjve, vëllezërve Gërvalla, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha e të tjerëve dhe më pas është formësuar edhe në shtyllat e tjera dhe nuk është ndalur as në kohët më të vështira, në kohë lufte. Gjatë pandemisë, është mbajtur, por ka qenë e kufizuar me publikun, procedura që duheshin respektuar nga të gjithë”, ka thënë aktori Demi.

Si zakonisht, edhe këtë vit ka filluar me nderime të dëshmorëve me 11 janar ku edhe janë ndezur flakadanë në ballkonin e Teatrit të Qytetit.

“Talia e Flakës” – traditë e Festivalit

Kur muzgu bie, hapësira para Teatrit vërshohet me të moshuar e të rinj. Një ndryshim i vogël këtë edicion ka qenë obligimi i pajisjes me biletë. Shtëpiza prej druri me funksionin e biletarisë ka shërbyer për t’u pajisur me “çelësin” e shfaqjes së radhës. Biletat kanë qenë falas, mirëpo janë zbatuar si rregull për rezervimin e një prej 296 ulëseve të Teatrit. Organizatorët e një prej shtyllave të “Flakës së Janarit” - festivalit të dramës shqipe “Talia e Flakës” – kanë thënë se përgjatë këtij edicioni publiku ka ndjekur shfaqjet edhe duke qëndruar në këmbë. Në dy prej tyre që ishin kamertale, shumica mbetën jashtë dyerve të teatrit.

Kjo është dëshmia e radhës për publikun besnik ndaj “Flakës...”. U dëshmua edhe të shtunën kur një numër i publikut ndoqën në këmbë shfaqjen dyorëshe, pasi nuk arritën të siguronin të fundit. “Pak pakt” me tekst dhe regji të Ledian Gjeçit ka qenë shfaqja e fundit për këtë edicion të “Talia e Flakës”, e cila hyn në rend të garës së Festivalit me pesë shfaqje të tjera.

Organizatori i “Talias...” për këtë vit, Migjen Fazliu ka thënë se interesimi i publikut për të parë shfaqjet ka tejkaluar kapacitetet e teatrit. Sipas tij, festivali ka vetëm një kriter për t’iu përshtatur asaj që quhet dramë origjinale shqipe: të jetë shfaqje origjinale dhe autori i saj të jetë shqiptar.

“Teatri i Gjilanit i ka 296 ulëse, ndërsa kërkesat për të parë shfaqjet kanë qenë enorme. Andaj, e kemi pasur problem edhe të instalojmë mentalitetin e blerjes së biletës apo rezervimit të ulëses më herët, kështu e kemi vendosur një shtëpizë mobile para teatrit ku njerëzit kanë mundur të vijnë prej orës 12:00 t’i marrin. Biletat kanë qenë falas dhe janë shpërndarë diku brenda dy orësh”, ka thënë Fazliu i cili ka konsideruar se sfida e vetme këtë edicion ka qenë hapësira e pamjaftueshme e teatrit të qytetit.

“Talia e Flakës” është organizuar këtë vit nga organizata joqeveritare “Varg e Vi” pasi doli fituese në thirrjen publike. Në tërësi, “Flaka e Janarit” organizohet nga Komuna e Gjilanit dhe Ministria për Kulturë e cila për rëndësinë dhe vlerat që bart, në vitin 2020 e përfshiu këtë ngjarje në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme si aset shpirtëror.

Problemet e shoqërisë në skenë teatri

Portat e sallës së teatrit u hapën pak minuta para orës 20:00. Dy të rinj vërtiteshin brenda një kafazi në skenë derisa secili gjente ulëset. Identiteti i tyre si Toma dhe Kristi shumë shpejt ndërron në disa aspekte. Ajo që nis me të qeshura pafund te publiku, shpejt zbulohet si tragjikomedi. Aty trajtohen problemet shoqërore si migrimi, margjinalizimi i grupeve të shoqërisë dhe paragjykimet ndaj tyre, derisa niveli i ulët i arsimit shpaloset me anë të teorive konspirative të dëgjuara më së shumti viteve të fundit gjatë përballjes me pandeminë.

Shfaqja e trupës së teatrit eksperimental “Kujtim Spahivogli” nga Tirana është pasqyrë për mentalitetin dhe gjendjen e shoqërisë që gjen veten në cilindo vend shqipfolës. Pas Tiranës, Tuzit, Strugës, Preshevës, e qyteteve të tjera shqiptare, edhe para publikut në Gjilan është luajtur historia e dy të rinjve të shkolluar, por të varfër e të mbytur në borxhe, të cilët kapen nga policia në kohë pandemie derisa po tentonin të iknin jashtë shtetit. Pakti u vjen në derë të qelisë pasi shpresa për të ikur jashtë vendit shkatërrohet. Gjendja sociale vihet në pah kur nis e shpaloset gatishmëria e sakrificës për ta lëshuar vendlindjen. Si alternativë merret deklarimi i dashurisë mes tyre me pretekst përndjekjen për shkak të orientimit seksual. Duke u çmuar si arsyeja më e fortë për azilkërkues, ata vendosin të pranojnë kushtet me pretekstin se atje ku do të shkojnë çmohen vlera të tilla si të drejta fundamentale.

