Kulturë

Artisti i urgjencave që do të donte të pikturonte lule

Driton Selmani: “Do të doja shumë të isha artist që pikturon lule, fatkeqësisht konteksti gjeopolitik ndikon shumë në perceptimin dhe leximin që i bëjmë vetë ambientit ku ne observojmë” (Foto: Blerim Racaj)

“Do të doja më shumë të isha artist që pikturon lule”, thotë bindshëm Driton Selmani (35). Prej asaj që ka bërë deri më tani – ky filigranist i ironisë në artin e tij që vjen përherë si urgjencë – zor se do të transformohej në të tillë. Nëse do t’u rrekej luleve, kjo do të ishte ironia e radhës. Selmani, flet për vitin e tij në art, për fuqinë e artit edhe në kohë të turbullta si ky vit i luftës

Mesazhet të cilat qoftë edhe tërthorazi godasin politikën, janë kryefjalë e veprave të tij. Driton Selmani, njëri prej artistëve më në zë të gjeneratës së tij, është elegant në thurjen e ironisë a satirës. Është pothuajse e pamundur që në botën e tij, të mos ndihet një lloj lufte midis fenomeneve e ngjarjeve të karakterit politik, social e kulturor.

“Do të doja më shumë të isha artist që pikturon lule...”, thotë bindshëm Selmani (35) dhe një deklaratë si kjo duket si maksimë e filozofisë së tij. Ai është artist i urgjencave dhe ka një shpjegim të thuktë për këtë ndryshe prej veprave të tij që shpesh dinë të jenë abstrakte e në këtë e ndihmon edhe utopia që mbështjell vendin, por edhe shoqërinë prej nga vjen.

Në moshë të re, kishte thënë se adhuronte një vend që nuk ekzistonte më, gjë që bëri që ai të formonte bazën e skepticizmit ndaj çdo realiteti të supozuar.

Më vonë e përdori këtë si një mjet të dobishëm për të rindërtuar besimet e tij në artefakte pamore. Selmani njihet si artist eksperimentues në ekspozitat e së cilit mund të gjejmë forma të ndryshme shprehjesh artistike.

Më 2022, Selmani ka qenë urgjent në reagimet e tij. Mbrojtja e ambientit, ka qenë njëra prej temave. Për shembull e ka bërë këtë me rikthimin e të famshmëve “Letrat e dashurisë” të punuara në qese plastike apo edhe veprën tjetër “Weather forecast”.

Image
“Love Letters”, Driton Selmani, ekspozuar në hotelin “Grand” prej 22 korrikut deri më 30 tetor, në kuadër të “Manifesta 14”, 2018 e në vazhdim (Foto: Atdhe Mulla)

“Planeti Tokë është një lajm i vjetër”

“Nuk e di saktësisht se cila do ishte fuqia e artit, por duke iu referuar fjalëve të artistes dhe poetes, Etal Adnan – ‘planeti Tokë është një lajm i vjetër. Është shtëpia që po e hedhim poshtë. Ne definitivisht nuk e duam atë. Ne pothuajse besojmë se nuk kemi nevojë për të!’ – më bën që ta shoh edhe procesin e krijimit të veprave si urgjencë më shumë se sa si përgjigje. Urgjenca në tema specifike si këto, është te shpërfaqja e faturës që ne duhet ta paguajmë për eksploatim total të gjithçkaje që na rrethon, prej mineraleve thellë në tokë deri te fuqia punëtore e ‘huaj’ për ta prezantuar sa më mirë imazhin ‘tonë’ para ‘të tjerëve’”, ka thënë Selmani. Tek pranon ta zbërthejë rrëfimin prapa artit të tij, thotë se veprat e vijnë si replikë e natyrshme rreth gjendjes jo të natyrshme në të cilën po jetojmë.

Në “Tallinn Print Triennia” të Estonisë, Selmani ka pyetur, “Tell me where I am from?” (Më trego nga cili vend jam?). Nëse arti ka fuqi t’ua mësojë njerëzve atë që nuk ka arritur deri sot tua mësojë as politika e as historia, Selmani përgjigjet prerazi.

“Po, sepse arti nuk flet në gjuhën binare, pra ndjek një trajektore që vjen nga burime që nuk përkojnë shpesh me kohën e tashme. E kur e tashmja është e kontaminuar na duhen burime alternative për ta fashuar atë. Alternativa në këtë rast është fuqia e artit, e cila e merr rolin dominant për ta shkruar atë që edhe politika edhe historia e injorojnë në kohën që ndodhë. Arti i pakontaminuar nga të dyja lëviz mes tyre, i bashkon ato dhe e bën leximin e tyre më të natyrshëm, më direkt dhe pa ndikimin e tyre”, thotë ai.

