Kulturë

Shteti braktis e lë pa rojë prej Kalasë së Prizrenit deri tek “Ulpiana”

Kalaja e Prizrenit (Foto: Driton Paçarada)
 

Janë së paku 70 marrëveshje për shërbime të veçanta, të cilat kanë skaduar e për zëvendësimin e punonjësve nuk ka zgjidhje. Si pasojë, Kalaja e Prizrenit, parku arkeologjik “Ulpiana” s’kanë as staf e as rojë. Rojat e Muzeut Kombëtar të Kosovës e vazhdojnë punën vullnetarisht, siç bën edhe njëri punonjës në muzeun “Shtëpia e Pavarësisë Dr. Ibrahim Rugova”. Në rrëmujën e mosvazhdimit të kontratave të përkohshme janë edhe shumë institucione të tjera, si Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, Lidhja Shqiptare e Prizrenit e disa punonjës të qendrave rajonale të trashëgimisë kulturore

Shteti i Kosovës ka investuar më shumë se një milion euro për ta bërë një pjesë të lokalitetit arkeologjik të Ulpianës Park Arkeologjik. Por, janë bërë më shumë se dy muaj prejse dora e shtetit nuk vërehet fare në këtë park, krejt afër Prishtinës. Mirëmbajtja nuk ekziston të paktën prej fundit të shtatorit. Nuk ka madje as rojë gjatë ditës e as gjatë natës. Arsyeja: mosvazhdimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta për 6 të angazhuarit si staf në “Ulpianë”.

I njëjti rrëfim është edhe për Kalanë e Prizrenit ku janë investuar mbi një milion euro të buxhetit të Kosovës dhe nga donacionet ndërkombëtare, përfshirë 700 mijë dollarë të Fondit të Ambasadorit, ndarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kalaja bashkë me muzeun brenda saj janë të mbyllura, pos në rastet kur paralajmërohen vizita nga delegacionet.