Kulturë

Një shije e “The Wind Rises” vjen në Anibar përmes masterklasës së Aya Suzukit

Në edicionin e 8 të “Anibar”, festivalit të filmit të animuar, me plot emra të mëdhenj në fushën e animimit, festivali mirëpret Aya Suzukin, animatore japoneze/britanike, artiste për “layout” dhe “story”, që ka punuar në filma me bujë të madhe dhe për studio të famshme animimi, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Suzuki ka filluar karrierën e saj në një festival animacioni, pas të cilit ajo pati rastin të punonte me emra të famshëm si Satoshi Kon, Mamoru Hosoda dhe Sylvain Chomet (e ky i fundit është regjisor i filmit “Belleville Rendez – Vous” dhe “The IIlusionist”) dhe ka punuar në industrinë e animeve”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Më tutje thuhet se ajo ka punuar në projekte si për filmin e Hayao Miyazaki të studios Ghibli, i cili është nominuar për Oskar “The Wind Rises”, në filmin e gjatë 3D “Sherlock Gnomes”, film që po punohet nga regjisori i filmit “Kung-fu Panda” John Stevenson, ka punuar gjithashtu në filmin e Sylvain Chomet, “The Illusionist” i cili po ashtu është nominuar për Oskar, filmin që ka fituar çmim në Akademin Japoneze, “Wolf Children”, filmin e Satoshi Kon “The Dreaming Machine”, filmin e Masaaki Yuasa, “Ping Pong”, e shumë të tjerë. Për momentin punon si animatore e lartë 2D në filmin e Wes Anderson, “Isla of Dogs”.

Aya do të mbajë një masterklasë në “Jusuf Gërvallë”, më 20 gusht. Masterklasa do të fillojë në ora 14:00, ku të gjithë ata që janë të interesuar në filmat dhe vizatimet e saj kanë mundësi të marrin më shumë informata mbi atë se si punohet një film i gjatë i animuar në bashkëpunim me Miyazaki dhe Kon, dhe gjithashtu do të kenë mundësi të depërtojnë më thellë në përvojat e saj në industrinë e animimit, thuhet në komunikatë.