Kulturë

Xhubleta – magjia e trashëgimisë shqiptare, pasuri e njerëzimit

Gra të veshura me xhubleta, rrëfime e demonstrim për dijebërjen e saj e kanë karakterizuar ceremoninë e organizuar nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, e cila ka qenë edhe festë për futjen e saj në UNESCO
 

Pallati i Brigadave në Tiranë është pushtuar të martën mbrëma nga xhubleta, rrëfimi për të dhe artizanet që e mbajnë gjallë. Ka qenë festë për xhubletën, tashmë pasuri e njerëzimit nën mbrojtjen e UNESCO-s, si dijebërje e kësaj veshjeje që daton katër mijë vjet më parë.

Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, studiues, gra dhe vajza nga Malësia e Madhe, të veshura me xhubletë e të tjerë.