Kulturë

Emra kulmorë në kapërcime elegante bashkohen në festën me muzikë

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës tashmë e ka bërë traditë që vitin ta përmbyllë me koncert festiv, por edhe kësaj radhe, pos si festë, nuk ka lënë pa rinxjerrë në pah veprat shqiptare. Të martën mbrëma salla ka qenë plot, njësoj sikurse edhe emocionet që janë përcjellë nëpërmjet muzikës në një repertor të përzgjedhur veprash të muzikës klasike vendore e botërore. Organizatorët janë përkujdesur t’i bëjnë bashkë interpretuesit më eminentë të muzikës klasike

Ka pak dekorime në sallë, ca dritëza janë shenja të para, por kur nis koncerti, ambienti vishet me tis festiv. Të tilla janë edhe veprat e përzgjedhura me delikatesë e për emrat që interpretojnë organizatorët janë përkujdesur të bëjnë bashkë ndër më eminentët e muzikës klasike. Repertori me shtrirje të gjerë kohore kap epoka të ndryshme njashtu sikurse stile, por emëruesi i përbashkët në shumicën prej tyre është alegroja. Thuren bukur vepra gjigantësh si Schumann a Bizet me ato të kompozitorëve të shquar shqiptarë.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës tashmë e ka bërë traditë që vitin ta përmbyllë me koncert festiv, por edhe kësaj radhe, pos si festë, nuk ka lënë pa rinxjerrë në pah veprat shqiptare. Të martën mbrëma salla ka qenë plot, njësoj sikurse edhe emocionet që janë përcjellë nëpërmjet muzikës.

Kur ajo mori ngjyrë të kaltër prej dritave, në skenë kanë dalë më të vegjlit, kori i fëmijëve “Okarina” nën udhëheqjen e mexosopranos Elikona Hysaj-Shala. Zërat e ëmbël u mirëpriten me ovacione të shumta, kur hapën mbrëmjen me “Duet Cristine and Phantom” nga “The phantom of the opera”, vepër e kompozitorit anglez Andrw Lloyd Webber. Vepra në të cilën bazohet, e dhënë premierë këtu e 36 vjet më parë, ka për bazë rrëfimin e një sopranoje, Christine Daaé, dhe një fakt i tillë është lidhur bukur me pikën e radhës të koncertit festiv.

Sopranoja Arta Jashari ka mbushur sallën me zërin e saj në interpretimin e veprës “Nëna Terezë” të kompozitorit shqiptar Zeqirja Ballata, shoqëruar në piano nga Pranvera Hoxha. Mjeshtëria në interpretim ka qenë vetëm njëra anë e saj. E ka sjellë ndjeshëm atë dhe për këtë ka pasur arsye shtesë.

“Sonte e këndova për herë të parë veprën ‘Nëna Terezë’ dhe mund të them që ishte një emocion i veçantë për mua, sepse kjo vepër ka qenë e interpretuar para shumë vjetësh, pikërisht nga nëna ime Elife Podvorica -Jashari. Është një muzikë kontemporane, moderne, mjaft e vështirë vokale. Më vjen shume mirë dhe shpresoj që kam arritur ta sjell ashtu siç kjo vepër e kërkon, sepse ka qenë përgjegjësi tepër e madhe meqenëse Zeqirja Ballatën, kompozitorin dhe profesorin, e njoh prej kur kam qenë shumë e vogël”, ka thënë Jashari pas koncertit.

Kapërcimi prej interpretimit të saj tek ai i Denik Prizrenit me Torador nga “Carmeni” i Georges Bizet, është bërë me “Ballszenen op. 109”, të Robert Schumannit, e sjellë me precizitet prej dyshes në piano, Syzana Jakupi dhe Alba Muçolli-Dehiri. Piano në katër duar ka ardhur në formën e dialogut midis pianisteve dhe koordinimi e harmonia janë kërkesa e parë e një vepre të tillë që shtrihet edhe në vals. Enkelejda Zajmi në flaut e Lirika Pula në piano kanë interpretuar “Nokturn” të akademik Rauf Dhomit e krijimtaria e akademik Ballatës është rikthyer në program kur në skenë u ngjitën motrat Sihana dhe Zana Badivuku në violinë e piano tek sollën veprën “Homazhe për Isa Boletinin”, e cilësuar si vepër sa ekstravagante po aq edhe specifike.