Kur rrjetet sociale vendosen të përdoren si medium i mbërritjes së informacionit në destinacionin e dëshirueshëm, ai mbërrin edhe te familjet e Tomës e Kristit. Skena tjetër hapet në një dhomë të vjetër spitali, ku prindërit e tyre trajtohen në përballjen e tyre me infektimin me koronavirus. Aty më pas fillojnë e shpalosen edhe idetë konspirative që ishin të pranishme edhe në momentet më kritike me pandeminë. Loja në skenë flet edhe për gjendjen e spitaleve siç është mungesa e barnave, shtretërve e pajisjeve të tjera, për shumë nga të cilat flitej më së shumti edhe gjatë gjendjes kritike me koronavirusin.

“Pak pakt” ishte dhënë premierë në mars të vitit të kaluar në teatrin eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë, ndërsa për herë të parë është shfaqur në një skenë në Kosovë. Ledian Gjeçi, regjisor e autor i shfaqjes, ka thënë se ardhja nga vendi shqipfolës në një tjetër flet për të njëjtën problematikë dhe publiku identifikohet nëpërmjet dramës shqipe në të cilën gjen veten.

“Temat konspirative janë përdorur me ironi, por kryetema e shfaqjes është ikja e të rinjve nga Shqipëria. Çdo ditë e më shumë të rinjtë lënë vendin dhe kjo është një hemorragji që duhet ndalur patjetër dhe sa më shpejt. Ne si artistë mundohemi të bëjmë punën tonë duke ngritur zërin dhe të ndërgjegjësojmë njerëzit se nuk duhet ta ndalojmë abuzimin”, është shprehur Gjeçi i cili është prezantuar për herë të parë si regjisor në kuadër të “Flakës së Janarit”.

Aktori Ermir Hoxhaj, i cili luan Tomën, ka vlerësuar të rëndësishme shpalosjen e temave të ndjeshme në të cilën gjen veten edhe ai derisa luan rolin. Për të ka qenë paraqitja e parë në Kosovë si aktor. “Ishte rol i rëndësishëm dhe që mua më ka ngjitur pasi ishte shumë afër moshës sime dhe me problematika që unë i has çdo ditë në shoqëri, me miqtë e mi që më largohen dita-ditës për një jetë më të mirë. Janë njerëz intelektualë që ikin, e lënë vendin të shkretë. Ishte tragjikomedi që është zhanri im i preferuar ku ke mundësi të shpalosësh anën komike dhe dramatike”, është shprehur Hoxhaj pas shfaqjes.

Ngjarjet kanë sjellë sa të qeshura, sa tension te publiku. Këmbëngulja dhe vendosmëria për të ikur nga vendi shkon deri në atë pikë sa prindi i një prej personazheve kryesore vendos të pranojë burgimin për vrasjen që nuk e ka kryer në këmbim me ikjen e të birit jashtë vendit për një jetë më të mirë. Kësisoj, pranon edhe manipulimin e provave në dëm të tij, madje jep kontributin e tij në këtë drejtim. Sistemi i drejtësisë përfshihet po ashtu.

Aktori Margent Caushi në rolin e oficerit të policisë, ka vlerësuar se migrimi i të rinjve dhe pandemia kanë qenë gërshetim i bukur i temave që përkojnë me situatën kur është shkruar teksti. “Këtë shfaqje e kemi dhënë në shumë vende shqipfolëse, në Tuz, në Strugë, Tiranë. Këtu ishte e çuditshme se na pritët shumë mirë, përpos se salla ishte plot, reagimet ishin po njësoj si atje ku e kemi dhënë mbi njëzet herë. Kjo është gjë e jashtëzakonshme, po na pranuat do të vijmë edhe disa herë”, është shprehur me humor aktori Caushi.

Art pamor, muzikor e letrar në “Flaka...”

Në garë për çmime sivjet janë edhe shfaqja “Fausti” me regji të Fadil Hysajt, që u dha premierë më 23 janar në kuadër të Festivalit, bashkë me “Nyjat”, prodhim i Teatrit Shqiptar në Shkup, “Toka e shpirtrave të trazuar” e qendrës “Artpolis”, “Burrnesha” e qendrës “Multimedia” dhe teatrit “Oda” dhe shfaqja “Babai dhe Babai” prodhim i organizatës “Integra”.

Përbërja e jurisë vlerësuese nuk është publikuar, siç është thënë nga organizatorët, për shkak të ruajtjes së autonomisë vlerësuese.

Hapësirë e veçantë i kushtohet artit pamor ku në galerinë e qytetit po qëndron ekspozita “Peneli i Flakës” që përfshin piktura, vizatime, fotografi e skulptura të autorëve të ndryshëm. Koncept i ekspozitës për këtë vit ka qenë liria me kurator Refki Gallopenin. Vargjet “ Liria është thelb i shpirtit/ dhe i mendjes/ aty ku s’ka liri,/ mendja dhe shpirti/ thahen si bima pa ujë”, të Naim Frashërit i mirëpresin vizitorët para se të njoftohen me botën artistike e stilet e autorëve.

31 janar do të ndahen çmimet për artistin më të mirë pamor në kuadër të “Penelit të Flakës”. Çmimet do të ndahen edhe për “Penën e Flakës” për artin letrar dhe për “Fest Flaka” për çmimet në muzikë.