Image
“Land Locked Deep Desires” dhe “Sinister hand” në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Shkup në ekspozitën, “The barking of the clouds does not hurt the dogs”

“Qeset e plastikës – poezi e vrazhdë e jetës sonë”

E bujshme qe 2022 për të. Ndër të tjera, u prezantua edhe në njërën prej ngjarjeve më të mëdha të artit bashkëkohor, bienalen nomade evropiane “Manifesta 14”, që pushtoi Prishtinën. Megjithatë, rrëfimin që ajo ka ndërtuar, gjatë njëqind ditëve sa ishte e pranishme në Kosovë, sipas Selmanit është gjëja më e rëndësishme dhe prej së cilës duhet marrë mësim.

“Për mua ka qenë eksperiencë e thellë në shumë aspekte, së pari prezantimi i serisë ‘Love Letters’ para audiencës lokale, si dhe prezantimi i kontekstit lokal para atij të huaj. Më e rëndësishmja mbi të gjitha për mua është rrëfimi që e ka ndërtuar ‘Manifesta’, i cili do të duhej të shndërrohej në mësim për të parë dhe ruajtur atë qe kemi. Kosova është vend site-specific, pikërisht këtë duhet ta çmojmë edhe ta prezantojmë. Kam njohur shumë njerëz të rinj, të cilët më kanë treguar se ku i kanë çelësat e dyerve të tyre, të cilat mezi pres t’i hap”, ka shpjeguar ai në rolin e njohësit të artit që po krijohet sot në Evropë e më gjerë.

Image
“The barking of the clouds does not hurt the dogs” në ekspozitën me të njëjtin titull e hapur në Muzeut e Artit Bashkëkohor në Shkup më 4 nëntor 2022 e që vazhdon deri më 25 shkurt, 2023

Ndonëse ka edhe alamet veprash të tjera që zunë vend edhe në metropole të njohura, sivjet qeset artistike të tij, gjatë kohës sa u mbajt ‘Manifesta 14”, u shpërndanë me të madhe nëpër rrjetet sociale. “Do të doja të ishe qese plastike që të ishe e përjetshme”, u bë pothuajse sinonim e instilacioneve të shumta që “Manifesta” inauguroi në hotelin “Grand”. E tërë kjo famë që fitoi qesja e plastikes së Selmanit, sipas tij, mund ta ketë burimin edhe te fakti se “ne, si shoqëri, përfaqësohemi nga qeset plastike”.

“Ndoshta sepse qesja (prezenca e mbetjeve) na përfaqëson ne, edhe në kontekstin lokal edhe global, dhe njerëzit kanë tendencë të kenë më shumë afinitet me gjërat e njohura (familiar objects). Në të njëjtën kohë, qeset janë poezi e vrazhdë e jetës sonë bashkëkohore. Pra ana e ndryrë jona. Dhe ato, qese bashkojnë fusha të ndryshme në një objekt të vetëm. Sepse ne nuk e ndajmë të menduarit nga ndjenjat në jetën reale. E përjetshmja duket se nuk përfaqësohet më nga hyjnorja, por nga gara njerëzore për ta prodhuar të pashkatërrueshmen. Këtu duket se kemi harruar pyetjen se: Çfarë ndodh atëherë nëse nuk mund ta shkatërroni atë?”, thotë ai.

Mbijetesa e “solidaritetit”

Në nëntor të këtij viti Driton Selmani hapi edhe ekspozitën e parë personale në Shkup, në Muzeun e Artit Bashkëkohor. “The barking of the clouds does not hurt the dogs” vazhdon të jetë e hapur deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Hapja e kësaj ekspozitë ka bërë që Selmani të kuptojë që solidariteti mund të mbijetojë dhe të jetë prodhues edhe në ditët e sotme.

“Ekspozita atje ka një rëndësi të veçantë në shumë nivele. Së pari, historia e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup më ka çuar në një hulumtim më të thellë mbi idenë se si ‘solidariteti’ mund të mbijetojë dhe të prodhojë trashëgimi që jeton edhe në kohë si këto. Dhe sepse Muzeu është një platformë për shtrirjen e praktikës sime artistike në një audiencë të afërt, por të re. Së dyti, ngjashmëritë që gjejmë në dallimet që kanë dy shoqëritë tona kanë bërë që të tentoj ta përkthej këtë në kontekstin e vendit dhe të hapësirës. Si dhe lidhja ime me Shkupin, si një vend ku kam bërë pelegrinazhe kulturore që nga viti 1999, deri në pikën që prezantimi im bëhet një pikë pelegrinazhi për pelegrinët e tjerë kulturorë nga këndej e andej, më jep një ndjesi të veçantë”, thotë Selmani nisur nga përvoja me të.

