Kulturë

“In the making” ironizon me natyrën si dekor

Yll Xhaferi ka përdorur elemente të ndryshme për të “natyralizuar” pak metra katrorë në “Galerinë 17”. Vepra e tij, “Groundless”, qëndron krahas “Të ulur rreth një pasoje” të kolektivit “DYVÓ”. Tri veprat i bashkon në këndvështrime për qasjen ndaj natyrës. Në fakt, janë realiteti i vrazhdët dhe një lloj reflektimi i vetvetes në raport me natyrën

Rërë, një pellg, disa gurë e elementet të tjera zënë vend në një ambient të rrethuar prej betoni në të katër anët. Improvizimi me natyrë brenda një hapësire të tillë prek qasjen që një pjesë jo e vogël e njerëzimit ka sot ndaj natyrës.

Yll Xhaferi ka përdorur elemente të ndryshme për të “natyralizuar” pak metra katrorë në “Galerinë 17”. Vepra e tij, “Groundless”, qëndron krahas “Të ulur rreth një pasoje” të kolektivit “DYVÓ”.

“Galeria 17”, që funksionin si pjesë e fondacionit “Shtatëmbëdhjetë”, kësaj radhe është hapur për rreth një muaj duke qenë në dispozicion të krijuesve dhe të krejt atyre që kanë dashur të reflektojnë për ekosistemin. Duke qenë në dispozicion për nevojat e artistëve dhe të komunitetit, aty ka marrë jetë edhe ekspozita “In the making”. Në thelb ka perspektivën “Queer Ecology”, që bashkon ata që “i zgjerojnë kufijtë e tyre të perceptimit mbi çështjet emergjente të ambientit”. Është inauguruar të enjten mbrëma.

Vepra e Xhaferit është e para që bie në sy. Për ironi e ka njëfarë ngjashmërie me hapësirat e gjelbra mbi parkingun nëntokësor të inauguruar së fundmi në kryeqytet. Mbi një najlon është ofruar njëfarë oaze. Në fillim duket e tillë, por më pas vërehet se nuk ka të bëjë me natyrën. Është thjesht një improvizim i egër. Pellgu bashkë me krejt të tjerat përreth janë sa për sy e faqe. Xhaferi, i njohur për veprat e tij provokuese, ka luajtur me ndjesinë që njerëzit po e humbin ndaj natyrës dhe po e qesin atë në nivel të dekorit.

“Najlonin e kam lënë përfundi qëllimisht. Kur nuk të vjen në qese një objekt, nuk të duket i ri. Gurët i kam bërë me printer 3D. Ata gurë nuk shërbejnë për asgjë”, thotë ai për tre gurë me ngjyra që janë kopjuar prej një tjetri që është natyral. Sipas tij, ideja e njeriut është që ta dominojë edhe natyrën.

“Është një banalitet që me na e qit para fytyrës se çfarë po ndodh. E kam pru natyrën si dekor”, ka thënë ai. Ka shkuar deri në ekstremin sa të përdorë edhe rërë artificiale sa për të nxjerrë në pah hipokrizinë ekstreme të atyre që edhe rërën e zëvendësojnë me diçka që shërben veç për dekor.

“Më duket absurde se si edhe rëra është kopjuar”, ka thënë ai.

Në diskutimet që janë mbajtur në “Project Space” të Fondacionit, të pranishmit pos pikëpamjeve e ideve që kanë dhënë, kanë lënë aty edhe shishe plastike nëpërmjet të cilave janë furnizuar me ujë. Prej shisheve të shtypura, “DYVÓ” ka ndërtuar një kub me dimensione 34 me 34 me 32 centimetra. Janë gjithsej 156 shishe që sipas të dhënave janë mesatarja sa përdor një njeri gjatë një viti. Nëse aty do të mblidheshin ato të krejt njerëzimit për një vit, do të mund të punoheshin mbi 8 miliardë kube. Sipas shpjegimeve që ka dhënë kolektivi, mbi 1.2 trilionë është mesatarja e shisheve të përdorura nga i gjithë njerëzimi brenda një viti. “34 trilionë shishe është mesatarisht sasia që do të konsumohet deri më 2050 nga i gjithë njerëzimi”, shkruhet në sqarimet e kolektivit, anëtarët e të cilit nuk kanë dashur ta komentojnë veprën e tyre.

Afër këtij kubi prej shisheve qëndron edhe një tjetër. Por ai është punuar me qelq dhe letra në të cilat janë reflektimet e atyre që kanë marrë pjesë në gjashtë takime reflektuese për ekosistemin.

Sihana Klisurica, përgjegjëse për komunikim dhe marrëdhënie me publikun në “Shtatëmbëdhjetë”, ka thënë se duke u hapur ndaj historive të ndërlidhura me sistemin shkatërrues mjedisor kuptohet se etika e njeriut të sotëm është e rënduar nga qëndrimi dominues karshi natyrës dhe botës natyrore.

“Shkatërrimi i mjedisit disi po e legjitimon dominimin kolonial dhe ne tashmë po përballemi me format e shumta të zhdukjes dhe shuarjes. Prandaj edhe nevoja për t’u ndalur tek ndërveprimi mes organizmave dhe mjedisit tonë veprues nxjerr në pah rolin tonë në këtë mes”, ka thënë ajo. Sipas saj, duke tentuar t’i zgjerojnë kufijtë e komunikimit mes artistëve e krijuesve të ndryshëm, “Galeria 17” është shndërruar në varësi të nevojave të vetë artistëve e komunitetit.

“Artistët pjesëmarrës kanë kontribuar në çështje të ndryshme mjedisore dhe sociale, përmes një procesi të hapur punues, edukues dhe vetëdijesues. Ata përpos që kanë ndarë përvojat e tyre profesionale dhe personale me njëri-tjetrin, po ashtu kanë kultivuar empatinë karshi mjedisit dhe drejtësisë sociale me publikun e gjerë”, ka thënë ajo.

Ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri në ditën e 16-të të janarit, përballë vizitorët me një përditshmëri të zymtë dhe njëkohësisht bën thirrje për tjetër qasje ndaj ekosistemit.

Image
Kolektivi “DYVÓ” nëpërmjet dy veprave nuk kërkon shkakun. I titullon “Të ulur rreth një pasoje”