Kulturë

“Dhomë për kujtime të pabëra” kthen realitetin që nuk është më

Ekspozita “Dhomë për kujtime të pabëra” e Luan Bajraktarit, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, është ftesë për reflektim e dialog
 

Është një dhomë tipike e dikurshme e familjeve shqiptare të Kosovës, e cila projektohet në origjinalitet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Vjen me detaje dhe secili objekt shndërrohet në artefakte nëse kundrohet prej aspektit të dokumentimit. Me “Dhomë për kujtime të pabëra”, artisti Luan Bajraktari eksploron nëpër nostalgji, por ekspozita e cila zbërthen kontekste sociale kthen një realitet që nuk është më. Për artistin dhe publikun, “Dhoma...” nuk projektohet vetëm në konturat e objekteve fizike dhe kësisoj krijon interaktivitetin me publikun

Ambienti i Galerisë së Ministrisë së Kulturës nuk e ka pamjen e zakonshme të tij. Aty është projektuar “Dhoma për kujtime të pabëra”. Luan Bajraktari eksploron nostalgjinë nëpërmjet kujtimeve të fëmijërisë tek rikthen ambientin e një shtëpie tipike të dikurshme. Dhe në këtë formë ia jap artit fuqinë dokumentuese.

Një patkua i varur në mur, para hyrjes në dhomën e pritjes, uron secilin mysafir për fat të mirë para derisa pasqyra e varur në korridorin e formësuar prej holli fton për reflektim dhe dialog mes individëve brenda saj. Krijimi i dhomës tipike të shtëpive të dikurshme të Kosovës vjen edhe si nostalgji për të kaluarën. Nëpërmjet mobilieve të gatshme dhe orendive shtëpiake synon të plotësojë boshllëkun e kujtimeve.