Është një dhomë tipike e dikurshme e familjeve shqiptare të Kosovës, e cila projektohet në origjinalitet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Vjen me detaje dhe secili objekt shndërrohet në artefakte nëse kundrohet prej aspektit të dokumentimit. Me “Dhomë për kujtime të pabëra”, artisti Luan Bajraktari eksploron nëpër nostalgji, por ekspozita e cila zbërthen kontekste sociale kthen një realitet që nuk është më. Për artistin dhe publikun, “Dhoma...” nuk projektohet vetëm në konturat e objekteve fizike dhe kësisoj krijon interaktivitetin me publikun
Ambienti i Galerisë së Ministrisë së Kulturës nuk e ka pamjen e zakonshme të tij. Aty është projektuar “Dhoma për kujtime të pabëra”. Luan Bajraktari eksploron nostalgjinë nëpërmjet kujtimeve të fëmijërisë tek rikthen ambientin e një shtëpie tipike të dikurshme. Dhe në këtë formë ia jap artit fuqinë dokumentuese.
Një patkua i varur në mur, para hyrjes në dhomën e pritjes, uron secilin mysafir për fat të mirë para derisa pasqyra e varur në korridorin e formësuar prej holli fton për reflektim dhe dialog mes individëve brenda saj. Krijimi i dhomës tipike të shtëpive të dikurshme të Kosovës vjen edhe si nostalgji për të kaluarën. Nëpërmjet mobilieve të gatshme dhe orendive shtëpiake synon të plotësojë boshllëkun e kujtimeve.
Një divan ka zënë vend në dy anët e dhomës dhe në mes tyre komodina. Aty është edhe tentena. Dy pjesë të perdeve anash dritareve dhe një tjetër që mbulon ato në pjesën ballore të dhomës, bashkë me tepihun e shtruar, e veshin ambientin me ngrohtësinë e shtëpisë. Ca punime janë varur në mur ndërsa në dysheme e në qoshe të sallonit të improvizuar janë vendosur lule, disa nga to në tavolina. Hapësira e ngushtë nga dy sipërfaqet e mureve dhe e zgjeruar në dy të tjera, projektojnë në mendje dhomën e ditës. Vitrina e vendosur përballë divanit vetëm sa shton serinë e kujtimeve. Dollapët prej druri, një pjesë e të cilëve e veshur prej xhami, vënë në pah filxhanët e zbukuruar me lule, gotat e qelqit e librat e renditur brenda tyre. Në raftet e hapur janë vendosur vazo zbukuruese e suvenire të tjera. Nuk mungon televizori i dikurshëm, që shërbente si urë lidhëse e vetme me botën e komunikimit të gjerë. Jo rastësisht, kualiteti i kanalit ka qenë krejt i dobët, duke u munduar që vizitori i veprës ta përjetonte atë deri në thellësi, qoftë edhe në rifreskimin e kujtesës për anëtarin që sakrifikonte shfaqjen e preferuar televizive për ta shijuar të tjerët.
Çdo objekt që zë vend në instalacionin e Luan Bajraktarit është ndjekje e gjurmëve nëpër kohë. Janë detajet që kompletojnë dhomën që rikthen kujtimet prej fëmijërisë së dikurshme dhe mjedisi ku barra shpirtërore shërohet me përqafimin e lumturisë që familja krijon. Një e tillë që sot shoqëria zor se e gjen, i ofrohet pa asnjë këmbim, sikurse dikur.

“Tek i jep përmasa publike sferës private dhe anasjelltas, ekspozita do të shoqërohet me një program publik që synon ta aktivizojë këtë vepër përtej aspektit konkret të saj. Përmes një cikli bisedash, folës të ftuar do të diskutojnë dinamikat gjinore dhe normat sociale të shfaqura në familjet dhe praktikat kulturore që formësojnë përvojat individuale e kolektive, dhe rolin e dhomës së ndenjes si element arkitektural”, ka shkruar kuratorja Hana Halilaj për veprën “Dhomë për kujtime të pabëra”.
Ekspozita e artistit Luan Bajraktari intrigon gjenerata të ndryshme. Më të rinjve ua hap dyert e njohjes. Ata që mund ta kenë përjetuar e pasur një soj dhome të tillë i kthen në kohë. Publiku ka mundur të bëhej pjesë e familjes a mysafir në “Dhomën...” e Bajraktarit.
Për autorin ka qenë ndjesi tjetër përballja me objekte reale prej atyre që projektojnë artin vizual.
“Do të mund të pikturoja ose vizatoja një dhomë të tillë, por nuk do ta kishte këtë efekt që e ka. Nuk ka qenë e vështirë për mua të dilja nga skulptura në instalacion, pasi unë kam punë të tjera me objekte të gatshme”, ka thënë Bajraktari.
Për të dhe kuratoren Hana Halilaj ka qenë i vështirë koncepti i veprës, por më tej ka qenë angazhim në organizimin e gjësendeve pasi ato kanë qenë të gjithat të gatshme.
“Salloni është në mendjen time për kohën e pasluftës, ka qenë disi kështu. Kanë qenë dhoma që dikush e ka pasur vetëm për mysafirët”, është shprehur artisti Bajraktari, i cili jeton në Vjenë, ka studiuar skulpturën në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Akademinë e Arteve të Bukura në Perugia në Itali.
Disa nga ekspozitat personale të Bajraktarit përfshijnë: “Buro X” e “Parallel Vienna” në Vjenë më 2016, “Freezer Tameri” e “Panten Freezer” në Prishtinë më 2009, si dhe në ekspozita grupore. Disa nga to janë: “Neofyten”, “Balkanization”, “Human Wanted” e “Friday Exit” në Vjenë. Ka marrë çmimin “Artistët e së nesërmes”, çmimin “Muslim Mulliqi” dhe “Nativita” në Perugia, të tria më 2012.

Përmes ndërhyrjeve arkitekturale dhe dizajnit brenda, ekspozita shndërron funksionin e saj edhe në përcaktor të klasave të shoqërisë.
Për kritikun e filozofin Shkëlzen Maliqi, vepra e Bajraktarit është ndërlidhje e dy periudhave të ndryshme kohore.
“Është prej instalacioneve që janë specifike tipike shqiptare, por me pretekst të rikthimit të një realiteti që nuk është më. Është përpjekje për të rimenduar dhe t’i jepet zë kohës së mëhershme në ballafaqimin e një intimiteti dhe për mënyrën se si është jetuar. Është një lloj nostalgjie pasi artisti jeton jashtë, e ka një nostalgji për vendin e tij”, ka thënë Maliqi.
Vepra ngjall emocionet e papërjetuara për një kohë të gjatë.
Dhurata Ramosaj, drejtoreshë e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, ka thënë se vepra ua mundëson gjeneratave të reja të shohin ambientin e dikurshëm të familjeve në vend e më gjerë.
“Për mua ka qenë e mirëpritur, sepse është ekspozitë ndryshe nga programi ynë. Ai ka paraqitur kujtimet e tij, dhomën ku secili e kemi një të tillë që kujtojmë fëmijërinë. Për ne, besoj edhe për publikun, është interesante ta shohë”, ka thënë Ramosaj.
Ekspozita “Dhomë për kujtime të pabëra” do të qëndrojë e hapur deri më 27 janar, të cilën e pason më tej programi për vitin 2023.