Kulturë

“Venus” në prapaskenat e raportit midis burrit e gruas

Ngjarja kryesore është një shfaqje teatri, personazhet janë aktorja e regjisori, shkak është një rol. Por “Venus”, e bazuar në përrallën “Venera në gëzof”, nëpërmjet shfaqjes brenda shfaqjes futet në prapaskenat e raporteve jo vetëm midis dy artistëve që i harrojnë rolet e zhvishen prej tyre, por zbërthen marrëdhëniet midis burrit e gruas

Skena hapet me vetëtimë e bubullimë. Gjithçka tjetër është e mbyllur brenda dyerve të teatrit dhe në skenë. Besart Zeneli, në rolin e regjisorit a dramaturgut, në një bisedë me të fejuarën e zbraz zhgënjimin për audicionin që po e mban. Nga mbi 20 aktore, asnjëra s’ishte e denjë për rolin e aktores për shfaqjen “Venus” bazuar në përrallën klasike “Venera në gëzof”. Një aktore e re që vjen prej një agjencie e përmbys gjendjen. Nga dëshpërimi, regjisorin e njohur e çon drejt skutave të panjohura. Audicioni shndërrohet në rrokullisje të situatave. Regjisori do të zhvishet shpesh nga roli i tij.

Në këtë frymë është zhvilluar shfaqja, nën regji të Bashkim Ramadanit, në teatrin “Dodona”, që është dhënë premierë të enjten mbrëma. Aktorja do që gjithsesi ta marrë rolin e saj në teatër. Thomas Novachekut, regjisor e dramaturg i dëshpëruar, nuk i duhet shumë kohë që t’i bindet Vandas, e cila më pas shfaqet gjysmë e zhveshur. Duke e vënë në skenë përrallën “Venera në gëzof”, ata thyejnë kufijtë mes adaptimit të saj në skenë dhe raporteve me njëri-tjetrin. Nga teksti që kanë përballë ata nxjerrin shumëçka nga brendia e tyre. E komentojnë edhe tekstin – edhe lidhjen e tij me të tashmen. Lidhjen me gjithçka – veçmas me teatrin dhe atë që ndodh prapa teatrit. Godet besnikërinë e burrave e mosbesimin e grave. “Venus” shkon përtej një prapaskene për të fituar një rol teatri a përpjekjeve për ta vënë në skenë një tekst. Ajo këmbëngul në raportet gjinore mes një burri dhe gruaje. Shfaqja është e bazuar në dramën “Venera në gëzof” të dramaturgut amerikan David Ives, regjisori është munduar që me konceptin regjisorial të mos i ikë konceptit që e prodhon teksti. Por, shfaqja nuk e nxjerr në skenë veç një aktore, por gjithkënd të profesionit tjetër.

“Shfaqja nuk flet vetëm për aspektin e fitimit të një roli në skenë apo teatër, apo vetëm për një vend të punës, por është përfshirje më e gjerë ngaqë këto raporte mes njerëzve janë të pranishme në gjithë shoqërinë tonë. Si në çdo vend të punës, me gjëra të ngjashme ballafaqohet edhe një ekonomiste, një infermiere e të tjerë”, ka thënë Ramadani për KOHËN. Sipas tij, loja e aktorëve ka qenë brenda përmasave të bashkëpunimit në prova.

“Me punën e aktorëve jam shumë i kënaqur dhe aq sa jemi marrë vesh për të bërë është arritur”, ka shtuar ai.

Valmira Hoti, e cila luan rolin e Vandas, e shndërron skenën në një arenë ku është e gatshme ta çojë deri në fund luftën e saj – jo veç për ta fituar rolin, por edhe për të matur fuqinë e saj. Ajo e dominon atë. Me një gjuhë që i përshtatet tekstit dhe komunikimit të natyrshëm arrin të nxjerrë në skenë gruan joshëse, por e cila luan me kufijtë e realitetit. Do të jetojë në antikitetin e Helenës dhe se lakmon lumturinë e shtirur të grave bashkëkohore. Është e lirë nga të gjitha kufizimet dhe nënshtrimet.

Hoti thotë se është lidhur me tekstin dhe është munduar ta paraqesë në mënyrë sa më të natyrshme.

“Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për mua që ta luaj këtë rol. Kur e kam lexuar tekstin, menjëherë jam dashuruar në të dhe çdo gjë ka ecur shumë këndshëm. Besoj që edhe sot, duke u bazuar në mënyrën se si publiku e priti, gjithçka ka qenë bukur”, ka thënë ajo për KOHËN menjëherë pas shfaqjes. Vanda është nga ato gratë që nuk e përton vulgaritetin. Me këtë e bën pjesë të lojës së saj edhe Thomasin, i cili i nënshtrohet plotësisht. Gjatë provave të tekstit Vanda dhe Thomas nëpërmjet situatave ndërvepruese dalin dhe hyjnë nga roli. Thomas është mes nervozizmit dhe nënshtrimit. Kur aktorja i duket që s’i kupton konceptet, e përcjell me fyerje.

Aktori Besart Zeneli ka thënë se partneriteti në skenë me aktoren e ka bërë më të lehtë për më shumë se një orë e gjysmë lojë – ku aktorët nuk largohen asnjëherë nga skena.

“Kam kaluar shumë mirë me kolegen si dhe regjisorin, pastaj ajo që na ka bashkuar ka qenë teksti. Teksti është shumë i mirë dhe tejet interesant, herë psikologjik e herë sipërfaqësor, por ka shumë domethënie e tematika të ndryshme. Në fakt, vetë teksti si tekst ka shumë guxim”, është shprehur Zeneli për KOHËN.

Vetë loja e Vandas me Thomas për të nxjerrë përrallën në skenë bëhet një lojë më vete ku raportet mes tyre mjegullohen. E gjitha kjo është bërë me një skenografi të thjeshtë, por e cila u shërben atyre për t’i bartur gjithë situatat në lojë.

Regjisori Kushtrim Mehmeti ka veçuar mënyrën e lojës së aktorëve në një skenografi minimale.

“Më pëlqeu shumë mënyra se si regjisori i ka shfrytëzuar elementet që ishin në skenë, si shtrati dhe tavolina. Një teatër minimalist në dukje, por në anën tjetër pati shumë gjëra totale. Gjithashtu pati edhe raport, relacion dhe emocion. Mënyra e lojës së aktorëve po ashtu më la mbresa të mëdha, gjithçka ishte e vendosur në mënyrë të duhur”, ka thënë Mehmeti për KOHËN.

“Venus” e Bashkim Ramadanit do të shfaqet reprizë gjatë muajve dhjetor dhe janar në teatrin “Dodona” në Prishtinë.