Është dashur më shumë se një vit që Ministria e Kulturës të hapë konkurs për drejtor të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Praktikisht, prej korrikut të vitit 2021, kur qe pezulluar nga detyra Arben Zharku, Qendra Kinematografike e Kosovës është pa drejtor. Në muajin dhjetor të atij viti Zharku mori vendimin përfundimtar të Ministrisë së Kulturës për shkarkimin e tij.
Të martën, Ministria e Kulturës ka publikuar konkursin që do të jetë i hapur nga dita e 24 shkurtit deri më 10 mars.
Vitin e kaluar Ministria e Kulturës kishte bërë të ditur se Këshilli Drejtues i QKK-së ka hartuar kriteret e konkursit dhe ka proceduar kërkesën për hapjen e procedurës së rekrutimit për pozitën e drejtorit. Sipas përgjigjes së përcjellë nga Zana Fetiu, këshilltare e ministrit Hajrulla Çeku, këto kritere po vlerësoheshin nga administrata e MKRS-së dhe pritej që të ketë një përfundim me vlerësimet administrative të konkursit me qëllim që i njëjti të mos përmbajë çfarëdo boshllëku të kërkesave dhe kritereve e po ashtu të jetë brenda dispozitave të Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe Ligjit për Kinematografinë.
“Konkursi do të shpallet në momentin që fiksohen të gjitha detajet përmbajtjesore dhe procedurale që e bëjnë konkursin e rekrutimit plotësisht të pajtueshëm me kërkesat ligjore”, shkruhej në përgjigjet e korrikut të vitit të kaluar. MKRS-ja asnjëherë nuk ka pasur ndonjë afat për hapje të konkursit.
Ish-drejtori, Arben Zharku, qe shkarkuar më 10 dhjetor 2021. Në atë vendim nuk jepej tjetër sqarim, por i kishte dhënë fund një sage shkarkimesh, pezullimesh, paralajmërimesh për shkarkim e që në fakt ishte si një “kronikë shkarkimi të paralajmëruar”.
Episodi i parafundit i kësaj serie qe ai i fillimit të nëntorit të vitit 2021, kur Komisioni Disiplinor i Ministrisë së Kulturës sërish do të vendoste se ishin përmbushur kushtet që Zharku të shkarkohej nga pozita që e mbante. Për dallim nga vendimi i gushtit, kur Komisioni kishte nxjerrë vendim për “largim nga shërbimi civil”, tash ky komision kishte vepruar pak më ndryshe, duke nxjerrë vendim se janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore “largim nga shërbimi publik”. Me këtë, Ministria e Kulturës e kishte rikonfirmuar se ia kishte mësyrë që me çdo kusht Zharkun ta shkarkonte nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike. Duke shkelur procedurat e duke dalë jashtë kompetencave, dështoi ta bëjë këtë në fund të verës së kaluar, por Komisioni Disiplinor i MKRS-së tek atëherë do ta kuptonte që ministri është kompetent për shkarkim. Do t’i rekomandonte atij që ta bënte një gjë të tillë, pasi “janë përmbushur kushtet për shqiptimin e masës disiplinore - largim nga shërbimi publik”. Për gjashtë muaj, Zharku ishte pezulluar, shkarkuar, kthyer, për të ardhur deri te shkarkimi përfundimtar, katër muaj para se të përfundonte mandatin e dytë, në mars të këtij viti.
Sipas konkursit, kandidatët duhet të kenë diplome universitar, nga fusha e artit dhe kulturës, 7 vjet përvojë punë, prej tyre 4 vjet në vende udhëheqëse. Sipas konkursit, kandidatët duhet të prezantojnë projektin për zhvillimin e Qendrës Kinematografike të Kosovë dhe të kenë aftësi negociuese dhe bindëse për të përfaqësuar interesat e institucionit. Midis të tjerash, udhëheqësi i këtij institucioni ka për obligim të përcaktojë politikat operacionale, për përmbushjen e detyrave të QKK-së, mbikëqyrë dhe vlerëson punën e personelit, harton projektbuxhetin e përgatit raportet javore.
Para pak ditësh MKRS-ja ka njoftuar se kanë zgjedhur udhëheqësin artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Kjo pozitë kishte mbetur bosh tash e gati tre vjet. Galeria Kombëtare e Kosovës ishte pa drejtor. Ky institucion është pa udhëheqës ekzekutiv prej gushtit të vitit 2020.