Violinistja Sihana Badivuku ka thënë se edhe pse e ka interpretuar shumë herë ketë vepër me motrën e saj Zanën, asnjë performim i së njëjtës vepër nuk është i njëjtë.

“Veprat e akademikut, kompozitorit Ballata janë shumë të veçanta, mënyra e shkrimit e kompozimit e ka një botë shumë të veçantë. Vepra ka karakter të këngës labe ‘Homazh për Isa Boletinin’, ka pak dramatizëm, edhe epikë, edhe patriotizëm, edhe atë anën meditative. Është shkrim i posaçëm dhe më vjen keq që profesori Ballata nuk ishte prezent për ta dëgjuar sot këtë interpretim”, ka thënë Badivuku.

Me “Margjelo” të kompozitorit Prenk Jakova themeluesi i gjinisë së operës kombëtare shqiptare, interpretuar nga Adhurim Grezda, qe një thellim në tabanin e muzikës shqipe. Kjo këngë e popullarizuar ngriti publikun në këmbë. Te muzika shqipe qëndroi edhe Lule Elezi me “Dream” të Trimor Dhomit, sikurse “Zanat” dhe Lule Elezi me “Goca e Kaçanikut” të Rauf Dhomit, e pianistja Lirika Pula me “Tokata” të Zadesë.

Një kapitull më vete qe interpretimi i sopranos Besa Lugiqi, e cila me fuqinë e zërit dhe interpretimin brilant u mishërua me publikun para të cilit solli “Song to the moon” të veprës “Rusalka” nga kompozitori çek Antonini Dvorak.

Ajo ka thënë se programi ka qenë mjaft i larmishëm nga kompozitorët vendorë dhe ata botërorë, një atmosferë e këndshme.

“Publiku i mirëpriti veprat. Mendoj se të gjitha u pëlqyen. Unë u prezantova me veprën ‘Rusalka’ nga kompozitori Dvorak, të cilën e kam shumë për zemër dhe kisha kohë pa e rikthyer në skenë. Kështu që e shijova shumë. Jam munduar ta interpretoj maksimalisht dhe me krejt shpirtin edhe po mendoj që depërtoi te publiku”, ka thënë Llugiqi, e shquar edhe sivjet për interpretimet në Stara Zagora të Bullgarisë, e që e shënoi vitin me rolin e Violettas në “La traviata”, premiera historike e Operës së Kosovës, javën e kaluar në “1 Tetori”.

Mbrëmja vazhdoi me veprën e kompozuar nga Rauf Dhomi, “Kopshti i dashurisë” me interpretim kulmor të sopranos Zana Abazi-Ramadani.

Vepra “Io son l’umile ancella nga opera “Adriana Lecouvreur” nga kompozitori Franceso Cilea u soll par herë të parë në Kosovë, nga sopranoja Adelina Paloja e përcjellë nga Lule Elezi në piano. U mirëprit nga publiku që e përshëndeti me ovacione.

“Mes një publiku të ngrohtë dhe të përzgjedhur kjo ishte mënyra më e mirë për të përmbyllur më së miri të gjitha aktivitetet nga kalendari im artistik që kam pasur përgjatë këtij viti, para njerëzve dhe personaliteteve nga arti dhe shkenca, si dhe publikut artdashës dhe aq të ngrohtë. ‘Io son l’umile ancella’ nga opera ‘Adriana’ është hera e parë që interpretohet në Kosovë dhe me shkas e kam zgjedhur, sepse mendoj se edhe vitin tjetër do të marr vepra të reja në repertorin tim për t’i risjellë në Kosovë, kjo me sugjerim nga specializimi që jam duke e përfunduar në Itali me vocal coach ndër më të mirët e kohës”, ka thënë ajo.

Edhe përmbyllja e koncertit ka qenë një përzgjedhje e qëlluar me interpretimin e korit “Okteti plus”, që solli dy korale potpuri arbëreshe nën direktivat e dirigjentit dhe kompozitorit Rauf Dhomi, i cili ftoi në skenë të gjithë interpretuesit e mbrëmjes për një përshëndetje të fundit para publikut.