Kulturë

“Club Albania” zhvesh shoqërinë gjatë inskenimit të një shfaqjeje

Skenë nga shfaqja “Club Albania”

E bazuar në veprën “Pas vdekjes” të Anton Zako Çajupit, shfaqja “Club Albania” ironizon për lavdet pas vdekjes. Por regjisori Fatos Berisha është kujdesur që të ketë edhe pasqyrim aktual të teatrove. Preket dalja e përvitshme e aktorëve të diplomuar nga Universiteti i Prishtinës, gjendja financiare e tyre, prapaskenat institucionale e deri te ekzistenca e veç një teatri për fëmijë në tërë Kosovën

Shfaqja është më ndryshe se të tjerat. Në të portretizohen prapaskenat e inskenimit të një drame. Me karaktere krejt të kundërta trajtohen problematika të ndryshme. E të gjitha vijnë si ironi e qasjes së njëjtë shtetërore, politike e sociale edhe pas njëqind vjetësh të shkrimit të dramës. Madje kjo godet edhe më shumë kur vjen pikërisht në përvjetorin e 110-të të Ditës së Flamurit.E bazuar në veprën “Pas vdekjes” të Anton Zako Çajupit, me dramaturgji të Shpëtim Selmanit, shfaqja zbërthen titullin në detaje. Në mesin e shumë adresimeve qëndron edhe fakti i thurjes së lavdeve të figurave kyç, veçmas kulturore pas vdekjes së tyre. Në të gjallë trajtimi është i padinjitetshëm, ndërkaq kapelën e heroizmit mund ta marrë secili, veç atëherë kur i mbyll sytë për këtë botë.

“Për të gjithë njerëzit e shkëlqyer kemi shkrime pas vdekjes. Kemi për deputetë, mësonjës, gazetarë, punonjës të teatrit”, thuhet gjatë shfaqjes.

Premiera, nën regji të Fatos Berishës, në të njëjtën kohë inauguroi edhe hapësirën e re të Teatrit Kombëtar të Kosovës deri në përfundim të rinovimit, Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Ndërkaq tema sillet rreth një regjisori i cili frymëzohet nga Çajupi dhe vendos që ta bëjë shfaqje veprën e tij. Mirëpo dëshiron të ketë sa më shumë frymë bashkëkohore. Gjatë rrugës përballet me kritikat e aktorëve dhe me dëshirën e tyre për ndryshime. Dikur ata i binden, duke portretizuar nënshtrimin e pafuqishëm për hir të profesionit.

Me skena të shumta komedie, mesazhi thellohet kur aktorët shpërfaqin gjendjen reale të jetës së tyre profesionale. “Qe 40 vjet a ja kam pa hajrin teatrit? Babës tem ja ka dhonë shteti një garsonjerkë”, është njëra prej klithmave që vjen nga Ard Islami, i cili mjeshtërisht përfaqëson aktorin e lodhur nga profesioni. Ironizon edhe me gjendjen fizike të teatrove shqiptare: “Qe 8 vjet tender-renovim, shtinja bagerin”, thotë ai duke ngritur paralele me ndërtesën e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, i cili brenda nate ishte bërë rrafsh me tokë. Preket dalja e përvitshme e aktorëve të diplomuar nga Universiteti i Prishtinës e pastaj edhe gjendja financiare e rënduar në ushtrimin e këtij profesioni. Por përmenden edhe prapaskenat institucionale.

“E kujt ju jepet çmimi aktori më i mirë?”, i thotë pas ankesave kolegu aktor, i luajtur nga Ylber Bardhi. “Ma dha ministri, 8 muaj vota kam lyp për atë ministër. Ma kanë dhanë një gur të ‘Trepçës’”, është përgjigjja e tij.

“Një komedi e shkruar para 100 vjetëve, por e vumë në skenë sot, e cila flet si atëherë edhe sot për të njëjtat gjëra, që i bie që fort nuk kemi ndryshuar si komb fatkeqësisht”, ka thënë regjisori Fatos Berisha.

Sipas tij, pavarësisht që është e shkruar një shekull më parë, tema përveçqë është aktuale, në të njëjtën kohë është bashkëkohore.

“Çajupi e ka trajtuar temën e problemeve sociale, politike, shoqërore, gjithë ato egoizma, bajraktarizma, thurjet e lavdeve pas vdekjes e të gjitha të tjerat”, ka thënë Berisha.

Dhënia e premierës pikërisht në Ditën e Flamurit në fillim nuk ka qenë diçka e destinuar. Mirëpo ka marrë jetë me kalimin e kohës.

