Kulturë

Institucionet vendore e ndërkombëtare heshtin përballë kontrabandës së artefakteve të Novobërdës

Ishte vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, që kishte thënë se shteti do të marrë përsipër konservimin dhe restaurimin e strukturave të Kalasë në atë që njihet si qyteti i epërm në Novobërdë. Po ashtu, synonte kërkim dëmshpërblimi për punë joprofesionale. Në fillim të tetorit, ministri Çeku kishte deklaruar se ia kanë shkruar revistës që ka publikuar artikullin, ku paraqiten studimet e artefakteve të kontrabanduara që ta tërheqin atë apo ta pezullojnë. Artikulli vazhdon të jetë në versionin online

Institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare, përfshirë revistën që ka publikuar studimin që autorët serbë ua kanë bërë disa artefakteve të kontrabanduara nga Kosova janë duke heshtur për këtë rast.

Një numër hapash qenë paralajmëruar nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku qysh në qershor. Por institucioni që ai udhëheq nuk ka treguar se çfarë është ndërmarrë.

Pas raportimit të KOHËS në ditën e 28-të të marsit se revista “Journal of Archaeological Science” ka publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)”, të pesë autorëve nga Serbia, ku shpërfaqeshin rezultate të artefakteve të Novobërdës, të marra gjatë viteve 2015 dhe 2016, MKRS-ja kishte kërkuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore që ta trajtojë këtë çështje. Raporti kishte nxjerrë në pah se materiali arkeologjik është kontrabanduar. Më pas, ky raport ishte plotësuar edhe me të dhëna të tjera duke bërë që shteti të ketë një bazë për të nisur procedura të tjera.

Më 2015, kompania “KOTO”, e përzgjedhur nga UNESCO, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse zbatimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO-ja. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar.

Për më shumë se dy muaj, Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur sa u përket zotimeve që vetë kishte dhënë.

Ishte vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, që kishte thënë se shteti do të marrë përsipër konservimin dhe restaurimin e strukturave të Kalasë në atë që njihet si qyteti i epërm. Po ashtu, synonte kërkim dëmshpërblimi për punë joprofesionale. Në fillim të tetorit, ministri Çeku në emisionin “Java sonte me Rronin” në KTV kishte deklaruar se ia kanë shkruar revistës që ka publikuar artikullin që ta tërheqin atë apo ta pezullojnë. Artikulli vazhdon të jetë në versionin online.

KOHA ka kërkuar përgjigje për këtë nga Redaktori i artikullit, biologu Chris Hunt, profesor në universitetin “John Moores” në Liverpool, por ai nuk është përgjigjur. I njëjti më herët kishte treguar gatishmëri që nëse institucionet kosovare deklarojnë se materiali arkeologjik është dërguar jashtëligjshëm në Beograd, stafi i revistës do të reagojë.

Sipas tij, institucionet kanë bërë të ditur se kanë pranuar shkresat, por ende nuk u janë përgjigjur.

“Kështu që ne duhet të vijmë në përfundim se autoritetet e Kosovës nuk ishin në gjendje të vërtetonin veprimin e keq”, kishte thënë ai në fund të prillit. Ishte ankuar se institucionet e Kosovës janë vonuar që t’i përgjigjen interesimit të tij.

Njëjtë sikurse në qershor edhe në tetor, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku kishte thënë se duhet formuar një ekip për të konstatuar dëmet mbi të cilat mund të nisen procedura të padisë ose të kërkimit të dëmshpërblimit.

“Duhet të pasojmë me veprime konkrete: sanimi i dëmeve dhe narrativa jonë për Novobërdën.

Novobërda është lokalitet antik dhe ka shumë shtresa. Ata (studiuesit serbë v.j.) e kanë mbajtur fokusin vetëm te mesjeta”, kishte thënë ai.

Në maj të këtij viti në Ministrinë e Kulturës ishin mbledhur udhëheqësit e disa institucioneve për të diskutuar për këtë çështje.

Drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, kishte dalë me propozim.

“Unë kam propozuar që të formohet një komision profesional, pasi në rastin e Kështjellës kemi disa lëmenj profesionalë dhe pastaj ai komision të vendosë si të veprohet tutje”, ka thënë Rexha. Sipas tij, prej atëherë më nuk është ftuar për këtë çështje.