Autori i “The barking...,” ka folur edhe për ecurinë që ka pasur kjo ekspozitë gjatë kohës prej mbi një muaj prej se është hapur.

“Kemi pasur një numër rekord njerëzish në hapje, shoqëruar me një artist tour nga unë, dhe DJ Adrian nga Prishtina, i cili ka performuar një set muzikor specifik i menduar për hapësirën. Kjo ka ndikuar që Muzeu më pas të vizitohet në mënyrë konstante, përfshirë: Akademinë e Arteve në Shkup, vizita nga fëmijë të kopshteve parashkollore si dhe grupe të organizuara nga Kosova. Ekspozita si e tillë vjen me shumë referenca personale dhe poetike si pikënisje për dialog të mëtutjeshëm, sepse besoj se poezia trajton vetë marrëdhënien midis subjektit dhe objektit. Kështu, duke e bërë vetëdijen tonë më të pranishme”, ka thënë ai.

Si shpeshherë, edhe në këtë ekspozitë ai Selmani ka shpalosur mesazhet e tij politike e kësaj here atë e ka bërë nëpërmjet “Sinister hand” (Dora ndjellakeqe), një pikturë ku pasqyrohet dora e Vuçiqit mbi një hartë, apo edhe thëniet “My borders, your bothers”, “Our past is our common future” të vendosura në qese plastike. Krejt kjo, sipas fjalëve të Selmanit, është bërë duke qenë i vetëdijshëm që ato vepra do të ekspozoheshin në Shkup.

“Do të doja shumë të isha artist që pikturon lule, fatkeqësisht konteksti gjeopolitik ndikon shumë në perceptimin dhe leximin që i bëjmë vetë ambientit ku ne observojmë. Por do të thosha që krejt çfarë bëj është thjesht përpjekje për të transkriptuar këtë gjendje shpirtërore në vepra arti që në mënyrë të pandërgjegjshme përmbajnë humor si një kritikë e asaj që ne besojmë se është përfundimtare. Por gjithashtu, humori qëndron si ‘derë për të hapur mundësi të reja pa të cilat përparimi mendor do të ishte i pamundur’”, thotë ai duke cituar shkrimtarin francez, Gaston de Pawlowski.

Skena e vogël por e gjallë e Kosovës

Selmani, i cili studimet master i ka përfunduar në Universitetin e Arteve në Bournemouth të Anglisë, ka pasur mundësi që veprat e tij t’i ekspozojë edhe nëpër galeritë e vendeve rajonale dhe atyre evropiane. Nisur nga përvoja, ai ka folur edhe për vendin të cilin zë arti që sot po krijohet në Kosovë dhe për faktin se a kanë arritur artistët nga Kosova të futen në rrjedhat e artit elitar që zhvillohet sot në vendet evropiane.

“Po edhe jo. Po me guxim dhe gjuhë artistike. Jo nga se dallimi mes nesh dhe botës andej është marrëdhënia e jonë me institucionet. Ne kemi aq pak institucione arti në Kosovë sa që na limiton në leximin e përgjithshëm të aseteve të tjera që e përbejnë një skenë të ngritur (established). Kjo na mungon, dhe na pozicionon ndryshe në relacion me të tjerët, ngase nuk i shohim dhe nuk i prekim këto botë, shpeshherë edhe e pabesueshme për skenën e artit tonë. Por, kam shpresë që themelimi i Muzeut të Artit Bashkëkohor në Kosovë do t’i japë kahen e duhur ambicieve tona, dhe që muzeu të jetë edhe një ‘departure gate’ shtesë për skenën e vogël por të gjallë”, thotë Selmani, i cili deri më tani ka hapur mbi dhjetë ekspozita personale dhe një sërë ekspozitash grupore. Ka ekspozuar në vende si: Qendra e Artit Bashkëkohor në Prishtinë, muzeu “Ludwig” në Budapest, “Kunstraum Niederosterreich” në Vjenë, “Bienalja e Mesdheut 16” në Ankona, “U10” në Beograd, “Fabbrica del Vapore” në Milano, në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, në Qendrën e Artit Bashkëkohor në Selanik e të tjera.

Driton Selmani, me art i përgjigjet edhe pyetjes për vitin e luftës. “Njëra nga veprat e mia, ekspozuar në ‘Manifesta 14’, me titull: ‘Bears Like it Too’, 2019, mban këtë mbishkrim: ‘WAR IS HONEY FOR THE BEARS’”, thotë ai.