“S’ishte e lehtë se ishte kohë e shkurtër, por deshëm që ta japim premierën bash këtë ditë, kur është festë dhe kur mund të vijnë njerëzit, të bëjnë një reflektim edhe për veten”, përfundoi ai

Një moment i rëndësishëm për shfaqjen ishte edhe rikthimi i aktorit Armond Morina në teatër pas katërmbëdhjetë vjetëve. Me mjeshtërinë e tij në skenë, Morina portretizon aktorin i cili është i zoti në profesionin e tij. Mirëpo energjia e mundi i dhënë e bëjnë të lodhet në prag të pensionimit. Tash jeton me kuptimin e humbur për këtë profesion.

Pjesa më e fuqishme e gjithë rolit të tij është momenti kur zhvesh të pathënat e të qenit palaço. Poezia e Dan Grimaldit, “Ja ku jemi përsëri”, nën jetësimin e Morinës në skenë shfaqi lakuriqësinë e një fytyre gazmore, me plot bojë e hare. Por gjatë rolit ai ironizon edhe me faktin e të pasurit veç një teatër për fëmijë në gjithë Kosovën.

“Më ka pëlqyer edhe koncepti i Fatosit edhe me i përditësuar e kujtuar rilindësit tanë, punën e tyre, që besoj që edhe ata në atë periudhë historike me aq dinamikë që ka qenë – se ka qenë në pyetje identiteti – pothuajse kanë qenë me të njëjtat energji. Ka qenë e njëjta energji që me i bo punët ma shpejt se gjithmonë jemi vonu historikisht”, ka thënë Morina.

Sipas tij, kosovarët për çdo ditë përballen me raportin urrejtje dhe dashuri për vendin. Ka përmendur se observimi kulturor i një populli bëhet nga gjendja e teatrove dhe muzeve të tyre. Sipas tij, kualitetin e teatrit e dallon nga skenografia, trupa e aktorëve e tematikat që trajtohen.

“Edhe ne erdhëm me luajt në skenë alternative, që më në fund edhe ne do ta kemi një teatër të dinjitetshëm. E kam përsërit në shumë intervista, ne jemi aktorë që jemi rrit me okupim, me publikun tonë. Kemi performuar edhe në kushte minimaliste, sikur ushtria edhe teatri është”, ka thënë ai.

Sipas Morinës, shumë artistë janë harruar pas vdekjes. Ka thënë se e ka zënë gjeneratën kur artistët janë shprehur publikisht që nuk duan askënd gjatë varrimit.

“Neve na pati ardhë nga klisheja, jo e origjinalit. Shumica e yjeve kishin qejf që nëse kanë bërë aq mund, të kenë një pasvdekje të dinjitetshme”, ka thënë ai duke vazhduar të flasë dhe për mungesën e teatrove për fëmijë.

“Kjo ke një klithmë për teatrin e fëmijëve, a gojën e kemi plotë ‘e ardhmja’. Unë jam për me pasë ma shumë teatro të fëmijëve sesa teatro tjera”, ka thënë ai.

Ndërkaq aktori Armend Smajli, i cili në shfaqje portretizon regjisorin bashkëkohor, ka thënë se energjia ka qenë në nivelin maksimal në premierë.

“Shfaqja është mozaiku i një kaosi të temave shoqërore, në këtë rast merret si shembull teatri, por personazhin si Vurko mundesh me e përkthye në një komunë, institucion ku punon. Përmes teatrit tregohet çka ndodh edhe te njerëzit që janë përgjegjës me i kry disa punë”, shprehet ai.

Ka thënë se çështja e regjisorëve bashkëkohorë është e hapur. Pavarësisht që në këtë rast aktorët mund të mos ia përkrahin idenë, ata dinë të kenë vizion për teatër.

“Shfaqja aq ka probleme e frustrime shoqërore, secili në publik mundet me marrë diçka nga shfaqja. S’është asgjë e saktësuar si mesazh që përcillet te publiku, shumë gjëra mbesin në pikëpyetje”, ka thënë ai.

Në fund aktorët dalin në skenë me topin e kuq të palaços, si simbolikë të bashkëndjesisë me rolin e Morinës.

“Grimaldi ka qenë aktor francez. E ka poezinë e famshme ‘Ja ku jemi përsëri’. E ka konceptin kur bashkëndien me aktorin e fundit që mbetet në skenë dhe në fund duhet me thënë se një palaçoje pavarësisht problemeve asnjë pikë loti s’i rrjedh. Është kurajë nga ai, për me pa jetën në mënyrë më optimiste”, përfundon Smajli.

Aktorët e tjerë që luajnë janë edhe Teuta Krasniqi e Naim Berisha. Kjo shfaqje vjen rreth dy vjet pasi Teatri Kombëtar i Kosovës nuk ka nxjerrë premiera. Është shfaqja e parë në skenë të improvizuar prej kur në fund të korrikut ndërtesës së TKK-së iu vu dryni nga Ministria e Kulturës për gjoja rinovim të tërësishëm. Shfaqja e së hënës mbrëma indirekt prek edhe gjendjen e institucionit ku u realizua.