Janë imazhet e grave nga 74 vende të ndryshme të botës që bashkohen në bibliotekën e qytetit të Korçës, “Thimi Mitko”. Qyteti lindor shqiptar është streha e radhës e ekspozitës së fotografive të mjeshtres greke Athina Perka. Artistja ka bredhur gjithandej duke përjetësuar imazhe të grave nëpër botë.
Kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, derisa ka folur për këtë ekspozitë u ka bërë thirrje banorëve dhe vizitorëve të qytetit që të frekuentojnë sallën ku është hapur ekspozita.
Kurse vetë autorja është shprehur për punën e saj se ato janë foto që lavdërojnë gratë duke treguar “herë me zë e herë në heshtje, se ato mbeten gjithmonë luftëtare për jetën, pavarësisht nga raca, ngjyra, feja, origjina kombëtare, mosha, gjatësia, arsimimi, statusi familjar apo shoqëror”. “Ato janë gratë që luftojnë çdo ditë dhe pretendojnë në praktikë pozicionin që meritojnë”, citohet të ketë thënë ajo.
Sipas përshkrimit që u ka bërë fotografive vetë autorja, ajo sjell fenomene që nxjerrin në pah kushtet në të cilat gjysma e popullsisë femërore të planetit është e detyruar të jetojë.
Ka treguar se për fat të keq deri më sot, si në shoqëritë e Lindjes ashtu edhe në ato të Afrikës, përpjekjet për të siguruar të drejtat e tyre elementare përballen me ideale, paragjykime dhe varfëri dramatike.
Sipas imazheve që paraqiten nëpërmjet kësaj ekspozite, udhëtohet në thellësi të Lindjes dhe të Afrikës, duke takuar gra të të gjitha moshave në momente të përditshmërisë së tyre. Qëllimi i fotografes është të nxjerrë në pah karakterin dinamik të gruas dhe të aktivizojë ndjeshmërinë e fshehur brenda saj.