Kulturë

Xhubleta shqiptare në UNESCO si pjesë e “Listës së mbrojtjes urgjente”

Në sesionin e 17-të të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, unanimisht është vendosur shpallja e xhubletës dhe dijebërjës së saj si pjesë të Listës së trashëgimisë kulturore jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. “Xhubleta, shkathtësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit, Albania” është titulli me të cilin xhubleta ka bërë vend në “Lista e mbrojtjes urgjente 2022”. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti. Kjo arritje e Shqipërisë është vlerësuar lart nga ata që merren me trashëgimi kulturore.

Xhubleta është përplot me shenja që simbolizojnë jetën. Kjo veshje tradicionale shqiptare, prej së martës ka marrë jetë edhe si pjesë e trashëgimisë botërore. Ka hyrë në UNESCO si trashëgimi jomateriale ose shpirtërore në emër të Shqipërisë.

Në sesionin e 17-të të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, unanimisht është vendosur shpallja e xhubletës dhe dijebërjës së saj si pjesë të Listës së trashëgimisë kulturore jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. “Xhubleta, shkathtësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit, Albania” është titulli me të cilin xhubleta ka bërë vend në “Lista e mbrojtjes urgjente 2022”.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti. Kjo arritje e Shqipërisë është vlerësuar lart nga ata që merren me trashëgimi kulturore.

“Një thesar që në vrullin e kohës po rrezikonte dita-ditës që të humbiste, por ne nuk duhet të lejojmë që xhubleta të mbetet thjesht një relikt i së shkuarës. Me përfshirjen në këtë listë, ajo do të ketë gjithë mbështetjen, jo vetëm të institucioneve tona, por tashmë edhe të atyre ndërkombëtare që do ta trajtojnë xhubletën si pasuri e të gjithë njerëzimit”, ka thënë ministrja Margariti nëpërmjet një videoje nga ambientet e sesionit që po mbahet në Rabat të Marokos.

Sipas saj, për të ardhur në këtë ditë janë dashur shumë vjet punë.

“Për ne shqiptarët xhubleta nuk është thjesht një kostum, një veshje, por është një mënyrë jetese, një petk që i shoqëron gratë e Malësisë nga lindja deri në vdekje, që i shoqëron në çdo gëzim dhe hidhërim”, ka thënë Margariti. Sipas saj, kjo veshje madhështore 4 mijë-vjeçare e mbushur me plot simbole jete tashmë ka tejkaluar kufijtë shqiptar.

Sipas ueb-faqes së UNESCO-s, xhubleta është një veshje e punuar me dorë e veshur nga gratë dhe vajzat malësore në Shqipërinë e Veriut, e karakterizuar nga forma e saj e valëzuar.

“Kryesisht e zezë me motive të qëndisura shumëngjyrëshe, procesi i përpunimit përfshin përgatitjen e shajakut, prerjen, qepjen dhe qëndisjen e figurave simbolike. Xhubleta dikur përdorej në jetën e përditshme që nga mosha e pubertetit, duke treguar statusin social dhe ekonomik të mbajtësit”, shkruhet në sqarimin e UNESCO-s. Aty bëhet e ditur se përdorimi dhe punimi i saj kanë qenë në rënie gjatë dekadave të fundit për arsye socio-politike dhe ekonomike. Sqarohet se veshja ka ruajtur domethënien e saj shoqërore dhe shpirtërore dhe ende konsiderohet pjesë përbërëse e identitetit malësor.

Nëpërmjet një videoje të publikuar nga UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë), shpjegohet se Malësia e Madhe ka traditë xhubletën. Po ashtu, sqarohet se ajo përbëhet nga mbi 30 elemente dhe ndahet në xhubletë të vajzërisë, të martesës, xhubleta e para së keqes dhe ajo e të keqes.

Antropologu Arsim Canolli, profesor në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se pajtohet me kolegen e tij, profesoreshën Afërdita Onuzi, e cila thotë se “xhubleta ishte veshje e përhapur gjithandej Mesdheut, por vetëm malet shqiptare ia dhanë besën xhubletës dhe e përcollën nga lashtësia deri më sot. Tani, bota e njohur këtë besëlidhje të gjatë të shqiptarëve me xhubletën: ajo u bë pjesë e listës së trashëgimisë kulturore shpirtërore të njerëzimit”.

ka thënë se megjithatë, xhubleta është në rrezik. “Me sa di unë, ka hyrë në listë të trashëgimisë kulturore shpirtërore të UNESCO-s për shkak të rrezikut që i kanoset nga zhdukja si praktikë, sepse ka shumë pak individë që dinë të bëjnë xhubletën me spik në formë se si është bërë deri më tani. Andaj, presim të shoshim se si do të vazhdojë besëlidhja e re në forma të reja të dokumentimit, ruajtjes e promovimit”, ka thënë Canolli.

Sipas tij, mbijetoja apo survivanca të tilla, të cilat vijnë nga lashtësia, shqiptarët kanë shumë, përfshirë plisin, veshjen e grave të Hasit, këngët epike, gjëmën e burrave, flinë, verzën e 13 marsit e një mori praktikash të tjera anekënd viseve ku jetojnë shqiptarët.

“Disa janë në rrezik të madh të zhdukjes, disa mbahen gjallë nga të gjithë ne dhe mund të hyjnë nesër në UNESCO si simbole përfaqësuese të trashëgimisë kulturore shpirtërore. Por, edhe vetë gjuha shqipe është një nga survivancat, e cila është trashëgimi kulturore shpirtërore e njerëzimit, u mbrojt apo s’u mbrojt nga UNESCO”, ka thënë ai.

Etnologu i Muzeut Etnologjik të Kosovës, Bekim Xhemili, ka thënë se bëhet fjalë për një veshje shumë të vjetër që gjen ende përdorim në Malësinë e Madhe ku përfshihet një pjesë e Shqipërisë dhe e
Malit të Zi.

“Tregon për lashtësinë e veshjeve popullore shqiptare, përshirë kulturën materiale, shpirtërore dhe artistike. Është pjesë shumë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe etnokulturës së vendit. Është e veçantë, e punuar nga leshi dhe tregon për statusin e një personi në bazë të ngjyrave si e bardha, e kuqja, e zeza”, ka thënë ai.

Sipas tij, përtej promovimit të trashëgimisë shpirtërore shqiptare, pranimi në UNESCO ofron edhe përfitime të tjera.

“Ndihmon edhe në vazhdimin e jetëgjatësisë si veshje, pasi është në fazën e fundit të mbijetesës”, ka thënë ai.

Por përtej lajmeve si ky i së martës, Shqipëria ishte vonuar që ta çonte përpara pranimin e lahutës në UNESCO. Në vitin 2018 UNESCO kishte njoftuar se është regjistruar si pasuri botërore e të kënduarit me gusle (lahutë).

Regjistrimi qe bërë me kërkesë të Serbisë. Gusle është emërtimi në gjuhët sllave i veglës muzikore të njohur ndër shqiptarë si lahuta.

Disa vjet më parë, kishte një përpjekje midis Shqipërisë dhe Kosovës për ta regjistruar këtë vegël muzikore në UNESCO, si pasuri të trashëgimisë kulturore. Në vitin 2015, Kosova nuk ia kishte dalë të bëhej pjesë e kësaj Organizate të Kombeve të Bashkuara, shkaku i mungesës së tri votave.