Kur më 2019 shkrimtari austriak Peter Handke fitoi çmimin “Nobel” për letërsi, një pjesë e atyre që ende vuajnë nga krimet e gjenocidi që Handke e mbështet kishin reaguar. Por pjesa më e madhe e intelektualëve evropianë janë fshehur pas togfjalëshit “është shkrimtar i zoti”.
Nëpër qarqe artistike shpesh është diskutuar nëse mund të vlerësohesh artist i madh edhe nëse je mohues i krimeve kundër njerëzimit e mbështetës i atyre që i kanë bërë ato. Dramaturgu Jeton Neziraj këtë çështje nuk e ka parë si mozaik. Por nëpërmjet shfaqjes “The Handke Project” në krejt rajonin, edhe në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Itali e Gjermani më 2022 ka zhveshur nobelistin Handke bashkë me krejt përkrahësit e fashizmit të fundshekullit të kaluar, që ndezi luftëra në ish-Jugosllavi.
Drama është dhënë edhe para audiencës gjermanofolëse në Dortmund të Gjermanisë, ku Handke ka lexuesit më të shumtë.
Serbia e quajti edhe Nezirajn, edhe krejt shfaqjen si “provokim” të radhës që u bëhet serbëve. Por kritika gjermane, midis të tjerash, e ka cilësuar edhe si “Tribunal teatror”.