Në fund të prillit, një raport prej 16 faqesh i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore konstatonte se në Kalanë e Novobërdës, pos trafikimit të materialit arkeologjik, ishin bërë edhe punime joprofesionale, gjë që kanë rezultuar me shembje të fasadës së gurtë. Konstatohej se studimet e bëra nga studiuesit serbë tentonin ta paraqisnin lokalitetin veç si qytet mesjetar serb. Aty jepen edhe rekomandime se si duhet të veprojë MKRS-ja. Ndër to i rekomandohej ta iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes.

“Meqenëse përmbushen elementet e veprave penale, MKRS-ja duhet ta iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes ndaj përgjegjësve të dëmeve të shkaktuara gjatë punimeve dhe gërmimeve arkeologjike”, shkruhet në Raport. Po aty, te pjesa e rekomandimeve shkruhet se “pas evidentimit të hollësishëm të dëmeve, përfshirë edhe të gjetjeve arkeologjike të nxjerra jashtë vendit, përmes UNESCO-s të kërkohet kthimi i tyre në vendin e origjinës”.

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në Raport shkruan se institucionet e Serbisë, Instituti Arkeologjik i Serbisë, Muzeu Kombëtar në Beograd, Fakulteti i Teknologjisë në Beograd dhe Universiteti i Novi Sadit kanë bërë analizën e një mostre arkeologjike të periudhës së mesjetës së vonë, lëkurë e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani.

“Kjo mostër arkeologjike nga vendi i origjinës është nxjerrë dhe bartur jashtë vendit në mënyrë ilegale nga lokaliteti arkeologjik shumështresor, pa dijeninë dhe lejen e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës”, shkruhet në Raport.

Pos studimeve të publikuara në Serbi, shteti serb ka financuar edhe të tjera që synim e kishin audiencën më të gjerë.

Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinski e dy ligjërueset në Universitetin e Novi Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, janë autorë të punimit që është financuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës në Serbi.

Revista “Journal of Archaeological Science” ka publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)”, që nxirrte në pah edhe trafikimin e artefakteve.

Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar “Trashëgimi kulturore pa kufij” (CHwB Kosova), kishte thënë se MKRS-ja në këtë rast është dashur që të dërgonte nota verbale dhe të kërkonte përgjegjësi. Shoshi është prapë i të njëjtit mendim.

“Në rastin konkret mendoj se revista duhet ta tërheqë artikullin. Kanë publikuar materiale të kontrabanduara. Në rastin e dytë, MKRS-ja do të duhej që ta dërgonte një notë proteste dhe t’u thoshte UNESCO-s dhe BE-së se në këtë projekt të tyre ka pasur kontrabandim dhe të kërkohet përgjegjësi”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, në lokalitete arkeologjike që përfshin zona të mëdha shteti duhet të jetë prezent me ekipe menaxhimi multidisiplinar gjatë gjithë kohës. Sipas tij, aty duhet të ketë vazhdimisht njerëz që do të merreshin me menaxhim, studim e mirëmbajtje.

Pas insistimit të KOHËS, në emër të kompanisë “KOTO”, zyrtari ligjor, Darko Gligorijeviq, kishte thënë se UNESCO-ja ka qenë zbatuese e procedurës së prokurimit dhe se në përputhje me rolin e saj ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për punime konservuese dhe restauruese. Kishte treguar se në disa raste shumë gjetje arkeologjike i janë dorëzuar Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Sipas Gligorijeviqit, i cili Kosovës i referohet me fusnotë, në dy raste “kompania ka dorëzuar në Institutin Arkeologjik të Kosovës” disa gjetje të luajtshme të gjetura gjatë punimeve arkeologjike në projektin në fjalë”.

Por “KOTO” prapë nuk ka pasur përgjigje në pyetjet direkte se me çfarë leje janë dërguar artefaktet në Beograd dhe po ashtu me çfarë leje bëhet studimi i tyre. Kurse, Zyra Rajonale e UNESCO-s në Sarajevë që ka udhëhequr krejt procesin e konservimit dhe restaurimit të Kalasë, nuk ka kthyer përgjigje asnjëherë.